SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

/ ATSH/ “Italia është sot në nevojë më shumë se kurrë! Kjo fisnikëri e shëndetësisë shqiptare nuk do harrohet! Sot vijnë nga Shqipëria, nesër mund të vijnë mjekë nga Italia në Shqipëri! Një armik global luftohet vetëm me solidaritet global”.

Kështu u shpreh sot Vojsava Nikolla, punonjëse Socio-Shëndetësore (infermiere e përgjithshme) në Urgjencën e Spitalit të Feltre-s në Krahinën Veneto në Itali, përmes një mesazhi drejtuar Kryeministrit Edi Rama.

Ajo tha se “kur shoh që vijnë kolegë nga Shqipëria ndjehem tejet krenare dhe mendoj se ky është shpirti i Europës: solidaritet në nevojë”.

“Kryej rolin e asistentes në sallën e pritjes së Urgjencës dhe njëkohësisht bëj përkthyesen dhe ndërmjetësuesen kulturore për pacientët me origjinë nga Shqipëria dhe Ballkani! Po ashtu asistoj edhe familjet e personave të sëmurë në rastet kur humbin një të afërm të tyre! Situata e krijuar nga Covid-19 është, edhe sipas kolegëve të mi e sidomos mjekëve, e pakrahasueshme me asnjë emergjence qysh prej fundit të Luftës së Dytë Botërore”, shprehet ajo.

Nuk e fsheh se në ditët e para kur kishte të vdekurit e parë, pata një ndjesi frike, vijon infermierja shqiptare, ndërsa thekson se “për fat e kalova shpejt dhe tani me masat e marra nga Qeveria e Rajonit, jam besimplotë se do ia dalim shpejt”.

Ajo shprehet se “masë e patjetërsueshme kundër virusit është izolimi në shtëpi pasi është tepër i përhapshëm si infektues”. ” Kjo masë qëndron në themel të strategjisë kundër tij! Vura re se Shqipëria e mori mjaft shpejt këtë masë dhe kjo besoj se do ndihmojë në reduktimin e fluksit të pacientëve”, shprehet ajo.

“Mora vesh për ardhjen e një grupi mjekësh e infermierësh nga Atdheu ynë për të ndihmuar në një spital të Lombardisë! U emocionova jashtë mase sepse si unë ashtu edhe mijëra shqiptarë të tjerë kemi gjetur një mikpritje e mundësi për një jetë dinjitoze e ushtrim profesionaliteti të denjë”, thotë ajo.

Vojsava thotë se “Italinë e kam atdheun tim të dytë, kam edhe nënshtetësinë italiane, por kur shoh që vijnë kolegë nga Shqipëria ndjehem tejet krenare dhe mendoj se ky është shpirti i Europës: solidaritet në nevojë”.

“Me urimet më të përzemërta për ta mundur sa më parë këtë sëmundje! Rrini në shtëpi që ne t’ju ndihmojmë sa më shumë e më me pak stres! Së bashku do ia dalim”, shprehet infermierja shqiptare.//R-SR//

error:
%d bloggers like this: