SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Zhvillimet e artit bashkëkohor kanë shtruar një sërë sfidash ndaj krijuesve kudo në botë, duke mos përjashtuar as artistët tanë. Natyrisht që të kesh një përgjigje ndaj kërkesave dhe sfidave që parashtrohen ndaj artistëve kërkon një përgatitje të lartë artistike, intelektuale, njohje të thellë të marrëdhënies së volumeve në hapësirë, të trajtimit plastik dhe atij kompozicional.

Kreshnik Xhiku i përket një gjenerate artistësh, të cilët u formuan në fillimvitet ‘80-të, duke marrë më të mirën që formimi akademik i ofronte nga elita e krijuesve të asaj kohe, që përcillnin influencat artistike të shkollave ku kishin studiuar në Europë.

Për talentin që ai shpalosi në Akademinë e Arteve mbahet si asistent pedagog në Fakultetin e Arteve të Bukura, privilegj që u rezervohej talenteve më të spikatur.

Kreshnik Xhiku u bë pjesë e ekspozitave të para në vitet ‘80, duke u parë si një nga artistët që do zëvendësonte brezin e parë të krijuesve në mediumin e skulpturës.

Merr pjesë në ekspozitat e “Nëntorit” dhe “Pranverës”, ku spikat me format e plota që dilnin jashtë kornizave akademike dhe duke u fokusuar në siluetin, të cilin e shihte si domosdoshmëri ekzistenciale në marrëdhënien e volumeve në hapësirë.

Shpejt ai arrin të dalë në skulpturën e eksterierit, për të cilën ai krijon fizionominë e tij artistike.

Pas viteve ’90, Kreshnik Xhiku bëhet një nga artistët vizualë më aktivë, duke fituar tre çmime në konkursin e arteve pamore “Onufri” dhe bëhet pjesëmarrës dy herë në Bienalen e Ankarasë.

Në planin akademik, ai kthehet në një pikë referimi për studentët e Akademisë së Arteve, ku merr dhe detyrën e Dekanit të Fakultetit të Arteve të Bukura.

Në fillim të viteve 2000, ai shkon përtej oqeanit, ku jetoi për 18 vjet si artist tashmë i formuar dhe me ambicie të forta artistike.

Arrin të fitojë dy çmime të para në konkurset skulpturore organizuar në Washington D.C., si dhe organizon një ekspozitë personale.

Njëkohësisht ai nuk i shkëput marrëdhëniet me Shqipërinë, duke qenë kontribuues i skulpturës në hapësirë, ku ai krijon disa nga monumentet që janë bërë pjesë organike e jetës së qyteteve ku janë instaluar, si statuja e Ahmet Zogut në bulevardin “Zogu I”, “Isa Buletinit” pranë Muzeut Kombëtar, Hasan Xhikut në Gjirokastër, si dhe jashtë vendit ai ka krijuar shtatoren e Skënderbeut në Miçigan dhe atë të Nënë Terezës, në Ohajo të SHBA-së.

Nëpërmjet këtyre veprave ai tregon që është një pasues i denjë i skulpturës shqiptare, por dhe njëkohësisht njohës dhe eksperimentues i formës, duke e thjeshtëzuar atë, por njëkohësisht dhe duke krijuar volume tejet intriguese në thyerjen e kanoneve të tradicionalitetit përmes ndërhyrjeve gjeometrike, të cilat e ruajnë freskinë në raport me plastikën e kërkuar në strukturimin e tërësisë së veprës.

Vepra e tij është tejet organike, duke arritur që me sukses të krijojë një martesë të shëndetshme mes dimensionit, influencave aplikative, si dhe duke thjeshtëzuar një pjesë të elementeve, të cilat heqin vëmendjen nga mesazhi kryesor që kërkon të japë vepra.

Dhe pikërisht në funksion të këtij misioni, ai ka arritur të implementojë me sukses dhe stilizime ku arrin me sukses të aplikojë vepra, ku mund të shmangë edhe figurën njerëzore, por duke na ofruar një mesazh të drejtpërdrejtë të asaj që autori do të transmetojë dhe njëkohësisht duke u investuar dhe te semantika e imazhit, siç është në rastin e veprës instalative “Monedha”, e cila përmes formave të thjeshtëzuara dhe natyralitetit që elementet janë të kompozuara e kthejnë në një vepër që mund të bashkëjetonte në çdo eksterier të cilitdo metropoli.

Ndërkohë me zhvillimin e tij artistik, ai ka evoluar dhe në ndërtimin e figurës njerëzore, duke ecur nëpërmjet një stilizimi, ku figura sa vjen dhe bëhet më elegante në kufijtë e elegancës Xhiakometiane.

Skena e artit bashkëkohor shqiptar, sidomos në volumet në hapësirë, do të ishte e paplotë pa një personalitet artistik si Kreshnik Xhiku./Monitor///

error:
%d bloggers like this: