SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Balluku: 8 milionë euro subvencione për panelet diellore, përfitojnë 20 mijë familje

Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u ndal sot tek analiza vjetore e punës për vitin 2022, ndërsa parashtroi edhe objektivat për vitin 2023.

Gjatë një konference për shtyp, Balluku tha se viti 2022 ka qenë sfidues për të gjithë për shkak të agresionit rus në Ukrainë dhe energjia është sektori më i sfiduar në këtë drejtim.

“Edhe pse e nisëm vitin 2022 me rezervë energjetike të ulët, pavarësisht se jemi përballur me çmime importi historikisht më të lartat ndonjëherë deri në 1044 euro për megavat-orë, duke optimizuar atë rezervë energjetike dhe duke bashkëpunuar ia kemi dalë të mbrojmë 1 milion e 90 mijë abonentë familjarë. Kemi mbrojtur 172 mijë biznese të vogla dhe 7500 biznese të lidhura në tensionin e mesëm me mburojën energjetike sociale që u aktivizua menjëherë për të mos ekspozuar askënd nga konsumatorët”, tha ajo.

Balluku vlerësoi si çelës suksesi në këtë drejtim edhe fushatën sensibilizuese me qytetarët për kursimin e energjisë. Nga kjo fushatë, sipas saj administrata publike uli me 20% konsumin e energjisë nga një target prej 15% që iu kërkua, krahasuar me vitin 2021.

Balluku u ndal te nisma për subvencionimin me 70% të kostos të familjeve shqiptare që kanë dëshirë të vendosin panele diellore.

“Sot fondi është vendosur në dispozicion dhe kemi operative 1040 njësi. Është vërtetuar se 20% e konsumit të faturës është ngrohja e ujit, ndaj dhe në vitin 2023 planifikojmë që ky numër familjesh të arrijë në 20 mijë në total, me një fond prej 8 milionë euro subvencionim nga qeveria”, tha Balluku.

Edhe pse për shkak të pandemisë dhe krizës energjetike janë frenuar investimet në OSHEE, Balluku theksoi se është bërë një punë e mirë dhe është ulur me 1% niveli i humbjeve teknike.

“Gjatë vitit 2023 ne shpresojmë që do të kemi mundësi për të ecur më mirë për sa i përket fushës energjetike, sepse kemi një fakt sot: Këtë vit e kemi nisur me një rezervë më të mirë energjetike, 1200 gigavat, ndryshe nga një vit më parë kur kemi hyrë me 800 gigavat. Skenarët parashikues financiarë janë shumë më optimistë se ato që kishim në vitin 2022”, tha Balluku.///

error:
%d bloggers like this: