SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Fokus: Nderohet albanologu i arvanitasve, Titos Jochalas

Në sallën “Aleks Buda”, Akademia e Shkencave të Shqipërisë organizoi takimin kushtuar albanologut Titos Jochalas, i cili këtë vit pati përvjetorin e 80-të e për shkak të kufizimeve të pandemisë, ishte pamundësuar festimi në ditën e lindjes.

Titos Jochalas njihet si albanologu i arvanitasve. Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi e cilëson Titos Jochalas si kryeshenjë e albanologjisë në Greqi dhe në shenjë nderimi, Akademia ka publikuar një vëllim mbresëlënës prej 660 faqesh. Ai është anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që nga viti 2012, gjithashtu punonjës shkencor për shumë vite i Akademisë së Shkencave të Greqisë.

Akademiku Titos Jochalas ndoqi traditën më të vyer të albanologjisë dyshekullore në Greqi, që i ka bërë shërbime të çmuara shkencës së origjinës dhe identitetit kombëtar shqiptar. Ai ndoqi gjithashtu paradigmën bazë më të përparuar të albanologjisë që është zhvilluar e zhvillohet në hapësirën shqiptare edhe sot në botë. Ashtu si shumicës së albanologëve joshqiptarë, Titos Jochalasit i është dashur të merret me traditën gojore dhe dialektet, me historinë e shkrimeve dhe filologjinë e tekstit, me fjalorë e gramatika të shqipes, me studime krahasimtare shqiptaro-greke dhe ballkanike, me folklor dhe antropologji, me arvanitët e Peloponezit, Atikës dhe Hidrës; me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe historianët e heroit kombëtar të shqiptarëve; me Ali pashanë e Janinës dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve: arvanitë, suliotë, çamë, labë e më në veri, në revolucionin çlirimtar grek të vitit 1821; me historinë e ngulimeve më të hershme mesjetare arbërore në Greqi e Itali dhe marrëdhëniet midis tyre e shumë çështje të tjera.

Me studimet e tij ai bashkoi arvanitë e arbëreshë; bashkoi të dyja këto bashkësi dijetarësh me studiuesit shqiptarë dhe ata të helenistikës në vendet e tyre; bashkoi në një rreth edhe më të gjerë të gjithë këta të fundit me studimet ballkanistike dhe në një rreth akoma dhe më të gjerë bashkoi studimet ballkanistike me qendrat e albanologjisë dhe të helenistikës në Europë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e gjetiu.

Ai është quajtur me të drejtë albanologu i arvanitëve, u shpreh akad. Gjinushi, duke perifrazuar vargjet e Fan S. Nolit, ai i donte ata edhe kur s’i deshnin, i çmonte edhe kur i mohonin, i promovonte edhe kur ishte e ndaluar t’u përmendej identiteti, i bëri të njohur në botë edhe kur nuk kishin asnjë status, ua shpalli botërisht kulturën dhe traditën edhe kur konsideroheshin dukuri e së shkuarës.Studimet e tij për arvanitët, do të botohen në Tiranë në katër vëllime. Ato janë sinteza e kësaj pune sfidante, pa të cilën nuk do të kuptohej as kuraja e sotme e shumë intelektualëve dhe veprimtarëve publikë të Greqisë për të shpallur krenarisht prejardhjen e tyre.

Në këtë libër kushtim që po boton Akademia e Shkencave janë të pranishëm me kontributet e tyre për veprën e studiuesit Titos Jochalas albanologë nga e gjithë bota./atsh///

error:
%d bloggers like this: