SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

“Bashkimi” që vulosi ndarjen e opozitës

Nga Mero BAZE

Duket që Sali Berishën nuk e mbajtën më nervat me retorikën e bashkimit. Edhe pse u përpoq t’i kompleksonte deputetët e PD që nuk e pranojnë atë, duke u treguar i “hapur” të pranonte kërkesat e tyre pas kafes së parë të dy negociatorëve, gjithçka u duk e pashpresë. Ilir Meta/Metaj mbeti shpresa e vetme e Berishës. Dhe vrapoi të lidhë publikisht një marrëveshje me të, e cila në thelb i lë Sali Berishës përgjegjësinë e fitores dhe Ilir Metës përfitimet e fitores.

Edhe pse në dukje Ilir Meta/Metaj duket sikur i ka ofruar konsensus Berishës, në të vërtetë ai ka demonstruar mosbesimin tek fitorja dhe ka siguruar që pjesa e tij e pushtetit të mos preket, duke lënë të hapur rrugën që të fusë emrat në listën e përbashkët në atë masë që të diktojë çdo shumicë në këshillat bashkiakë, në krahun e opozitës.

Por përtej kësaj, marrëveshja Berisha- Meta/Metaj efektin kryesor e ka tek konsolidimi i ndarjes brenda Partisë Demokratike. Me këtë vendim të njëanshëm duke pritur frytet e dialogut me PD, Sali Berisha praktikisht bashkoi votat e tij me ato të Meta/Metaj, dhe po përpiqet t’i imponohet krahut tjetër, ose t’i nënshtrohen këtij grupimi, ose të ndahen më vete.

Ata po poshtërohen duke ua bërë fakt të kryer primaret e Berishës dhe kushtet e Meta/Metaj për të. Dhe kjo natyrisht që e konsolidon përfundimisht ndarjen mes Partisë Demokratike dhe Sali Berishës.

Vendimi e bën opozitën tri polare. Në një pol është Berisha- Meta/Metaj, në tjetrën Partia Demokratike ku janë mbështetësit e Lulzim Bashës, dhe pjesa tjetër partitë e vogla të pavarura që nuk dëshirojnë të jenë me asnjë palë.

Përpjekja tinëzarë e Berishës që t’i thithte këto fraksione përmes retorikës së bashkimit dështoi, pasi vet Berisha kuptoi se nuk ishin të gatshëm të pranonin kushtet e tij dhe autoritetin e tij. Dhe atij nuk është se i duhej bashkimi, por nënshtrimi i këtij fraksioni prej tij.

Tani ky shans u dogj përfundimisht. Pavarësisht se cili do të jetë vendimi i Gjykatës së Tiranës për vulën dhe siglat e PD, e sigurtë është se në zgjedhje do të jenë dhe kandidatët e mbështetur nga Lulzim Basha. Ky është produkti i parë i marrëveshjes Berisha- Meta/Metaj.

I dyti natyrisht do jetë humbja në zgjedhje, që sipas kësaj marrëveshje, është përgjegjësi e Berishës. Të tretin e dimë të gjithë. Ai nuk do pranojë humbjen dhe do vazhdojë të shkatërrojë opozitën.///

error:
%d bloggers like this: