SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Bukëgremisurit, “hakmarrja” dhe “anonimët” që të kallin krupën!

Nga Kristo MERTIRI

Duke diskutuar pardje në një grup miqsh, folëm edhe për emrat e paemër, anonimët e përjetshëm të letrave anonime. Ato u nxinin jetën njerëzve të thjeshtë e të ndershëm, si në monizëm dhe në pluralizëm. Dhe kujtuam edhe një episod me Thoma Lacin e mirë e zemër llagar, në Tepelenën time të dashur.

Shumica e thërriste Come, si në vendlindje dhe nëpër fshatrat e rrethit ku punoi e drejtoi. Babai ynë e donte si djemtë e vet. Shkonin e vinin bashkë nga qyteti, me hënë e pa hënë, udhë e pa udhë, për të qenë korrekt me punët e shtetit.

Më vonë, kur u vendos familjarisht me shtëpi në qytet, me një karvan fëmijë, Comja po drejtonte sektorë të rëndësishëm të financave e deri kryetar i kooperativës së bashkuar të Dragotit me 6-7 fshatra. Dhe nuk abuzoi kurrë me postet.

Sa shumë e deshi Tepelena atë plakë të fortë, sedërqare, të zgjuar e aspak qaramane përballë halleve ekonomike. Edhe drutë e zjarrit për dimër, i siguronte buzë Vjosës që lëshonte shpesh kërcunj e drurë. Ndryshe, si do visheshin fëmijët kur të shkonin në shkollë e si do mbushej sofra e bukës tre herë në ditë ?! Por…një mbrëmja hyri në shtëpi i trishtuar e jo pak i dëshpëruar.

Një ditë më parë e kish zënë darka në Damës a në Mezhgoran. Ku do gdhihej ? Qiellit nuk i numëroje dot as yjet. Errësirë pus. E ftuan me këmbëngulje te një shtëpi, ku i zoti kishte patur një vëlla partizan dhe tjetrin ballist. Ashtu pa qibër e pa u lëkundur nga zbutja e “luftës së klasave”, ishte ulur këmbëkryq.(Afërsisht kështu kishte vepruar edhe me Agimin e Bajram Baros (shoku ynë i klasës, nxënësi më i mirë) që bëri mbi një vit burg në Sarandë e Tiranë dhe nuk e kllaposën dot nëpër frëngjitë e krokolepsura të “grupit të Teme Sejkos”. Por Comja, pas shumë peripecive, arriti ta conte në kurse të posacme shtetërore për t’u bërë topograf). Sigurisht, e pritën sic pritet miku i vecantë në ato dyer bukëpritëse. Nuk e di saktë se c’farë mund të kenë therur të zotët e shtëpisë atë natë tragjikomike, ndonjë qengj, kokosh apo pulë.

Qëndruan zgjuar deri vonë, duke biseduar për familjen, fshatin e gjer për qeverisjen lokale a qendrore. Të nesërmen në mëngjes, kur po takohej me të gjithë e do kthehej për në Tepelenë, i zoti i shtëpisë e përcolli i fundit, me një zarf të mbyllur në dorë. Iu lut t’ia jepte personalisht njërit prej drejtuesve kryesorë në rreth. Dhe “porosinë” ia mbaroi në kohë. Kur kishin kaluar jo shumë minuta, e kërkojnë urgjent në zyrën e atij që mori zarfin.

“More Come, pa lexoje një cik letrën që më prure nga baza…”. Një fytyrë po i ikte dhe një po i vinte. Po i dridheshin duart. Mërmërinte me veten. Akuzohej drejtpërdrejt si “zbutës i luftës së klasave” dhe për ngrënie drekash e darkash ! Për atë kohë, nuk ishte akuzë e vockël e pa peshë. Përkundrazi. Të ikte pa një pa dy aveniri yt dhe i fëmijëve. Hidhësirë e fyerje të tillë, tepër rrallë mund të ketë provuar në jetë. Sinqeriteti dhe bardhësia e tij shpirtërore, nuk e mbanin dot atë ngarkesë djallëzore e të pamerituar.

Dihej, do të mblidhej menjëherë organizata e partisë ku bënte pjesë, do debatohej e do merreshin masa “disiplinore” ekstreme. Doli i tronditur nga selia e rrethit dhe nisi një shëtitje vetmitare përkrah murit shekullor të kalasë së Ali Pashës. Nuk po ngopej me ajrin dhe erën e njohur të Tepelenës.

Ndoshta ka kuvenduar gjatë me veten. Kur po kthehej në qendër, ngadalësoi hapat, nxorri portofolin dhe u drejtua si me nxitim te Posta. Shkoi te sporteli ku merreshin dhe dërgoheshin paratë e qytetarëve. Plotësoi një faturë me emrin dhe mbiemrin e të zotit të shtëpisë ku bujti një natë më parë, dha një sasi lekësh nga xhepi dhe iku i rrethuar nga heshtja sa një mal. Tashmë dukej paksa i cliruar moralisht. Kjo ishte “hakmarrja” e rrallë e Thoma Lacit ndaj tinzarëve e të pabesëve pa din e iman. Ai ka mbyllur sytë përgjithmonë, por ky episod gati i pabesueshëm,rrëfehet sot e kësaj dite si model ndershmërie e burrërie…

Sepse mjaft letra në qendër a në rreth, të bënin realisht gjëmën. Sidomos ato anonimet, ku zbrazeshin pa hesap përrenj të pistë hipokrizie e karaktere të fëlliqura. Ata që përmbysnin deri edhe bukën e kupën, fërkonin duart si kacakët e ferrave. Unë i kam urryer e i urrej këta të palyrë që fshiheshin e fshihen pas parimeve, aq më tepër kur mashtronin ditën në diell ! Njerëz që të shesin e të blejnë xhaba, si matrapazë të thekur. Sepse historikisht, dredharakët, ethebutët e neveritshëm dhe të djallëzuarit flasin me bërryl, gjuajnë pas gardhit e nëpër hije e skuta zyrtare. Fjala vjen, deti i pseudonimeve në internet, nëpër gazeta, pordhale, facebook etj., mendoj se është një llahtarë e vërtetë jashtëqitjesh psiqike e fizike.

Se jo cdo ndryshim është medoemos një përparim,-do thoshte pendëhali Konica. Dhe kur ndodh ky vërshim ? Në një kohë kur i biem gjoksit për një nga fitoret më të mëdha “demokratike”: Liria e Fjalës dhe e Mendimit. Vërshimin e përditshëm të këtij deti katrahurë, nuk besoj ta ketë parë ndonjëherë vendi ynë. E thosh bukur filozofi i politikës shqiptare, Arbën Xhaferi, “për ca gjëra kishte të drejtë Diktatura” !…

Jeta ime e gjatë si gazetar profesionist, më mësoi shumë, dje dhe sot. Në Labëri më tregonin se dënimi më i rëndë për njeriun është “vrasja me bukë në gojë”. Të përmbysësh edhe bukën edhe kupën, nuk lidhet thjesht me vajtjen e kafshatës pas kurrizit.

Dhe as hedhje e zakonshme për lojën e kupave nëpër letrat e bixhozit ! Dhe as ato kupat prej qelqi që u hidhen në shpinë atyre që kanë marrë të ftohtë. Aq më tepër atyre kupave sportive, të festivaleve etj. Si gazetar, letra e parë që shkoi me tërsëllëmë lart në Kryeqytet për mua, ishte nga Tepelena ime e dhembshur që na rriti, na seliti e na nisi udhëve të Atdheut(theksoj se autori nuk ishte me origjinë andej).

Kisha botuar një shkrim kritik për Tregtinë që lidhej cdo cast me shërbimin ndaj popullatës në qytet e në fshat. Mirëpo, unë i njihja gati të gjithë drejtuesit e ndërmarrjes.

E mbarova shkrimin natën në hotel dhe në mëngjes do e nisja në zarf dorazi . Kur po hyja në restorant që të haja dicka, u ndodha ballë për ballë me drejtorin e ndërmarrjes. E ftova në tavolinë dhe iu luta t’i hidhte një sy shkrimit taze problemor e djegës me frymë kritike.

Gjithnjë me mendimin e mirë se mos e kisha “shkelur” diku(Veprim që nuk e bëra kurrë më!). Pranoi ta lexonte si me përtesë dhe në fund e pyeta për ndonjë sugjerim a vërejtje. “Nuk kam asgjë, është në rregull”,tha dhe u ngrit për tu larguar.

Atë ditë që u botua shkrimi në gazetën “Bashkimi”, ku ta dija unë se letrën e parë për mua në majë të “Olimpit”, e kish nisur dora vetë, drejtori i ndërmarrjes(?!). Mos vur po deshe duart në kokë ! Ai që i dhashë “bukën” time të përditshme për ta shikuar ose shijuar…Më thirrën urgjent në Tiranë. Drejt e në mbledhjen e Kolegjiumit, ku zakonisht ndonjë skifter i egër priste në pusi krëhëhapur për të sulmuar pa mëshirë viktimat.

Tamam sikur u kish ngrënë gomari bukën ! Por vështirë të shpëtoja minimalisht pa një masë ndëshkimore.

Megjithse ndonjë karakter i deformuar ngeli me gisht në gojë. Sapo rrëfeva “bamirësinë” time të parë dhe të fundit me drejtorin e ndërmarrjes, tavolinat e Kolegjiumit hijerëndë po kërcisnin.

“Kjo nuk ndodh asnjëherë me shkrimet kritike, ngritën zerin kolegët dashamirës(historinë e plotë mbase do e tregoj herë tjetër). Kryeredaktori mbylli dosjet bashkë me letrat jo pa shenja nervozizmi dhe deklaroi se mbledhja do të mbetet “e hapur”. Ashtu mbeti sot e gjithë ditën. Si flakë kashte. Të nesërmen u ktheva në “vilajetin” e korrespondentit në Jug…

Por buka e thyer nuk u ngjit më!///

error:
%d bloggers like this: