SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Balluku: Nuk ka rritje të çmimit të energjisë, as kufizime

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se çmimi i energjisë elektrike për qytetarët shqiptarë nuk do të rritet, ndërsa siguroi se nuk do të ketë as kufizime të energjisë. Gjatë një takimi me administratorët e energjisë, në kuadër të planit të masave për kursim, Balluku u shpreh se një ndër shkaqet pse Shqipëria ka ruajtur nivelin më të ulët të inflacionit në Ballkan, është pikërisht për shkak të mburojës energjetike që u ka dhënë familjarëve, duke mos i ekspozuar përballë çmimeve të çmendura.

Sa i përket fashës 800 kilovat, zv/kryeministrja tha se është e studiuar nga analistët se cili është konsumi i nevojshëm për një familje mesatare me 4-5 pjesëtarë, duke marrë parasysh aktivitetet familjare që kryhen, duke pasur parasysh edhe masat e eficiencës.

“Ne kemi synim të mbrojmë abonentët me çdo kusht. Rritja e prurjeve nga reshjet në shtator dhe ulja e konsumit bëri që të mos aplikohej fasha”, tha Balluku.

Duke ju referuar shifrave, Balluku bëri të ditur se abonentët familjarë po tregohen gjithmonë e më të përgjegjshëm sa i takon kursimit duke ndikuar kështu në uljen e konsumit të përgjithshëm në rang vendi krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Synimi ynë është ulja e konsumit të energjisë. Gjatë këtij muaji ka vazhduar akoma ulja e konsumit të energjisë nga familjarët dhe kjo është shumë e rëndësishme. Sot që flasim, duke e krahasuar me vitin e mëparshëm, me 25 ditët e para të muajit tetor të 2021-shit, jemi në 5% më pak konsum në rang vendi dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme, sepse tregon që njerëzit kanë reaguar”, tha Balluku.

Ministrja apeloi drejtuesit e institucioneve shtetërore të kursejnë energjinë, teksa kujtoi se në Aktin Normativ të miratuar nga qeveria do të ketë edhe penalitete.///

error:
%d bloggers like this: