SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Pandemia globale e koronavirusit që ka sjellë kufizime të mëdha në transportin ndërkombëtar dhe udhëtimet brenda vendit, pritet të ketë një efekt negativ për industrinë e turizmit në Shqipëri, e cila nuk e kishte marrë akoma veten nga dëmet e shkaktuara nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit.

Përballja e Shqipërisë dhe e vendeve të tjera me pandeminë e koronavirusit pritet të sjellë kosto për ekonominë dhe në mënyrë të veçantë për industrinë e turizmit në Shqipëri, e cila nuk e ka marrë akoma veten nga dëmet dhe humbjet që u shkaktuan nga tërmeti vdekjeprurës i 26 nëntorit.

“Ardhja e koronavirusit solli një tërmet të dytë dhe më të fuqishëm se sa tërmeti i parë”, shprehet Eduart Xhepa, kryetar i Shoqatës së Turizmit në Durrës. “U anuluan të gjitha rezervimet që ishin në Durrës dhe në Shqipëri”, shtoi ai.

Edhe pse operatorët shprehen se prenotimet për sezonin veror nuk janë anuluar akoma, ato nënvizojnë se vetëm një zhdukje e shpejtë e pandemisë me rritjen e temperaturave do ta shpëtonte sektorin nga katastrofa.

Të mërkurën tre shoqata që përfaqësojnë operatorët turistik i dërguan një letër kryeministrit Edi Rama, duke i bërë në panoramë të detajuar të pasojave negative që ka sjellë përhapja e pandemisë për këtë sektor dhe duke i kërkuar qeverisë që të miratojë një paketë ndihme për të shpëtuar industrinë nga falimentimi dhe efektet negative që kjo do të sillte për punësimin në Shqipëri.

KORONAVIRUSI “INFEKTON” TURIZMIN

Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli të mërkurën për herë të parë shpërthimin e koronavirusit si pandemi, shkalla më e lartë e alarmit mjekësor në botë. Deri më tani sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë nga virusi janë prekur 118 vende, me 124.518 raste që kanë rezultuar pozitivë, prej të cilëve 4607 persona kanë humbur jetën.

Durrësi është qyteti më i madh turistik në vend dhe mban peshën kryesore të vizitorëve të huaj. Sipas përfaqësuesve të subjekteve turistike në Durrës numërohen rreth 50 struktura hotelerie të kapaciteteve të mëdha, ndërsa strukturat akomoduese më të vogla janë rreth 700.

Rezervimet e udhëtimeve turistike drejt Shqipërisë, ashtu si në shumë vende të botës janë vendosur në pikëpyetje pas përhapjes së koronavirusit. Efektin më të madh e kanë ndierë rezervimet në muajin mars dhe prill, por që sipas operatorëve turistik kanë qenë në numër të vogël në Shqipëri.

“Ka pasur shumë pak rezervime këto kohë sepse që kur u përhap në Kinë, njerëzit kanë pasur një interes të ulur”, shpjegon për BIRN Edmond Basho, drejtues i filialit të agjencisë turistike “Albtours D” në Durrës. “Është një trend që ka nisur në rënie që nga dhjetori kur doli virusi dhe tani është bllokuar totalisht”, shton ai.

Sektori i turizmit në vend po goditet nga një valë e dytë humbjesh brenda një periudhe 3 mujore. Qeveria shqiptare pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, përllogariti për turizmin dëme në vlerën rreth 17 milion euro dhe rreth 74 milion euro humbje.

Turistët e huaj që vijnë në Shqipëri, përveç shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia, përqendrohen kryesisht në sezonin veror dhe vijnë në përgjithësi nga Europa Veriore dhe më specifikisht nga vende si Polonia, Çekia, Ukraina dhe Suedia. Ndërsa turistët që vijnë për ture kulturore janë kryesisht gjermanë, italianë dhe nga vendet skandinave. Vitet e fundit vendi ynë është parë si tërheqës edhe për shumë turistë nga vendet aziatike, si Kina apo Japonia.

Prekja e këtyre vendeve nga virusi vdekjeprurës dhe masat e marra së fundmi në Shqipëri po paralizojnë industrinë e turizmit në vend.

“Kjo është periudha që vinin operatorët turistik dhe shihnin muzeun, monumentet dhe planifikonin vizitat, ndërsa tani muzeu dhe monumentet janë mbyllur deri më 3 prill”, u shpreh Alban Ramohitaj, drejtor i Qendrës Muzeore Durrës.

Sipas Eduart Xhepës anulimi i rezervimeve për shkak të virusit dhe humbjet e sektorit do të sjellin pasoja negative për punësimin në Shqipëri.

“Ajo që na shkon ndërmend në këtë lloj situate është numri i madh i punonjësve, të cilët automatikisht mbesin pa punë”, u shpreh ai.

Ditën e mërkurë tre shoqatat e turizmit në vend i dërguan qeverisë një letër informuese mbi situatën e krijuar në sektorin e turizmit dhe masat e nevojshme që duhen marrë. Në letrën që BIRN disponon, shoqatat njoftojnë për një kolaps total në sektorin e turizmit.

“100 % janë anuluar të gjitha lëvizjet e planifikuara nga 25 shkurti, e deri në fund të muajit prill. Tashmë kanë filluar anulimet për në vazhdim, në maj e qershor”, parashtron letra dërguar qeverisë, duke renditur në 12 pika ndihmën që operatorët kërkojnë nga qeveria për një periudhë 2-6 mujore, për të shmangur sipas tyre falimentimin e hoteleve si pasojë e mungesës së likuiditetit.

Letra kërkon pezullimin e pagesës së tatim-fitimit, subvencion për pagesën e sigurimeve shoqërore, subvencionim me 50% të pagës së punonjësve, pezullimi të pagesave për energjinë elektrike, ujin, taksave vendore dhe asaj të pronës, shtyrja e deklarimit të bilanceve dhe kërkesa të tjera që lidhen me operimin e sektorit të hotelerisë.

Duk pasur parasysh krizën që po sjell në sektorin e turizmit përhapja e koronavirusit, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Alban Isteri, nënvizoi se është e rëndësishme që qeveria paralelisht me masat që do të marrë për kufizimin e aktiviteteve të përditshme, të ofrojë dhe një paketë me lehtësira financiare.

“Për shembull në rastin e Italisë, aty ku janë shpallur zonat e kuqe, është nxjerrë një paketë financiare dhe janë pezulluar taksat”, krahason Isteri. “Ndërsa në Shqipëri vjen policia dhe të thotë mbylle dyqanin, por ndërkohë nuk i ka pezulluar taksat dhe logjikisht duhet t’i pezullojë sepse nuk po të lë të punosh”, shton ai.

 SHPRESË NGA RRITJA E TEMPERATURAVE

 “Në Shqipëri rreth 25 % e shtetasve të huaj vijnë në muajin gusht”, deklaron Instituti i Statistikave.  Nga shtetasit e huaj që hyjnë në vendin tonë, 4 nga 10 persona vijnë për pushime. Muajt e nxehtë të verës janë kryefjala e përfaqësuesve të turizmit këto ditë.

“Sipas informacioneve ky është një grip që nuk i reziston verës dhe kjo e bën situatën pak më optimiste”, tha Edmond Basho.

Sipas operatorëve sezoni turistik në Shqipëri kufizohet kryesisht në periudhën midis muajit maj dhe tetor. Me sytë drejt termometrit që të shënojë rritje të temperaturave, kompanitë e udhëtimit për rezervimet e pushimeve verore i kanë ofruar mundësinë klientëve që në qoftë se situata do të vazhdojë, anulimet të bëhen më vonë dhe ato do të rimbursohen 100 %.

“Deri më tani nuk kemi asnjë informacion nga partnerët që të kenë bërë ndonjë anulim të rezervimeve që të vijë si rezultat i Koronavirusit”, shpjegoi Vasil Luadhi, përfaqësues i kompleksit turistik “Diamma Resort”, në Durrës.

Në këtë periudhë resortet turistike në Shqipëri që presin edhe grupet e organizuara të turistëve janë në fazë parapërgatitore.

“Do shohim deri në maj se si do të shkojë situata sepse nëse deri në maj do të ketë anulime të rezervimeve, do të ketë efekte negative”, shton Luadhi.

Edhe Eduard Xhepa është optimist për sezonin veror nëse pandemia e koronavirusit zhduket brenda muajit prill.

“Nuk janë bërë anulime për rezervimet e sezonit veror por varet se si do ecin gjërat,” tha ai. “Shpresojmë që situata të mbyllet brenda marsit apo brenda prillit,” përfundoi Xhepa

 Geri  EMIRI, BIRN-ALBANIA

error:
%d bloggers like this: