SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Nga Dritan Hila

Ka dy ditë që për të zhvlerësuar operacionin diplomatik të Ramës, kundërshtarët e tij kanë nisur të gërmojnë në arkiva nëse infermierët kanë diploma apo nëse janë të kualifikuar për këtë punë.

Si shkas kanë marrë deklaratën e drejtorit të Spitalit të Breshias, i cili në fakt ka një përgjegjësi të madhe për infektimet masive që iu bë trupës së tij mjekësore dhe për të cilat është më përgjegjës se diplomat e trupës shqiptare.

Vështirë se ky drejtor ka kontrolluar diplomat e mjekëve rusë apo infermiereve kubaneze. Se ku e ka hallin me shqiptarët apo ka ndonjë hall të tij, kjo është punë e administratës sanitare italiane. Por në asnjë vend nuk kontrollohen kualifikimet e atyre që të vijnë për ndihmë. Mushkës së falur nuk i shihen dhëmbët, thotë një shprehje popullore.

Gjithsesi tej termave teknikë, operacioni që ndërmori qeveria shqiptare, nuk do të kishte këtë jehonë nëse nuk do t’u interesonte italianëve. E bënë edhe rusët dhe kubanët para nesh, madje ndihma ishte më masive, por askujt nuk i interesonte që t’i jepte pompë një lëvizjeje, e cila më shumë sesa logjistike, ishte politike.

Vajtja e shqiptarëve, një vend anëtar i NATO-s do t’i shërbejë në të ardhmen politikës italiane për të rinegociuar pozitën e saj në BE. Dhe këtë nuk mund ta bëjë duke evidentuar mjekët rusë dhe infermieret kubane.

Sa i takon Ramës, me 100 mijë euro, bëri më shumë zhurmë sesa 100 milionët e Trump.

Ndërkohë veprimi më inteligjent i kundërshtarëve të Ramës do të ishte që ta paraqisnin edhe veten pjesë e lojës. Asgjë nuk i kushtonte të thoshin dy fjalë urimi dhe të inkurajonin mjekët dhe infermierët që shkuan të përballeshin me rrezikun. Përkundrazi e vunë veten nën një optikë negative në sytë e italianëve dhe të emigrantëve shqiptarë, të cilët ndjehen të vlerësuar në sytë e atyre që deri dje i shikonin me syrin e të huajit.

Sigurisht që a ka apo jo X apo Y diplomë të rregullt apo false, nuk ka pikë rëndësie në sytë e publikut shqiptar dhe një gjë është e sigurt që në Itali nuk lexojnë “scoopet” shqiptare. Por siç duket kundërshtarët e Ramës, më shumë sesa të lodhin mendjen të prodhojnë ndonjë ide politike, e kanë mendjen të kërkojnë në arkiva. Gjynah që në vend të politikanit të bësh rolin e qatipit./dritare.net

error:
%d bloggers like this: