SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi sot se, aderimi i Shqipërisë në Konventën mbi Organizatën Ndërkombëtare për ndihmat detare në lundrim, kompleton kuadrin ligjor sa i përket sigurisë në lundrimin detar në Shqipëri.Në fjalën e tij në Kuvend ku po diskutohet projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën mbi Organizatën Ndërkombëtare për ndihmat detare në lundrim”, Peleshi u shpreh se, “ky pr/ligj do të japë mundësinë e kompletimit të kuadrit ligjor sa i përket sigurisë në lundrimin detar në Republikën e Shqipërisë”.

“Angazhimi i Shqipërisë në një organizatë ndërkombëtare siç është Organizata Ndërkombëtare e Autoriteteve të Ndihmës në Lundrim dhe Sinjalistikës Detare, me akronimin IALA, do të luajë një rol mjaft të rëndësishëm sa i përket vendosjes së Shqipërisë në hartën gjeografike të vendeve të sigurta. Kjo, jo vetëm, për qytetarët e saj, por parë edhe në këndvështrimin e turizmit”, u shpreh Peleshi.

“Aktualisht sipas të dhënave të marra nga IALA, konventa për Organizatën Ndërkombëtare për ndihmën në lundrim është firmosur nga 512 shteteve. Nisma për aderimin e Republikës së Shqipërisë në këtë organizatë është e Ministrisë së Mbrojtjes, së bashku me mbështetjen edhe të institucionit tonë që do të jetë në vijë të parë për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga kjo konventë që është shërbimi hidrografik i Komandës së Forcës detare të Forcave të Armatosura”, tha Peleshi.“Para pak kohësh kemi miratuar edhe ligjin për aderimin e Shqipërisë në Organizatën Ndërkombëtare të Hidrografisë, kështu që së bashku me pr/ligjin e sotëm, që jam i bindur do ta votojmë së bashku, ne plotësojmë kuadrin ligjor të lundrimit të sigurt”, theksoi Peleshi.

Ai nënvizoi se, “përfitimet e Shqipërisë që do të sjellë anëtarësimi në këtë organizatë kanë të bëjnë me zhvillimin dhe rritjen e sigurisë në hapësirën detare shqiptare, ruajtjen dhe zhvillimin e kapaciteteve teknike dhe njerëzore, ndikimin në sigurinë e ekonomisë detare, ndikimin në zhvillimin ekonomik, zhvillimin e marrëdhënieve shumëpalëshe me shtetet aleate të rajonit dhe më gjerë”.

“Edhe sot ne i zbatojmë rregullat e lundrimit të sigurt në mënyrë vullnetare, por anëtarësia në këtë organizatë na jep edhe akses në trajnime për rritjen e kapaciteteve, rifreskimin e teknologjisë dhe pa dyshim mundësinë për të partnerizuar dhe zgjeruar rrjetin e bashkëpunimit dhe me shtete dhe organizata të tjera”, u shpreh Peleshi. “Anëtarësimi në Organizatën Ndërkombëtare për ndihmat detare në lundrim do të mundësojë plotësimin akoma më të plotë të kuadrit ligjor në fushën e detarisë dhe hidrografisë dhe do t’i sjellë vendit një ambient më të sigurt dhe më të zhvilluar si në fushën e mbrojtjes ashtu edhe në fushën e turizmit apo infrastrukturës lundrimore”, theksoi Peleshi.

Ministri shtoi se, “sëbashku me përfitimet, natyrisht që ka dhe një tarifë 17 670 euro në vit. Do të përballohet nga buxheti i Ministrisë dhe është vendosur që do të ketë një rritje 3% në vit”. ///

error:
%d bloggers like this: