SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Në Shqipëri, korrupsioni cilësohet nga qytetarët si kërcënimi më i madh i sigurisë. Kjo është gjetja kryesore e “Barometrit të Sigurisë 2022”, publikuar sot nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.Anketimi vëren se korrupsioni është rritur, e bashkë me të edhe mosbesimi i qytetarëve mbi luftën kundër tij. Barometri i Sigurisë 2022 ka nxjerë për të katërtin vit rresht korrupsionin si kërcënimin më të rëndë, nga shumica e qytetarëve të anketuar, madje më i rëndë se sa krimi i organizuar apo lufta me fqinjët, pandemia apo terrorizmi.

Shumica e qytetarëve mendojnë se kërcënimi i korrupsionit në Shqipëri është i madh dhe shumë i madh.

Mbi 52 për qind e qytetarëve mendojnë se korrupsioni gjatë pesë viteve të fundit është rritur dhe është rritur ndjeshëm, ndërsa mbi 32 për qind pohojnë se korrupsioni është i njëjtë me pesë vjet më parë.Një pjesë e konsiderueshme skeptike pohojnë se korrupsioni është i rrënjosur aq thellë sa që denoncimi i tij nuk do të sjellë asnjë ndryshim.“Është për t’u shqetësuar se qytetarëve po iu zbehet besimi tek lufta ndaj korrupsionit. Një pjesë e konsiderueshme e tyre pohojnë se nu kia vlen të denoncosh, sepse asgjë nuk do të ndryshojë. Po ashtu një pjesë e madhe kanë frikë të denoncojnë, sepse janë të bindur se pas kësaj i pret një pasojë negative” – thotë Arjan Dyrmishi, drejtues i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes dhe autor i studimit.

Më shumë se gjysma e të anketuarve mendojnë se në vitet e ardhshme korrupsioni do të jetë në nivel të njëjtë dhe afro 20 për qind se ai do të rritet.Si shkaqe të korrupsionit ata renditin dobësinë e institucioneve dhe demkracisë, si dhe pushtetin e oligarkëve në shoqëri.Ata thonë se përgjegjës për vazhdimësinë e korrupsionit janë politikanët dhe administrata publike.

“Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë të lidhur ngushtë. Krimi i organizuar përpiqet të korruptojë element në pushtetin qendror dhe vendor, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore dhe zbatimin e dobët të ligjit. Ja pse u bë mirë që detyra e koordinatorit kombëtar antikorrupsion iu ngarkua ministrit të drejtësisë” – thotë nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj.Vetëm 23% e qytetarëve thonë në anketë se qeveria është serioze në luftën kundër korrupsionit, ndërsa pjesa tjetër vlerësojnë lart seriozitetin e punës së SPAK-ut dhe gjykatave anti-korrupsion.Afro treçereku i tyre vlerësojnë se puna e SPAK kundër korrupsionit është e rëndësishme dhe shumë e rëndësishme. Megjithatë, u vërejt një rënie e besimit të qytetarëve tek organet e drejtësisë dhe zbatimit të ligjit.

“Ka një rënie, krahasuar me vjet, të besimit ndaj gjykatave dhe prokurorisë së posaçme. Së dyti është rritur niveli i mosbesimit të publikut ndaj organeve të sigurisë në përgjithësi, si policia, ushtria etj” – thotë Eduard Zaloshnja, ekspert i sondazheve dhe statistikave.Një e treta e të anketuarve pohojnë se vetingu nuk e ka ulur korrupsionin në sistemin gjyqësor, po aq pohojnë se vetingu e pakësoi korrupsionin, ndërsa pjesa tjetër nuk janë të sigurtë për këto rezultate. Besimi dhe pritshmëria vazhdon të jetë e lartë tek vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve.Nga ana tjetër pjesa dërrmuese e qytetarëve besojnë se vetting-u i politikanëve do të ulte korrupsionin, dhe sipas tyre, pasurimi i paligjshëm duhet të konsiderohet si krim në Kodin Penal.

“Më shumë se sa korrupsioni i vogël i banaqeve, mua më shqetëson korrupsioni i normalizuar me ligj. Kapja e shtetit dhe përdorimi i tij me, duke miratuar ligje të porositura nga oligarkët është bërë një dukuri e zakonshme. Një zgjidhje do të ishte edhe vetingu mbi pasuritë e politikanëve, sipas të njëjtave rregulla, që këta ua vendosën gjyqtarëve dhe prokurorëve” – thotë Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike të opozitës dhe kryetare e Këshillit Kombëtare të Integrimit.Pjesa dërrmuese e të anketuarve mendojnë se partitë politike marrin financime nga bizneset në këmbim të favoreve.

Më shumë se gjysma e tyre pohojnë se është rritur korrupsioni me punësimin në administratën publike dhe prokurimet, ndërsa afro 30 për qind të tjerë pohojnë se ka mbetur i njëjtë.Një pjesë e madhe mendojnë se qeveria nuk e ka rritur transparencën në vendimmarrje 5 vitet e fundit.Një pjesë e madhe e të anketuarve, mbi 64 për qind, thonë se kanë frikë nga pasojat, nëse denoncojnë akte korrupsioni dhe se atyre që raportojnë akte korruptive duhet t’u jepet mbrojtje e veçantë.Ata shprehen se raportimi i korrupsionit duhet të bëhet detyrim ligjor për të gjithë nëpunësit civilë.

Një shumicë e theksuar e qytetarëve pohojnë se ndihmesa e SHBA-ve dhe BE-së është shumë e rëndësishme në luftën ndaj korrupsionit.Mbi 60 për qind e të anketuarve mendojnë se krimi i organizuar e përdor korrupsionin si një formë ndikimi në vendimmarrjen politike të pushtetit qendror dhe vendor.Ata besojnë gjerësisht se edhe partitë politike financohen nga krimi i organizuar dhe se ky i fundit ndikon në vendimmarrjen e prokurorive dhe gjykatave, si dhe në raportimin mediatik.Në Barometrin e Sigurisë 2022 qytetarët vlerësojnë se një nga mënyrat për të ulur korrupsionin do të ishte rritja e pagave për administratën dhe policinë.Por një pjesë e konsiderueshme theksojnë se korrupsioni është i rrënjosur dhe ai nuk vjen prej pagave të pamjaftueshme, por nga shtytja e grupeve dhe individëve për t’u pasuruar vazhdimisht përmes shpërdorimit të detyrës dhe posteve publike./VOA///

error:
%d bloggers like this: