Nga Etleva XHAJANKA
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se projektligji i ri për ‘Bletarinë’ ndihmon bletarët të rrisin konkurrueshmërinë e tyre pasi ka ende potenciale të pashfrytëzuara në bletari dhe eksporte.
Krifca u shpreh se “ky është një projektligj shumë i rëndësishëm i kryer në bashkëpunim me shoqatat e bletërritësve për herë të parë, si përgjigje e kërkesës së kahershme të komunitetit të bletarëve, por edhe si kërkesë e kohës dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit të bletarisë”.
Sipas saj, me ligjin e ri, përcaktohen rregulla për regjistrimin, transportin, për mbrojtjen nga përdorimi i produkteve veterinare dhe pesticideve që përdoren në bujqësi, ushqyerjen, etiketimin, kontrollin si dhe masat administrative të nevojshme. “E mbrojmë racën e bletës tipike autoktone duke mbrojtur mjedisin dhe prodhimin agropyjor, garantojmë sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit, si themel të punës tonë, duke njohur mirë atë se çfarë vjen nga ferma në tryezë”, theksoi ajo.
“Me këtë projektligj i japim fund monitorimit të species, shtegtimit të tyre të pakontrolluar dhe trajtimit pa kriter të sëmundjeve të tyre me pasoja dhe në humbjen e kolonive të bletëve”, deklaroi Krifca.
Sipas saj, “bletaria është një sektor që ka shënuar rritje të qëndrueshme dhe vetëm gjatë këtij viti kemi një prodhim prej gati 5 200 tonë mjaltë”. “Kemi të ngritura dhe funksionale shoqatat lokale të bletërritësve që janë të grupuara në Federatën e Bletërritësve, ndërsa qeveria ka rritur mbështetjen për këtë sektor vit pas viti”, tha ajo.
Sipas ministres, alokimi së fundi i një buxheti shtesë me një fond 160 milionë lekë plotëson të gjithë kërkesën për mbështetjen për bletërritësit.
“E çojmë fondin total të mbështetjes së drejtëpërdrejtë ndaj 3 mijë bletarëve, me një total financimi prej 310 milionë lekë, vetëm për këtë vit për sektorin e bletarisë”, deklaroi ministrja Krifca. ///
ME SHUME LAJME
Delvinë: Në qytet çmontohen kamera në kundërshtim me ligjin
Kumbaro me kryebashkiakun e Athinës: Promovim i ndërsjellë në turizëm
Berisha: PD në këmbë, deri në largimin e Ramës