SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Bomba “lodër” e Timo Dukës…

Nga Vasil ÇAPEQI

Më 8 mars të vitit 1967 në Senicë plasi aksidentalisht një bombë, e cila do të personifikonte më pas fatin tragjik të saj. Timo Duka tetëvjeçar, po luante me bashkëmoshatarë të tij. I gjendur në një ferrë, Timua dalloi një objekt të vogël shumëngjyrësh. Kurreshtar, ai e mendoi si lodër, që fati po i bënte dhuratë. Dhe filloi të luante me të seriozisht, siç di të bëjë një fëmijë. Flaka e shpërthimit i fiku përjetë sytë e Timos dhe forca e shpërthimit i shkuli nga trupi dorën e djathtë.

Një ushtar i Luftës së Dytë Botërore, ndoshta në ikje e sipër, e pati lënë këtë granatë dore në ferrë. Për të zezën e Timos, i cili u detyrua të zëvëndësonte shikimin me mprehjen e kujtesës, duke rregjistruar me saktësi milimetrike vendosjen e gurëve në sokakët e lënë pas dore të Senicës. Shkopi zëvëndësoi dorën e cunguar, zërat që dëgjonte në familje dhe në rrrugë e informonin për çka ndodhte në fshat dhe nëpër botë. Ai dëgjoi se kishte ardhur edhe në shtëpinë e tij televizori, i cili i shërbeu vetëm për të zhvilluar imagjinatën.

Koha kalonte dhe në fillim të viteve ‘90, Timua tridhjetëvjeçar, po ndjente se një lloj tjetër bombe, pa flakë e gjëmim, po binte në fshat. Ai dëgjonte gjithmonë e më pak zëra njerëzish rreth vetes. Kur pyeti se ç’u bë filani e fisteku, i thanë se kishin shkuar të jetonin në Sarandë apo më larg, në Greqi e deri në Amerikë. Ikja preku edhe familjen e tij, derisa një ditë, u gjënd banori i vetëm i Senicës, i verbër dhe fillikat me shkopin e tij. Vetë zot, vetë shkop. Halli e bëri Timon të plotfuqishëm jo vetëm për jetën e tij, por edhe për vëndbanimin e tij të shkretuar.

“Atë që s’na e bëri dot Turqia, na e bëri demokracia”- do të shprehej Timua. Historiku i fshatit ringjalli te ai Gjik Gjinin, kryeplakun e dikurshëm të Senicës, i cili në pranverën e vitit 1810, megjithë torturat që pësoi, nuk iu dorëzua Sulltanit për të ndërruar fenë. Fati e caktoi Timon që të mbante gjallë frymën e fundit të Senicës, ashtu si paraardhësi i tij kishte ruajtur besimin.

Gjatë rrjedhës së historisë, i verbëri ka ngjallur herë tmerr e hutim dhe herë admirim.

Edipi Mbret është personazhi më i lemerishëm, që vjen nga mitologjia greke. I thirrrur në Tebë, në vëndlindjen e tij të goditur nga murtaja, për të gjetur se kush ia kishte vrarë babain Laios, ai bën zbulimin e llahtarshëm se vrasësi është ai vetë. Se i kishte marrë edhe gruan, duke u bërë, pa e ditur, burri i nënës së vet. Vetëdija e tij e damkosur e shtyu Edipin që t’i nxjerrë sytë vetes…

Shkaqet shoqërore të verbimit janë të ndryshëm. Më të shpeshtët janë ndëshkimi i një mëkati ose dënimi penal…

Timo Duka është rast unik. Prindërit e tij, Tata dhe Mëmë Ngjelua, ishin të krishterë të devotshëm, njerëz të shëndetshëm fizikisht dhe me shpirtin qelibar. Fati humbi rrugën me Timon, fati u verbua kur e bëri atë viktimë pafaj të bombave.

Por gjatë historisë, i verbëri ka ngjallur edhe admirim, duke filluar nga Homeri, Galileo Galilei, mbreti i Hungarisë Bela i Dytë në vitet 1131-1141 dhe deri te këngëtarët e kohës sonë: Andrea Boçeli dhe Stevie Wonder…

Timo Duka nuk kërkoi famë, ashtu sikurse nuk lypi mëshirë. Ai u rezistoi të gjitha sprovave që përshkruan Homeri te “Odisea”. Ai u vu në kushte të jetesës ekstreme, por, ashtu si Galileu mbi turrën e druve tha për Tokën: ”eppur si muove-megjithatë rrotullohet”, Timo Duka dëshmoi se “jeta jetohet” sido që të vijë. Timbri i kulluar i zërit të tij do të mbetet përgjithmonë forcë dhe shpresë për njerëzit në nevojë.

Jam i sigurt se brezat e ardhshëm senicjotë do të nxjerrin një shkrimtar si Zhyl Verni, që shkruajti “Udhëtim në qendër të tokës”. Jeta e Timo Dukës përmban të gjitha argumentet shoqërore, shkencore dhe letrare për të depërtuar në thelbin e jetës së njeriut.

Timo Duka sot ka kapërcyer të gjashtëdhjetat, duke luftuar çdo ditë me fatin, për më shumë se një gjysëm shekulli. Një nevojë e brendshme, e pakontrolluar, më shtyn të kërkoj një milimetër vënd në shkopin e tij…

…DHE “LODRAT BËRTHAMORE” TË VLADIMIR PUTINIT

Viti 2022, që sapo kemi lënë pas, do të mbetet në histori për “lodrat bërthamore” të Vladimir Putinit. Ai është pasardhësi i princit të Moskës Ivani i IV, i cili u vetëshpall Cari i Parë i Rusisë më 16 janar të vitit 1547, i mbiquajtur “Ivani i Tmershëm”. Për aktet e tij të shtypjes në masë, themelilmin e “Opritçina-s” një mbretërie terrori, për aftësinë e tij shpikëse të metodave të ndëshkimit dhe hakmarrjes, për shkopin e tij metalik, me të cilin vriste edhe fëmijë. Putini e ka ndarë mëndjen që të ringjallë Carin e Parë.

Pa u zhdukur mirë virusi i padukshëm COVID-19, i cili me maskat që imponoi në çdo cep të globit, e bëri Tokën t’i ngjajë një fshati të vogël si Senica, në muajin shkurt 2022, Vladimir Putini u shfaq me 5977 koka bërthamore në brez. Në ditët e para të luftës në Ukrainë, më datën 28 shkurt 2022, Putini urdhëroi vënien në gjëndje alarmi të arsenalit ushtarak rus, duke kërcënuar për herë të parë njerëzimin me armët atomike. Ai hyri në histori si terroristi më i madh i të gjitha kohërave.

Për të justifikuar vendimin e tij, Putini përmendi si precedent bombardimet amerikane në muajin gusht 1945 mbi Hiroshima dhe Nagasaki. Sikur bombat bërthamore t’i kishte gjetur diku nëpër ferrat e Luftës së Dytë Botërore dhe se është e drejta e tij të luajë me to…

Fati i bashkëfshatarit tim Timo Duka më mundëson që të kuptoj mirë “lodrat bërthamore” të Vladimir Putinit, i cili nuk e ka për gjë ta përfytyrojë veten si Cari i Fundit mbi tokë. Por unë nuk dyshoj për asnjë çast se populli i madh rus do ta flakë në ferrat e historisë këtë kamikaz, spiun dhe agjent të djallit vetë, i cili guxon të kërcënojë me asgjësim planetin tonë të lashtë.

Shqetësimi im primar është se po harrohet Hiroshima dhe Nagasaki ku, sa hap e mbyll sytë, u vranë 115 mijë njerëz, se në qendër të kraterit të shpërthimit të Hiroshimës do të qëndrojë e ndezur një flakë, derisa të zhduket edhe bomba e fundit bërthamore, si e keqja absolute e njerëzimit.

Si ka mundësi që nk flitet sot kundër çarmatimit total bërthamor? Shpirti im vajton për fëmijët, gratë dhe burrat e Ukrainës, që verbohen dhe vriten nga bombat ruse. Por nuk mund të pranoj se vetëm bombat e Putinit janë të këqija dhe të tjerat duhet të ruhen dhe të shtohen.

Nuk pranoj t’u gëzohem bombave të NATO-s, sepse ngjyra dhe gjuha e bombave është vetëm një, ajo e vdekjes së botës.///

error:
%d bloggers like this: