SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Nga Skënder MINXHOZI

Kolegu i vjetër Eduard Zaloshnja e ka shumë për zemër artin e sondazheve. Është ndër të paktët që sondon opinionin publik edhe kur s’ka gara elektorale. Në analizën më të fundit të votave ai ka paraqitur preferencat e shqiptarëve për kryeministrin e ardhshëm. Një përballje intriguese në distancë mes Ramës dhe Berishës, duke parë ashpërsinë që ka marrë jeta politike e vendit gjatë vitit të fundit.

Sipas Zaloshnjës sot ka rreth 8 përqind më shumë votues që preferojnë një mandat të katërt të Edi Ramës, sesa ata që preferojnë rikthimin e tretë të Sali Berishës në vitrinën e skenës politike shqiptare. E përkthyer në shifër absolute votash, mes të dyve egziston aktualisht një diferencë jo e vogël, rreth 130 mijë vota.

Sondazhi i mësipërm nuk ngjan një rrufe në qiell të hapur për opozitën. Përkundrazi. Të gjitha leximet e opinionit publik pas shpërthimit të krizës Basha-Berisha në PD, pasuar me konsolidimin e pushtetit të Doktorit mbi partinë e vet, kanë prodhuar një situatë depresive mbi votuesin e mesëm shqiptar. Euronews analizonte në një tjetër sondazh në 27 janar të vitit 2022 pëlqyeshmërinë e Ramës dhe Berishës, duke i nxjerrë përkatësisht në shifrat 50.1% dhe 21 % preferencë. Pra 30 pikë përqindje diferencë.

E njëjta media në tetor, pra dy muaj më parë e ngushtonte disi këtë diferencë, teksa e jepte Ramën në 40% pëlqyeshmëri, kurse Berishën në 26% të preferencës së 1000 të anketuarve në gjithë vendin. Sërish humnera shifrore mes të dyve duket se jep shumë pak shpresë për një rikthim të Berishës.

Sondazhi i Zaloshnjës dhe testimi i Euronews janë zhvilluar në një klimë aspak të thjeshtë për Edi Ramën dhe qeverisjen e tij. Lufta e Ukrainës në sfond me rritjen galopante të çmimeve, stina e dimrit me frikën e një krize energjitike, skandalet dhe akuzat e përsëritura që kanë goditur e vijojnë të godasin eksponentë qëndrorë të maxhorancës, pa harruar çeshtjen McGonigal – të gjitha këto e bëjnë të komplikuar mandatin e tretë të Edi Ramës.

E megjithatë Berisha, e bashkë me të edhe Meta, nuk po munden të arrijnë rezultatin e “dyshes rezervë” Basha-Kryemadhi. Të dy këta në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021 thuajse e barazuan në shifra votash proporcionale Partinë Socialiste, duke e tkurrur diferencën mes tre partive PS-PD plus LSI në rreth 30 mijë vota.

Tani që në fushë kanë zbritur “senatorët” Berisha e Meta punët për opozitën po shkojnë më keq sesa kur timonin e kishin në dorë shqytarët. Një paradoks i cili e ka megjithatë një shpjegim racional. Berisha u thirr në krye të partisë së tij me tam-tame të mëdha nga militantët e besnikët. E ka një njollë nga Amerika por të paktën është i vetmi që na kthen në pushtet, thuhej në PD para një viti teksa hiqeshin xhamat e dyert e blinduara të Lulit. Entusiazmi televiziv i Foltores me salla të vogla të mbushura me fanatikë që bërtisnin duket se i gënjeu ata që besonin në një mrekulli të tretë të Sali Berishës.

Asgjë e tillë s’po ndodh, edhe kur në krah të Doktorit është ulur ish-presidenti, i cili dihet se ka namin e luftëtarit të votave të minutës së fundit. Berisha dhe Meta janë një çift që sot vlejnë tetë përqind më pak se një kryeministër i një qeverisjeje të mbytur nga pesha e pushtetit të vet, mërzia e të qënit në majë dhe skandalet e akumuluara. Hijet e errëta të sondazhit të Zaloshnjës vetëm sa rikonfirmojnë një frikë të vjetër të opozitës shqiptare: që Berisha e gjen veten sot, dy vjet pas zgjedhjeve, duke ndjekur shifrat elektorale të Lulzim Bashës, në vend që të sfidojë pushtetin e Edi Ramës. Një sherr selie, jo një garë për pushtetin e vendit.///

error:
%d bloggers like this: