SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Çështja McGonigal, Rama: Asnjë implikim timin ose të ndonjë zyrtari të shtetit shqiptar në aktakuzë

Kryeministri Edi Rama i pyetur mbi aktakuzën lidhur me hetimet ndaj ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal tha se, nuk ka asnjë implikim të tij apo të ndonjë zyrtari të lartë apo të ulët të shtetit shqiptar.

Rama theksoi gjatë një interviste televizive se, “madje dhe personi A dhe B nuk janë nën ndonjë akuzë siç lexohet nga aktakuza. Pra këtu nuk ka asnjë çështje sepse po të kishte çështje do ta hapnin ata që nuk falin as presidentët dhe ish-presidentët e tyre”.

I pyetur nëse ka folur me zyrtarin e FBI-së dhënie koncesionesh të oligarkëve rus apo bizneseve ruse, kryeministri tha se, “kemi folur për influencën ruse kemi folur për mënyrat e penetrimit të tyre. Por nuk ka folur ai me mua në asnjë rast për asnjë lloj biznesi në funksion apo në favor të personave të tjerë”.

Rama tha se, “unë kam takuar presidentin Trump, të cilit FBI i hyri në shtëpi para disa kohesh, i cili ka qenë nën investigim nga FBI për një kohë shumë të gjatë. Kam takuar presidenti Biden, ku FBI i hyri në shtëpi para disa ditësh. Kjo është një punë e drejtësisë amerikane dhe unë zyrtarin e lartë të FBI-së, shefin e kundërinteligjencës së FBI-së, nëse më vjen po me këtë funksion me një emër tjetër dhe më kërkon takim, do ta takoj prapë.  Nëse me jepet mundësia të shkoj në zyrat e FBI-së me ftesë të tij do të shkoj prapë dhe nëse më krijohen kushtet që të pi një kafe me ose të ha një darkë në Shqipëri apo Amerikë do ta bëj prapë. Aktakuza nuk thotë asgjë, lidhur me ndonjë implikimin timin, jo e jo. Aktakuza nuk flet fare për asnjë lloj korrupsioni të askujt, as të atij vetë në rastin konkret, flet për mosdeklarim, mashtrim e ku di unë”.

Kreu i ekzekutivit shtoi se, “unë s’kam asnjë lloj arsye të ndjehem keq, realisht se në çfarë katandie është politika jonë e përditshme për shkak të atyre opozitave që nuk dinë ku kanë kokat e nuk dinë ku t’i shtrin këmbët dhe deri ku shkon paturpësia politike për të marrë zvarrë elektoratin duke ju servirur një gënjeshtër që është e një monumentaliteti vërtetë unikal. Ata nuk meritojnë më përgjigjet e mia. Jam shumë i keqardhur që duke qenë shumë i disponueshëm për të qenë i përfshirë për tu dhënë përgjigje, duke bërë debat pra ata nga unë kanë marrë gjithçka që mund të merrnin dhe unë nuk kam më gjë për ta”.

Se pse emri i tij përmendet në aktakuzë, ai u përgjigj se, “për arsyen e thjeshtë që unë dhe ai jemi takuar. Unë besoj se në fund fare rasti është përkufizuar si një rast mosdeklarimi borxhi dhe mashtrimi dhe mosdeklarimi takimesh, jo me mua po me takime me gjithë ata  të tjerët që ka takuar nëpër Ballkan, sepse nuk vinte në Shqipëri enkas dhe të rrinte e të ikte në Amerikë. Ai vinte në Shqipëri, shkonte në Kosovë, Mal të Zi, Bosnje, pra puna e tij”.

I pyetur për kompanitë që përmenden në aktakuzë Rama tha se, “kompanitë për të cilat flitet janë kompani që kanë marrë peshqeshe dhe kontrata direkte nga qeveria e mëparshme dhe që në rastin e qeverisë tonë nuk kanë marrë asnjë lloj kontrate”.

Rama theksoi se, “qeveria jonë s’ka bërë asnjëherë asnjë peshqesh për asnjë lloj kompanie duke dhënë fusha nafte pa garë, kemi bërë gara ndërkombëtare për çdo fushë. Pra dhe kjo është një flluksë e jashtëzakonshme, shumë e madhe sepse nëse ka kërkime për të bërë mbi origjinën e kompanive mbi lidhjet e tyre, sesi kanë hyr e kanë dalë në tregun tonë ato mund ti bëj cilido që ka durimin ti shkojë në gjenezë këtij historiku dhe do të gjejë kompani që kanë marrë peshqeshe, që kanë marrë dmth peshqesh copa Shqipërie pa garë nga qeveria e mëparshme, dmth ajo para 2013”.///

error:
%d bloggers like this: