SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

ESE-Një libër që të ‘’gërvish’’ kujtesën

Nga Pirro NAÇI

Sa herë mbarojë së lexuari një libër më kapin ndjenja dhe mendime që fillojnë të ‘’shkruajnë’’ në shpirin dhe në zemrën time. Eshtë ‘’zëri’’ që del i ‘’fshehur’’ brenda faqeve të tij. Është thelbi i librit që thëret për të menduar, për të kujtuar dhe për të ëndëruar… Dhe kur ke të bësh me një libër që të ‘’gërvish’’ kujtesën e rrënjëve të të parëve të tu, të fisit, të familjes , të fshatit dhe të gjithë hapësirës ku ke lindur dhe ke jetuar, atëhere libri bëhet i veçantë. Këto ndjenja mi dhuroi libri i fundit i Panajot Zotos ‘’Vdekja e një Bote’’… patriotit dhe fshatarit tim.

Titulli më kujtoi libërin e Holland-Smith John, ’’Vdekja e një bote të lashtë’’, një libër me shumë emocione, për fenë, kulturën, për polifoninë e shkollave filozofike që lulëzoin në shekuj etj,etj. Nuk shpresoja ti gjeja këto edhe tek libri i Panajotit, por emocionet po, i gjeta edhe tek libri ‘’Vdekja e një Bote’’.

Të lexosh librin e Zotos , është sikur të flasësh me një mik, si të shprehësh mendimet e tua,si të dëgjosh mendimin e tjetrit, si të bësh një lutje,si të vozitësh natyrën, si të dëgjosh një melodi, si të futesh thellë në histori dhe në mitologji…

Dhe të futesh në historinë dhe mitologjinë të paktën të Muzinës, e të Tharopinës zor se del i ‘’gjallë’’…Unë për veten u ‘’mbyta’’ kur e pashë për herë të parë. Jo vetëm u mbyta por edhe u deha në burimet e Tharopinës, tek Syri i Kaltër… Gushti i 1977-tës. Djemtë e fshatit na ftuan për një drekë. Ishte Lodua, Pilua, Bebi,Jorgua Landi, unë dhe Toni nga Tirana, nipi i papo Çimos, nga Verlajt. Këta ishim nga mëhalla jonë, të tjerët nga mesomëhalla. Gjysmën e mishit e kishim nga dasma e Tinës, nga shelëgët e barba Çavos. Gjysmat e tjera na i gjeti Pilua me llastikë… Nuk mbaj mend në se bëri ndonjë ‘’vizitë’’ nga pulat e teto Çias ( nëna e Panos)…

Ishte magjepse të zbrisje rrëpirave të fshatit dhe të molloiseshe deri në Tharopinë. Rruga mes ullinjëve ishte e veçantë. Njërin nga ata ullinjtë e Muzinës, e njoha edhe sot, e njoha tek kopertina e librit. Ai ulliri me pamje njeriu që na duket sa na tregon historinë…

Ulliri është nga simbolet më të vjetra në botë. Kjo është diçka krejt e natyrshme sepse është e lidhur me shoqërinë tonë që nga kohët e lashta. Mos vallë na e kanë sjellë si dhuratë të parët tanë nga Thesalia?… Apo ata që banonin përgjatë lumit Thyamis?.. siç shkruan në faqet e para të librit.

Μë duket se ngjajnë me ato ullinjtë e egër që riteshin në tempullin e Zeusit në Olimp, nga ato bëheshin kurorat e fituesve të lojrave olimpike. Ka shumë kuptime të ndryshme për këtë pemë të veçantë, por për ne ajo simbolizon trashëgiminë dhe traditën familjare, një trashëgimi që na shtyn përpara, për të vazhduar ciklin e jetës duke futur pak nga shpirti ynë. Dhe këtë unë e bëra sot, e ‘’hoqa’’ ullirin nga kopertina dhe e zëvëndësova me një tjetër, me shpirtin e Panajot Zotos, për të na folur dhe për të na treguar histori të tjera nga e kaluara, nga ajo botë që nuk vdes kurë…E bëra sot ashtu siç e bëra edhe kur u deha në Tharopinë , kur u deha me Tharopinën…Nuk na dehu vetëm pija dhe ushqimi, por edhe natyra dhe burimi..Burimi i jetës dhe i historisë, por edhe i mitologjisë. Nuk ka vend më të bukur ku mund të kenë jetuar Muzat e lashta, nimfat e malit dhe të ujit..

.Na thonë se ato lindën nga ato anët që erdhën të parët tanë, siç shkruan edhe ty Pano, nga malet e Pierisë, nga Thesalia…Aty fjeti një natë Zeusi, djali i Kronosit(… Krongji???) me Kujtesën dhe lindën muzat. Unë e kam bredhur Thesalinë por nuk kam gjetur vend më të bukur se Tharopina dhe ‘’Syri i Kaltër’’ ku mund të jetonin muzat. Ndoshta erdhën edhe ato me të parët tanë, ndoshta ishin ato të parët tanë, ndoshta i dhanë edhe emrin fshatit, Muza-jon…Ndoshta erdhën dhe kërkonin ‘’fisin’’, Kronosin… Ato ishin perëndeshat e muzikës e të melodisë, të vallëzimit e të festës të poezisë dhe të shkrimit… Ndoshta diçka ke marë edhe ti Pano nga ato! Me urimet më të mira për librin, shpresoj, ç’fardo të ‘’fshehtë’’ të kesh në shpirtin tënd, ta hedhësh në letër dhe të na dhurosh histori të bukura./sarandanews.al///

error:
%d bloggers like this: