SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

 Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një video të realizuar nga shkolla të ndryshme në 12 qarqet e vendit në 555-vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Rama bën të ditur se duke nisur nga java e ardhshme, çdo të hënë në të gjitha shkollat e vendit, para nisjes së procesit mësimor do të këndohet Himni i Flamurit.

“Dhe me Himnin e Flamurit që këndohet nga të gjithë nxënësit e shkollave sot, në ditën e 555-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti SKËNDERBEUT, si edhe me vendimin që kështu do të këndohet himni në çdo shkollë, në krye të çdo jave të re mësimore, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama në rrjetet sociale.Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Hero Kombëtar i shqiptarëve, strateg dhe burrë shteti i madh, udhëhoqi luftën për liri e pavarësi kundër pushtimit osman, për bashkimin politiko- shtetëror të popullit shqiptar.

Ai personifikon jo vetëm figurën më të rëndësishme të popullit shqiptar, por dhe një epokë të tërë të historisë kombëtare. Figura e heroit tonë kombëtar lidhet më luftën më se njëshekullore kundër pushtimit osman.Lufta e shqiptarëve me në krye prijësin e tyre shënon një kthesë vendimtare në organizim politik të vendit, si dhe në forcimin e bashkimit kombëtar. Pasi çliroi Krujën më 28 nëntor 1443 ngriti flamurin e Kastriotëve dhe më 2 mars të vitit 1444, në Katedralen e Shënkollit të qytetit të Lezhës, Skënderbeu mbajti Kuvendin e Parë Kombëtar. Si drejtues i Kuvendit theksoi domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit të Shqiptarëve. Ai ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar.

Mobilizimi masiv i forcave shqiptare që filloi në Dibër, erdhi duke u zgjeruar në të gjithë vendin, e cila u kthye brenda pak kohëve në një kryengritje të përgjithshme. Brenda muajve të parë u çliruan disa principata dhe pjesa me madhe e trojeve shqiptare.Forcat shqiptare me në krye Skënderbeun fituan një sërë betejash kundër ushtrive osmane, si në fushat e Pollogut, të Dibrës, së Ohrit e të Domosdovës, grykat e luginat e Shkumbinit, fushat e Ujit të Bardhë, të Livadit pranë Ohrit, të Vajkalit etj.

Pas vitesh lufte e rezistencë ndaj pushtimit osman, duke udhëhequr luftën e shqiptarëve për liri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu vdiq më 17 janar të vitit 1468  në Lezhë.Figura e tij dhe lufta që udhëhoqi, u bënë një burim frymëzimi gjatë luftërave për lirinë e pavarësinë e Atdheut dhe sidomos gjatë Rilindjes Kombëtare.///

error:
%d bloggers like this: