SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Kompania INKA dyfishon eksportet parafarmaceutike deri në Korenë e Jugut

Nga Etleva XHAJANKA

Kompania shqiptare “Inka” gjatë vitit që shkoi dyfishoi eksportet e produkteve parafarmaceutike që i përpunon nga produktet shtazore, duke i dërguar ato deri në Korenë e Jugut. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca solli pasditen e sotme këtë histori suksesi, ndërsa theksoi se gjatë vitit 2022 bëhet fjalë për një ecuri fantastike të eksporteve bujqësore të cilat kanë shkuar në shifrën e mbi gjysmë miliardi lekë, duke u rritur me 15.6% në sasi dhe 18.1% në vlerë.

Krifca në bisedë me Alban Zusin, pronarin e kompanisë “Inka” dhe profesorin Kim nga Koreja e Jugut, bëri një pasqyrim të ecurisë së kësaj kompanie, duke theksuar se kjo sipërmarrje eksporton proteinë dhe heparinë, të cilat i përpunon nga produktet shtazore që i grumbullon nga thertoret në Shqipëri.

“Albani po më tregon se këtë vit ka dyfishuar eksportet e produkteve që përpunon në fabrikën e tij, siç janë proteinat, yndyrnat shtazore, ushqimin për kafshët, duke e çuar  këtë vit në nivelin e 3.5 milionëve eurove, duke eliminuar importin e lëndës së parë, që përdoret për industrinë e përpunimit të mishit”, u shpreh ministrja.

Nga ana e tij, Zusi e falenderoi ministren Krifca për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe të pakursyer administrative nga ana e ministrisë që i dhanë shtysë fabrikës së re për të nisur sa më parë eksportin e lëndëve parafarmaceutike.

“E vlerësoj shumë frymën e re që po hasim në këtë ministri, për të qenë të gatshëm dhe për të bërë ato gjëra që janë në tryezë. Ne duam që administrata të na shërbejë me shpejtësi, fakt të cilin e provuam vetë dhe falë kësaj ne arritëm të eksportojmë dy herë në Korenë e Jugut”, tha Zusi.

Ministrja Krifca tha se, gjatë këtij takimi me profesorin Kim diskutuan që kjo eksperiencë e re bashkëpunimi të vijojë.

“Edhe në 2023 fokusi ynë do të jetë diversifikimi dhe rritja e eksporteve të përpunuara bujqësore për të shtuar vlerën dhe rritur të ardhurat e fermerëve dhe sipërmarrësve në bujqësi”, tha Krifca.///

error:
%d bloggers like this: