SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Alibeaj: Projekti i Portit Turistik të Durrësit, në shkelje të Kushtetutës

 Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj deklaroi se projekti i Portit Turistik të Durrësit është në shkelje të Kushtetutës.Në një deklaratë nga Kryesia e Kuvendit, ai tha se nga ky projekt shqiptarët nuk do të përfitojnë, por do të dalin me humbje.

Kreu i grupit parlamentar të PD, theksoi se kjo është një skemë që ka zero transparencë dhe shton rreziqet për pastrim parash.

“Nga përllogaritjet e bëra mbi dokumentacionin zyrtar rezulton se shteti shqiptar nëpërmjet dhënies së truallit, ndërtesave, përjashtimit nga taksat e ndikimit në infrastrukturë dhe strehimit social, si dhe heqja dorë nga fitimet vjetore të Portit Durrës, heq dorë nga 630 (628.45) milionë euro. Ndërkohë, sipas planbiznesit, në kushte ideale në përfundim të projektit, shteti shqiptar përfiton 280 milionë euro. Pra, diferenca ndërmjet asaj që shteti ofron me atë që merr në këmbim është 350 (348.45) milionë euro humbje””, tha Alibeaj.

Pra, nënvizoi Alibeaj, “shteti shqiptar nuk do të ketë asnjë informacion se si do të ndryshojnë aksionarët e kompanisë mëmë”.

“Është fakt se sipërmarrësi privat ka ofruar vetëm 80 milionë euro nga kapitalet e tij dhe 80 mln euro nga kreditë bankare, pra në total 160 milionë euro, ndërkohë që paratë e tjera thuhet se do sigurohen nga borxhe, kredi apo investime nga të tretë dhe shitjet në fazë projektimi. Se kush janë këta të tretë mbetet e paqartë, por nuk është i largët skenari që pastrimi i parave që po bëhet sot në kullat e Tiranës, të përsëritet në rastin e portit të Durrësit”.

Alibeaj e cilësoi si një aferë korruptive ndërtimin e këtij porti që nuk do të bëjë gjë tjetër, sipas tij, veçse mbylljen e bizneseve të zonës, dëmtimin e bizneseve të ndershme që veprojnë në sektorin e ndërtimit, luhatjet e mëdha në çmimin e pronave të qytetarëve.

Ai ngriti edhe disa pyetje, mes të cilave përse një projekt i tillë nuk i nënshtrohet konsultimit publik dhe se çfarë do të ndodhë me portin aktual.

“Pra, një projekt, i cili do të ketë impakt mbi gjithë jetën e qytetit dhe qytetarëve, pasi do të sjellë mbylljen e bizneseve të zonës, dëmtimin e bizneseve të ndershme që veprojnë në sektorin e ndërtimit, luhatjet e mëdha në çmimin e pronave të qytetarëve, nuk i nënshtrohet një konsultimi publik, pra për të kuptuar se çfarë realisht duan qytetarët e Durrësit dhe sa dakord janë ata me këtë projekt. Çfarë ndodh me portin aktual: Ajo që mungon në dokumentacion e sjellë dhe nuk thuhet asgjëkund është se si do të realizohet transferimi i portit të Durrësit në Porto Romano? Çfarë kosto ka ky transferim? Kush i përballon këto kosto? A do të sjellë kjo kosto të rritura për qytetarët dhe bizneset? Qeveria nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këto pyetje, por ajo që dihet është se vetëm projekti ka kushtuar 10 milionë euro, ndërkohë që zëra të pavarur ekspertësh thonë se transferimi i portit në Porto Romano mund të kushtojë deri në 1 miliard euro. Pra, kush i merr përsipër këto kosto dhe a i ka kalkuluar qeveria shqiptare këto kosto shtesë për realizimin e projektit të Portit të Durrësit?”, shtoi Alibeaj.///

error:
%d bloggers like this: