SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Berisha: Mesazhi i 20 shkurtit, sot më aktual se kurrë

 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, pa 20 shkurt, nuk do të kishte triumf të revolucionit demokratik, nuk do të kishte përmbysje me votë të lirë të sistemit komunist.

Në një deklaratë për mediet, Berisha foli për rrëzimin e shtatores së diktatorit, Enver Hoxha me 20 shkurt 1991.

“Diktatorin Enver Hoxha, në konventën e Partive të Qendrës së Djathtë në Evropë, në deklaratën e tyre në Paris në prill të vitit 1991, do ta quanin Hitleri shqiptar i pasluftës. Evropa kishte njohur shumë diktatorë komunistë dhe jokomunistë, por ai që ngjiste si vëlla siamez me Adolf Hitlerin, ishte Enver Hoxha. Me qëndrimin e tij ndaj opozitës, mendimit ndryshe, lirisë dhe të drejtave njerëzore, pronës, besimit fetar, interesit kombëtar, ai paraqitet si figura më e zezë, më negative, më e urryer e kombit shqiptar në tërë historinë e tij. 32 vite më parë, kulti i Enver Hoxhës ishte omnipotent dhe omniprezent në këtë vend”, tha ai.

Në vijim, Berisha shtoi se, “studentët e universiteteve të Tiranës, në një vendim epik, të organizuar nga PD dhe shoqata e tyre, nisën më 17 shkurt të vitit 1991, grevën e urisë, më masivja që ka njohur ndonjëherë Shqipëria, ndër më masivet në historinë e grevave të vetëflijimit në Evropë dhe botë”.

“Qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë, të thirrur nga PD dhe sindikatat, vërshuan nga të katër anët dhe mbushën si kurrë ndonjëherë, Qytetin Studenti në çdo rrugë e shesh të tij. Nga ky qytet, të ftuar nga artistja e mirënjohur Rajmonda Bulku, nën thirrjet: Te sheshi, te sheshi, masa qindmijëshe, më shumë, u derdh drejt qytetit të Tiranës dhe sheshit Skënderbej. Përmbysi në ora 2 e 24 minuta, shtatoren e njeriut që kishte zhytur vendin në shtypjen, izolimin, varfërinë më të thellë. Kjo datë, ishte data në të cilën PD-ja u shndërrua në parti të vërtetë opozitare. Kjo datë, ishte data në të cilën, guximi masiv dominoi mbi frikën dhe terrorin masiv. Kjo datë, ngjarje kulmore e revolucionit të vitit 1991, bëri të mundur triumfin e këtij revolucioni”, tha ai.

Duke folur për situatë aktuale politike, Berisha tha se, rrugë tjetër, aty ku vdes vota, përveç revolucionit, nuk ka.

“3 marsi është ditë kushtrimi. 20 shkurti frymëzon shqiptarët, më shumë se çdo gjë tjetër,  të ngrihen në një revolucion. Se vetëm nga një revolucion mund të përmbyset ky regjim që shkelmon votën, që shkelmon liritë, vjedh pasuritë, vjedh buxhetin, që nuk njeh normë, moral e ligj.Ata që e duan këtë vend, duhet të bashkohen me këtë revolucion. Nuk dihet t’i trembë fjala revolucion, përkundrazi duhet t’i thërrasë ndërgjegjes së tyre se rrugë tjetër aty ku vdes vota, përveç revolucionit, nuk ka. Ndaj dhe ftoj të gjithë shqiptarët të bashkohemi në këtë revolucion, të vazhdojmë betejën tonë deri në fitoren e plotë të tij”, tha ai.///

error:
%d bloggers like this: