SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

 Stadiumi “Ai Albania” në Tiranë do të presë për herë të parë një finale të kompeticioneve europiane, siç është ajo e UEFA Conference League, Roma-Feyenoord, që do të luhet në më 25 maj ora 21:00.

Shef i Marrëdhënieve me Publikun në FSHF, Andi Verçani, sqaroi në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se cilat janë sfidat e organizimit të kësaj finaleje të madhe.

“Jemi duke folur për një aktivitet të pangjashëm në llojin e tij, i cili akoma nuk ka filluar të përjetohet në të gjitha dimensionet e vërteta në qytet. Orë pas ore ethet e kësaj finaleje po fillojnë të ndihen, edhe me ardhjen e tifozëve të të dy skuadrave si dhe tifozëve nga më shumë se 20 vende të botës që kanë prerë biletat për të qenë të pranishëm në këtë finale”, u shpreh ai.

“Sfidat në organizimin e kësaj finaleje janë pothuajse në të gjitha shtyllat ku mbështetet ky aktivitet, duke parë që kemi të bëjmë me një ngjarje që ndodh për herë të parë e eksperienca mungon. Nga aeroporti, te transporti  aeroport-qytet, akomodimi i tifozëve, ekipeve, të të ftuarve, pa harruar këtu sigurinë për mijëra persona që do të marrin pjesë në këtë ngjarje madhore sportive europiane”, theksoi Verçani.

Për të mos pasur surpriza, nënvizoi ai, “ekipet e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe ato të UEFA-s kanë nisur punën që në gusht të vitit 2021 dhe duhet të theksoj se asgjë nuk i është lënë rastësisë, duke u përkujdesur në detaje për çdo hallkë të këtij aktiviteti madhor”.

Verçani u shpreh, “shumë i sigurt se do të kemi një finale të shkëlqyer, një organizim perfekt që do t’i japë mundësisë Federatës të aplikoj në të ardhmen edhe për aktivitete të tjera të mëdha ndërkombëtare”.

Sa i përket menaxhimit të biletave të ndeshjes, duke qenë se për të parë këtë finale ka pasur shumë kërkesa nga tifozët e dy skuadrave, por edhe ata shqiptarë, Verçani theksoi se, “biletat kanë qenë një temë e shumë përfolur në fakt gjatë të gjithë kësaj periudhe, jo vetëm në Shqipëri, por dhe jashtë saj. Kemi të bëjmë me një ndeshje finale, ndërmjet dy skuadrave historike europiane, dhe normalisht që kapaciteti i stadiumit “Air Albania”, por jo vetëm, do të ishte i pamjaftueshëm duke parë numrin e madh të tifozëve që kanë të dyja skuadrat. Biletat kanë qenë në menaxhim të UEFA-s, që është organizatore e kompeticionet, dhe 8500 prej tyre janë nxjerrë në shitje në faqen e tyre zyrtare për publikun e gjerë, ku 89% janë blerë nga tifozë shqiptarë. Klubet finaliste kanë marrë nga 4 mijë bileta secili dhe pjesa tjetër është domain i UEFA-s që i përdor për të 1100 të ftuarit dhe sponsorët e tyre”.

Sa i përket organizmit të tifozerive jashtë stadiumit, duke qenë se edhe tifozë italianë apo holandezë që nuk kanë mundur të kenë biletë, pritet të mbërrijnë në Tiranë, Verçani u shpreh se, “për të dy skuadrat është përcaktuar muaj më parë vendi se ku do të akomodohen tifozët që nuk kanë bileta. Tifozët e Romës do të vendosen në Parkun e Tiranës, te Amfiteatri i Liqenit dhe Vëllezërit Frashëri ndërkohë që tifozët e Feyenoord-it do të jenë në rrugën pedonale pranë Kalasë së Tiranës. Janë marrë të gjitha masat që të kenë ekrane të mëdha, zona shërbimi për ta dhe çdo lehtësi që kërkohet për tifozë. Ashtu si edhe nga pikëpamja e sigurisë ku është përcaktuar në detaje edhe itenerari që tifozët e skuadrave do të përshkojnë për të mbërritur në stadium”.

Në lidhje me shpenzimet për ndryshimet e bëra në stadiumin “Air Albania” për këtë sfidë, Verçani tha se, “në “Air Albania Stadium” janë bërë disa ndryshime të nevojshme për një ndeshje të këtij niveli. Duke parë që është një finale ka pasur një modifikim të tribunës së medies që është 3-fishuar duke arritur në 210 vende për faktin se do të ketë një numër të madh gazetarësh. Gjithashtu në tribunën e tifozëve miq janë hequr disa stola për të ndërtuar 3 studio televizive për transmetuesit zyrtar të ndeshjes. Janë vendosur dy ekrane të mëdha në tribunat përballë dhe në të njëjtën kohë ka pasur disa ndryshime në zonat e fotografëve dhe zonat ku punojnë gazetarët e akredituar. Këto modifikime kanë një kosto mbi 400 mijë euro që mbulohen nga buxheti i Federatës Shqiptare të Futbollit”.

Sa i përket procedurave që do të ndjekin tifozët për t’u futur në stadium dhe garantimit të sigurisë për këtë event, Verçani theksoi se, “për zhvillimin normal të kësaj finaleje në aspektin e sigurisë është ndërtuar një plan i detajuar strategjik dhe operacional, ku janë parashikuara edhe të papriturat dhe opsionet e ndërlikuara. Ky plan është ndërtuar nga FSHF dhe UEFA në koordinim me të gjithë aktorët lokal, Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake, autoritetet e Aeroportit Ndërkombëtar Nënë Tereza dhe shërbimet e Urgjencës Kombëtare. Për tu futur në stadium të gjithë grupimet e tifozëve do të ndjekin rrugët e përcaktuara më parë në planin operacional, që fillon nga Fan Meeting Point dhe drejtime të tjera drejt stadiumit. Tifozët e Feyenoord-it do të fillojnë lëvizjen nga Pedonalja “Murat Toptani” nëpërmjet Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ku do të përdoret bulevardi dhe rruga “Papa Gjon Pali II”. Para se të afrohen në perimetrin e sigurisë së “Air Albania Stadium” do të kalojnë në dy pika kontrolli policor, për kontroll bilete dhe trupor. Pikat e kontrollit janë te rruga “Gjergj Filipi” dhe te rruga “Papa Gjon Pali II” përpara Televizionit Publik Shqiptar. Pas kalimit të kontrollit policor tifozët do të afrohen në perimetrin e jashtëm të sigurisë ku do të jetë kontrolli nga pikat e stjuartëve. Fillimisht me një aparat të posaçëm do të aktivizohet bileta. Më pas do të bëhet kontrolli trupor nga stjuartët dhe do i drejtohen dyerve të hyrjeve. Nga vullnetarët, që janë 400 të tillë të përfshirë për këtë finale, do të orientohen për tu sistemuar në vendin që kanë biletën”.

“Tifozët e Romës do të fillojnë lëvizjen nga Amfiteatri duke zbritur në drejtim të Digës së Liqenit dhe duke ardhur në Sheshin “Shopen”. Nëpërmjet rrugës Lek Dukagjini do të afrohen në pjesën jugore të stadiumit në krahun e Sheratonit ku është hyrja e tyre në stadium. I njëjti proces kontrolli është edhe për ta siç është parashikuar për tifozët holandezë”, tha ai.

“Tifozët neutralë rekomandohet të kalojnë nga rruga “Elbasanit” duke u futur te rruga “Dervish Hima” ku përpara restorant Fiore do të ketë një pikë kontrolli policor”, përfundoi Verçani. ///

error:
%d bloggers like this: