SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Shqipëria fitoi 0-2 në transfertë ndaj San Marinos, me gola të Rey Manajt dhe Myrto Uzunit.

Trajneri Edi Reja kishte vendosur të bënte shumë ndryshime në formacionin, krahasuar me ndeshjen e humbur 0-2 në Tiranë ndaj Anglisë. Një zëvendësim ishte i detyruar vetëm pak minuta para nisjes së takimit, për shkak të një problemi muskulor të Memushajt, vendin e të cilit e zuri Laçi.

Kombëtarja shqiptare zbriti në fushë me rreshtimin 3-5-2, me Strakoshën në portë, Ajetin, Gjimshitin dhe Veselin në mbrojtje, Hysaj e Lenjani në krahët e mesfushës, , Bare, Ramadani e Laçi në brendësi të repartit të mesëm dhe në vijën e parë të sulmit Broja e Manaj.

45 minutat e para nuk sollën ndryshim rezultati megjithëse Kombëtarja arriti të dominonte disi lojën

Shqipëria e nisi pjesën e dytë me dy ndryshime në formacion: Uzuni mori vendin e Laçit, ndërsa Odise Roshi zëvendësoi Brojën.

Në minutën e 63-të Rey Manaj ia doli të shënojë me kokë mes një grumbulli të madh futbollistësh, pas krosimit të saktë të Uzunit, duke çuar Kombëtaren në avantazh 0-1.

Goli i çliroi psikologjikisht kuqezinjtë, që solli edhe golin e dytë, i cili erdhi në minutën e 85-të, teksa në zhvillimet e një këndoreje, pas traversës me kokë të Gjimshitit, goditjen e Veselit e devijoi në momentin e fundit drejt rrjetës Myrto Uzuni, 0-2 për Kombëtaren shqiptare.

Kjo fitore e ngjit Shqipërinë në vendin e tretë në grupin I me gjashtë pikë, një më pak se Hungaria dhe dy më shumë se Polonia. Grupi I kryesohet me 9 pikë nga Anglia, më pas Hungaria me 7 pikë, Shqipëria me 6, Polonia 4 pikë dhe Andorra me San Marinon secila me nga 0 pikë. ///

%d bloggers like this: