SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Kim: Korrupsioni gërryen potencialin e Shqipërisë

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim publikoi një editorial me titull, “Korrupsioni Gërryen Potencialin e Shqipërisë”.

“Teksa shënuam Ditën Ndërkombëtare Anti-Korrupsion dje, është me rëndësi që të rigjallërojmë përpjekjet tona për t’i dhënë fund murtajës së korrupsionit. Korrupsioni iu vjedh qytetarëve dhe brezave të ardhshëm pasurinë dhe shpresën. Ai than rritjen ekonomike, pengon zhvillimin, minon demokracinë, si dhe iu hap dyert kriminelëve, trafikantëve dhe terroristëve”, shkruan Kim.

Prandaj, shton Kim, “Presidenti Biden, për herë të parë, e përcaktoi anti-korrupsionin si interes thelbësor të sigurisë kombëtare dhe bëri publike një Strategji ambicioze të Shteteve të Bashkuara për t’iu Kundërvënë Korrupsionit. Për ta vënë në zbatim strategjinë, Shtetet e Bashkuara punojnë anembanë globit për të ndihmuar vendet që të parandalojnë ryshfetin, të mbështesin hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit, promovuar transparencën, si dhe fuqizuar shoqërinë civile dhe median e pavarur për të zbuluar korrupsionin”.

“Këtë javë, qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe Transparency International organizuan Konferencën e 20 Ndërkombëtare Anti-Korrupsion, të përqendruar te mbrojtja e vlerave demokratike nga korrupsioni. E vlerësojmë pjesëmarrjen e zyrtarëve të qeverisë, gazetarëve dhe përfaqësuesve të OJQ-ve në të, përfshi nga Shqipëria”, thekson Kim.

“Shtetet e Bashkuara e mbështesin luftën kundër korrupsionit me veprime të qarta. Ne financojmë reforma në drejtësi, përfshi me BE-në dhe partnerë të tjerë. Mbështesim median investigative dhe organizatat e shoqërisë civile që luftojnë korrupsionin. Përdorim shpalljet non grata dhe sanksionet ndaj aktorëve të korruptuar dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Për shembull, Presidenti Biden nënshkroi në qershor 2021 një Urdhër Ekzekutiv të ri, i cili përqendrohet te krijimi i kostove për ata që përfshihen në veprimtari që minojnë institucionet demokratike dhe destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, përfshi në Shqipëri. Ky Urdhër Ekzekutiv është përdorur tashmë për të sanksionuar aktorë të korruptuar”, thekson Kim në editorial.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të intensifikojnë përpjekjet tona për t’u përballur me korrupsionin dhe për t’iu kërkuar llogari aktorëve të korruptuar. Pse? Sepse ne duam ta shohim Shqipërinë – mike dhe aleate e jona në NATO – të rritet më e fortë dhe më e pasur. Korrupsioni përbën një cënueshmëri të sigurisë kombëtare, kufizon dhe shtrembëron investimet, si dhe minon demokracinë”, shton Kim.///

error:
%d bloggers like this: