SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Këlliçi kandidon në primaret e PD-së: Tirana ka nevojë për ndryshim

Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi prezantoi kandidaturën për primaret e Partisë Demokratike për kandidatët e zgjedhjeve lokale. Në një deklaratë për mediet, Këlliçi tha se ka vendosur të kandidojë në këto primare të Partisë Demokratike, të parat për PD dhe për politikën në Shqipëri.

“Mbërritja në këtë vendim nuk ishte e menjëhershme, dhe ka ardhur pas një reflektimi të gjatë, pas konsultave dhe takimeve të përditshme me demokratët dhe banorët e Tiranës, në zonat e mia elektorale e kudo tjetër. Ky vendim u arrit për disa arsye, të cilat dëshiroj t’i ndaj me ju. Tirana ka nevojë dramatike për ndryshim. Unë besoj se Bashkia Tiranë është shfrytëzuar për shumë vite nga Erion Veliaj, për pasurim të jashtëligjshëm me taksat e qytetarëve, gjobat, tenderat, lejet për ndërtim dhe inceneratorin. Veliaj e ka shfrytëzuar detyrën e kryebashkiakut të Tiranës për të blerë mbështetje politike brenda Partisë Socialiste. Në dy mandate, ai ia ka dalë që, me anë të propagandës dhe kontrollit të medias, të na imponojë një pamje false të qytetit. Me instalimin e modelit “puna diçka, dukja gjithçka”, Veliaj e ka dëmtuar rëndë qytetin. Tirana mund të rregullohet, dhe bashkia mund të shërbejë, edhe pa vjedhur. Ky është një model për të cilin qytetarët dhe politikanët, duhet më në fund të ndërgjegjësohen”, tha ai.

Në vijim, Këlliçi tha se Tirana sot nuk ngjason me asnjë kryeqytet në Bashkimin Evropian dhe as në vendet fqinje.

“Ajo bëhet çdo ditë e më shumë e pajetueshme: më e shtrenjtë, më kaotike, më e ndotur, pa transport alternativ dhe hapësira për parkim dhe gjelbërim. Në 8 vite, Tirana humbi trashëgiminë e saj historike qindravjeçare, për shkak të miliona metrave katrorë leje-ndërtimi, që Erion Veliaj dha babëzisht, pa kriter, vetëm për interesin e tij personal dhe të mafias së betonit, që është sot paradhoma dhe vendimmarrja okulte e punëve publike të Bashkisë”, tha ai.

“Unë kandidoj në këto primare për të zgjedhurit vendorë, pasi besoj se për të administruar Tiranën duhet të fitosh si fillim besimin e forcës politike ku aderon, të anëtarëve dhe simpatizantëve të saj. Jam kundër modelit të emërimit nga kryetari i partisë, sepse e gjykoj si një model të dështuar dhe korruptiv. Unë e njoh dhe e pranoj verdiktin e votës së lirë, si kur fitoj, ashtu dhe kur humbas. Nuk i bëj kurrë bisht garave dhe përballjes, sado e fortë të jetë ajo”, tha Këlliçi./atsh///

error:
%d bloggers like this: