/ATSH-/Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot masat e marra nga qeveria si të duhurat, ndërsa u shpreh se “vendimi për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore është mëse i drejtë, në mënyrë që jo vetëm të mbrohet shëndeti i çdo shqiptari, por edhe interesi i shtetit në një plan afatgjatë”.
Në një intervistë televizive, Meta tha se “paketa ekonomike e propozuar nga qeveria është tërësisht pozitive, pasi sjell mundësi për të bërë veprime të shpejta për të përballuar pasojat ekomomike në këtë situatë”.
Meta foli edhe për diskutimet në Këshillin e Sigurisë Kombëtare sa i përket situatës së krijuar në vend nga COVID-19.
Ai shprehu besimin se kjo situatë e pazakontë është tërësisht e menaxhueshme nëse secili do të bëjë detyrën e tij, për të ruajtur shëndetin e tij, të familjarëve dhe fqinjëve.
“Kjo mbledhje synonte realizimin e një vlerësimi për situatën dhe për përmirësimin e mekanizmit reagues, me qëllim minimizimin e pasojave për qytetarët dhe të gjitha efektet në ekonominë kombëtare, familjare dhe të drejtat e çdo qytetari”, tha Meta.
Ai shprehu bindjen se uniteti politik në këtë moment do të ishte imuniteti më i mirë për të shpëtuar nga ky virus dhe rreziku që përbën për çdo qytetar.
“Në këtë drejtim uniteti, që për mua ekziston, vetëm duhet përforcuar, të gjithë bëjnë përpjekjet e tyre, që nga qeveria që ka përgjegjësitë më të mëdha, përfshirë Bankën e Shqipërisë dhe padyshim edhe opozita, që është e përfshirë me idetë, qoftë dhe kritikat. Qëllimi është për të inkurajuar energji pozitive dhe për të dhënë mesazhe bashkëpunimi dhe optimizmi tek qytetarët. Duke i ndërgjegjësuar të gjithë shqiptarët se secili prej tyre e ka për detyrë të japë kontributin e vet në këtë betejë, të dëgjojnë dhe të zbatojnë mesazhet dhe këshillat e autoriteteve. Jo vetëm të mos dalin në rrugë, por edhe brenda familjes, pasi bëhet fjalë për të mbrojtur shëndetin e tij dhe familjes dhe ekonominë tonë kombëtare dhe familjare”, tha ai.//R-SR//
ME SHUME LAJME
Ujë nga “Syri i Kaltër” në Delvinë për ta dërguar në Pulia.(Itali)
Sarandë. Zhvillohet takimi i Taskforcës për turizmin në kryesimin e Prefaktit Mamaj
Maji shton turistët në Kalanë e Gjirokastrës