SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim me studentë, ku gjatë bisedës me ta akuzoi qeverinë se ka rikthyer kontrollin në universitete dhe bordet e tyre.

Sipas Berishës, në këto 8 vite u ndoq një politikë absolutisht rrënuese për universitetet.

“U rikthye parimi i kontrollit qeveritar i universiteteve nëpërmjet komisarëve, dikur quheshin kancelarë dhe sot quhen administratorë, të cilët nuk veprojnë në përputhje me interesat tuaja, me interesat e pedagogëve tuaj, me interesat e konsolidimit të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, por zbatojnë urdhrat e qeverisë dhe Ministrisë, duke rrëmbyer edhe fondet që krijon universiteti nga burime të ndryshme, përfshirë tarifat tuaja. E njëjta gjë ndodhi me bordet, u emëruan militantë dhe këta së bashku morën atë që quhet liri akademike”, tha ai.

Berisha theksoi se, qeveria trefishoi tarifat dhe sot keni tarifa disa herë më të larta sesa një austriak në Austri.

“Ju paguani tarifa sot së paku 10 herë më shumë seç paguan gjermani në universitetet gjermane, ose sa paguan një shqiptar që shkon në universitetet gjermane. Tarifat që vendosi kjo qeveri për mijëra familje e bëjnë të pamundur të mbështesë fëmijën e dytë për në universitet. Pra, për të kufizuar dhe rënduar barrën për ata që ndjekin janë vendosur pengesa serioze. Janë dy vende me universitete të kushtueshme në Europë, Britania e Madhe dhe Holanda, por që të dyja, në proporcion me të ardhurat familjare, nuk janë më shtrenjtë se universitetet e Shqipërisë”, tha ai.

Berisha foli gjithashtu dhe për protestën e pedagogëve.

“Pedagogët po luftojnë për të mbrojtur universitetet, për të mbrojtur të ardhmen e vendit. Sindikatat kanë bërë një thirrje dhe fatmirësisht ka një reagim shumë pozitiv. Këtyre sindikatave duhet t’u bashkëngjiten studentët në mënyrë të fuqishme. Çfarë keni ju më pak sesa studentët në Kosovë të cilëve qeveria vetëm për krizën u dha 100 euro në muaj subvencion?!” – tha ai.///

error:
%d bloggers like this: