– Turqia dhe Greqia nuk duhet të presin një tërmet tjetër për të përmirësuar marrëdhëniet, deklaroi ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu duke folur para gazetarëve me homologun e tij grek, Nikos Dendias në provincën Hatay të goditur nga tërmeti. Çavushoglu përshëndeti mbështetjen e Greqisë pas tërmeteve shkatërruese në fillim të kësaj jave.
”Fakti që Nikos Dendias është këtu me ne sot tregon solidaritetin e popullit grek me kombin turk”, tha Çavushoglu. ”Marrëdhëniet e mira fqinjësore shihen në kohë të tilla sfiduese”, shtoi ai.
Kryediplomati turk kujtoi tërmetin e vitit 1999 në Marmara dhe tha se Greqia gjithashtu përjetoi tërmete atëherë, vetëm një muaj pas Turqisë. ”Në atë kohë, e para Greqia nxitoi për të na ndihmuar, pastaj Turqia nxitoi për të ndihmuar Greqinë”, tha Çavushoglu, ndërsa citoi një lajm të atëhershëm nga revista ”Time”.
Çavushoglu i kishte dërguar një letër revistës ”Time” si qytetar i zakonshëm turk në lidhje me historinë e marrëdhënieve Turqi-Greqi.
”Solidariteti në lidhjet e vështira është i rëndësishëm, por nuk duhet të presim një tërmet tjetër për të zhvilluar marrëdhëniet”, kishte thënë ai. ”Unë atëherë e thashë këtë si një qytetar i thjeshtë turk. Sot, si ministër i Jashtëm ndaj të njëjtin mendim”, theksoi Çavushoglu.
Ai kërkoi dialog të sinqertë për të kapërcyer dallimet në opinione. Ministri i Jashtëm turk shprehu gjithashtu mirënjohje për Dendiasin, qeverinë e tij dhe gjithë popullin grek për mbështetjen e dhënë në kohë të tilla të vështira.
Nga ana e tij, Dendias u zotua për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë.
”Greqia do të vazhdojë të bëjë më të mirën për të kapërcyer kohët e vështira, si në nivel dypalësh, ashtu edhe në nivel të BE-së”, tha ai. Kryediplomati grek gjithashtu përsëriti fjalët e homologut turk duke thënë se dy vendet nuk duhet të presin një tërmet tjetër për të përmirësuar marrëdhëniet.
Dendias është ministri i dytë i Jashtëm që viziton Turqinë pas dy tërmeteve të fuqishme.///
ME SHUME LAJME
PS.Mbledhja e kryesisë përcakton kandidatët për kryebashkiakë. Emrat për Qarkun Vlorë dhe Gjirokastës.
Pranga 54-vjeçarit në Kakavijë. Mijëra euro të padeklaruara në çantë
Ermal Dredha, diplomati që do të kandidojë për kryetar bashkie nga PS në Vlorë