Në majat e larta në jug të Shqipërisë, në rrugët gjarpëruese ku më shumë kalojnë dhitë sesa makinat, ndodhen një grup fshatrash, ku duket se koha është ndalur prej dekadash.
Ndodhet vetëm 20 km larg qytetit të Tepelenës, por për të mbërritur në Nivicë të duhet patjetër një makinë 4×4 ose një furgon. Udhëtimi që zgjat pak më shumë se një orë kalon nëpër një rrugë krejt të pashtruar e tejet të ngushtë, që i ngjitet malit deri në 1600 metra lartësi, por si këmbim të ofron një pamje spektakolare të kanioneve e honeve mbresëlënëse që varen përgjatë gjithë rrugës. E përfshirë në projektin “100 fshatrat”, ndërtimi i qendrës së Nivicës duket se ka zgjuar interesin për turistët, të cilët kanë rigjallëruar jetën e fshatit mbi kanion që flinte në mes të harresës.
Në këtë pllajë magjike, me majën e Kendrevicës në sfond, që arrin deri në 2122 metra, duket sikur gjithçka ka ngelur në vend. Rrugët e ngushta dhe të pastra, qendra e fshatit si dikur, shtëpitë dhe oborret rrethuar me pllaka guri të bardha si qëmoti, banorët që kullosin bagëtinë dhe lapidarët e dëshmorëve që të shoqërojnë gjatë gjithë këtij pejsazhi fantastik, e bëjnë të duket udhëtimin drejt Nivicës si një udhëtim në kohë.
Ka dy rrugë që të sjellin në Nivicë. Ajo që vjen nga Tepelena ka nisur të shtrohet deri sa kalon Bënçen. Ndërkohë rruga tjetër, që njihet ndryshe edhe si rruga e bregdetit, pasi të nxjerr në Borsh, është krejtësisht off-road dhe është ideale për ata që janë të apasionuar pas terreneve të vështira apo turistëve që kërkojnë zona të pashkelura. Sapo kalon Bënçen fillon “aventura”, duke iu ngjitur malit, ndërsa poshtë varen hone marramendëse.
Qumështi i deles ende transportohet me gomar për tek djathëbërësit lokalë. Fshatarë të moshuar ngjisin malin për të mbledhur rigon të egër dhe bimë të tjera. Ritualet e vjetra të ndezjes së qirinjve për të nderuar lisat e lashtë, të përkulur e të shenjtë mbahen ende gjallë, ndonëse askush nga ata që i praktikojnë duket se e di pse dhe si kanë lindur këto rituale.
I pozicionuar përgjatë një shkëmbi pas rrënojave të një fortese të vjetër, fshati Nivicë është i panjohur për shumë njerëz edhe në Shqipëri. Por një projekt ambicioz synon që ta hapë atë për turistët të cilët duan të zbulojnë bukurinë natyrore të jashtëzakonshme dhe stilin e jetës të fshatit në zonat më të izoluara të vendit.
Atraksionet e zonës janë të shumta. Burime me ujë të kristaltë rrjedhin nëpër kanione dhe gryka duke përvijuar peizazhin. Ura të vogla prej guri të epokës osmane, të paprekura prej shekujsh, ende kalojnë sipër kanaleve. Kur perëndon dielli, barinjtë çojnë kopetë e tyre në vathë të vogla për t’i mjelë ato.
Dhe si çdo gjë në Ballkan, rajoni është i zhytur në histori.
Kanionet e Nivicës janë një monument natyror, të cilat mbrohen me ligj që nga viti 2002. E megjithatë qeveria në vitin 2012 dha leje për ndërtimin e 5 hidrocentraleve, 2 prej të cilëve u rikonfirmuan edhe pas ndryshimit të qeverive. Banorët e kësaj zone dhe Bashkia e Tepelenës e kundërshtuan projektin që solli edhe anulimin e njërit prej HEC-eve. Vetë banorët janë kundër projektit me HEC-e.
Zbulimi i mrekullive te vendit tone, te fshehura mes maleve, rrugeve te ngushta dhe te pa asfaltuara, tashme pas daljes nga karanina duhet te jete fokusi i se ardhmes dhe axhenda e pushimeve tona. Dashuria per Atdheun ndonjehere nuk eshte vetem ngritja e flamurit ne ndeshjet futbollistike, ajo tregohet edhe brenda vendit. Te hame shqip, te konsumojme shqip, te pushojme shqip dhe ta dashurojme vendin tone edhe brenda trojeve. Ta duam Shqiperine!///
ME SHUME LAJME
PS.Mbledhja e kryesisë përcakton kandidatët për kryebashkiakë. Emrat për Qarkun Vlorë dhe Gjirokastës.
Pranga 54-vjeçarit në Kakavijë. Mijëra euro të padeklaruara në çantë
Ermal Dredha, diplomati që do të kandidojë për kryetar bashkie nga PS në Vlorë