SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi se fundi t se shumica e gjykatave që mbyllen si rezultat i hartës së re gjyqësore, kanë në organikë 5 gjyqtarë. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Manja tha se Këshilli i Lartë Gjyqësor ka propozuar që nga 22 gjykata të shkallës së parë të ketë vetëm 12 gjykata dhe nga 6 gjykata apeli, të jetë vetëm 1 e tillë në Tiranë.

Ndërkohë sipas tij, nga 6 gjykata të shkallës së parë të juridiksionit administrativ është propozuar të ketë vetëm 2.

Ministria e Drejtësisë ka pasur dy sugjerime për KLGJ. Së pari, që gjykata e Sarandës të mos shkrihet dhe të shkojë në Gjirokastër, pasi ka numër më të lartë çështjesh se gjykata e Gjirokastrës. Këtë e kemi propozuar ne dhe kemi sugjeruar që edhe për shkak të logjistikës sonë si Ministri Drejtësie, gjykata e Krujës për kompetencë territoriale por edhe lëndore të bashkohet me Tiranën, sepse me Tiranën ka 17 km distancë dhe me Durrësin ka 46 km”, tha Manja.

Ndërkohë, Manja shtoi se për çështjet e tjera Ministria e Drejtësisë ka dhënë dakordësi.

“Shumica e gjykatave që mbyllen janë nën 5 gjyqtarë, jo për shkak të vetingut, por kaq kanë organikën. Lidhur me gjykatat e Apelit ka pasur debate në tryezat e konsultimit publik dhe ka pasur kundërshtime lidhur me shkrirjen e tyre. Argumentet kanë qenë pro dhe kundër por KLGJ propozon që për të rritur efikasitetin duhet të kemi vetëm 1 gjykatë Apeli në Tiranë”, tha ai.

Sipas Manjës, me këtë bashkim KLGJ kërkon të unifikojë dhe standardizojë dhënien e vendimit njëlloj në kohë për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Ndërkohë, Manja tha se nga 6 gjykata të shkallës së parë administrative do të kemi vetëm 2, njëra në Tiranë dhe tjetra në Lushnjë.

Manja shtoi se harta e re gjyqësore do të hyjë në fuqi 6 muaj pas votimit në Këshillin e Ministrave, ndërkohë që asnjë shërbim i sekretarisë gjyqësore nuk do të cënohet në territoret ku mbyllen gjykatat.

“Qytetarët, të gjitha shërbimet gjyqësore, me përjashtim të gjykimit, do t’i marrin në godinat ekzistuese të gjykatave që mbyllen. Harta do të implementohet pjesë-pjesë, fillimisht me Apelin pastaj me gjykatat e shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm”, tha Manja.

Manja iu përgjigj edhe pyetjes së deputetit Petro Koçi nëse duhet sanksionuar me ligj që organet e vetingut t’i çojnë automatikisht në SPAK raportet e hetimit.

“Nuk mendoj se ka nevojë për ndryshime të kuadrit rregullator, që është shumë i qartë si fillon procedimi penal. Procedimi penal ka rregullat e veta dhe fillon me kallëzim penal. Nuk mund të bëjmë gjëra ekstra ligjore. Organet e Vetingut kur konstatojnë elementë të veprës penale kanë detyrimin ta kallëzojnë, por që të bëjmë ndryshime në kodin e procedurës penale e t’i detyrojmë këto organe që t’i çojnë rastet me detyrim në prokurori nuk mund ta bëjmë. Bëhet me kallëzim penal”, tha ai./atsh//

error:
%d bloggers like this: