SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

KRIIK: Mos shpërdorimi i burimeve shtetërore dhe sjellja e paanshme e nëpunësit të administratës publike, thelbësorë për ushtrimin e së drejtës së votës.

Mos shpërdorimi i burimeve shtetërore kater muaj para ditës zyrtare te zgjedhjeve lokale dhe sjellja e paanshme e nëpunësit të administratës publike, jane thelbësorë për ushtrimin e së drejtës së votës nga ana e qytetareve.

Në datë 16 janar 2023 Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) publikoi QËNDRIMIN PUBLIK “Mos shpërdorimi i burimeve shtetërore si dhe sjellja korrekte dhe e paanshme e nëpunësit të administratës publike, thelbësorë për sigurimin e vullnetit të pacënuar të qytetarit në ushtrimin e së drejtës së votës”.

Ndërkohë që në datën 13 janar nisën një sërë detyrimesh ligjore për institucionet që synojnë të parandalojnë përdorimin e burimeve shtetërore për avantazh elektoral, KRIIK vëren se përdorimi i burimeve shtetërore për avantazh elektoral dhe financimi i subjekteve zgjedhore ishin dy nga çështjet më problematike të evidentuara në proceset e mëparshme zgjedhore, të cilat u dakordësuan për tu adresuar në Kodin Zgjedhor mbi bazën e Marrëveshjes Politike të 5 qershorit 2020. Megjithatë, aplikimi i dispozitave ligjore të amenduara në Zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2021 evidentoi pamjaftueshmërinë e tyre për ta parandaluar fenomenin. Detyrimet ligjore u injoruan masivisht në frymën e tyre, ndërkohë që edhe zbatimi i gërmës së ligjit çaloi në mënyrë të theksuar, duke vendosur precedentë negativë për proceset në vijim, çka u pa edhe në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022.

Në situatën kur, deri më tani, nuk pati asnjë reformim ligjor dhe asnjë reflektim institucional në qasjen e mazhorancës për sa është raportuar e denoncuar dhe nisur nga precedentët e vendosur e hapat e nisur ndërkohë, nëpërmjet këtij Qendrimi Publik,  KRIIK shpreh shqetësimin se tendenca për të përdorur burimet shtetërore për qëllime elektorale do të vazhdojë e çohet edhe më tej, duke i sjellë vendit dhe procesit shtetformues demokratik dëme të pallogaritshme.

KRIIK konstaton se vendimmarrjet e fundit të qeverisë janë haptazi me natyrë elektorale, pavarësisht dobisë dhe domosdoshmërisë që kanë ato në përmbajtje për shtetasit shqiptarë. Këto masa janë një detyrim i shtetit ndaj mirëqënies së qytetarëve të vet, ndaj duhet të parashikohen, procesohen e përcillen tek publiku si të tilla prej anëtarëve të qeverisë e lidershipit të mazhorancës në tërësi.

Për të adresuar këtë problematikë madhore, KRIIK bën disa thirrje publike duke i kërkuar:

– Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që, si një institucion trilateral, të orientohet sipas frymës së ligjit dhe zbatojë atë vetëm në interesin më të mirë dhe të përgjithshëm të qytetarëve, duke konsideruar dhe vlerësuar përmbajtësisht çdo denoncim të paraqitur dhe duke marrë vetë si institucion barrën e provës dhe jo duke ia lënë atë denoncuesit.

– Zyrtarëve të lartë të maxhorancës qeverisëse se është e domosdoshme që ata të vetpërmbahen dhe të tregojnë maturi të lartë, duke mos përdorur ofiqin zyrtar për avantazh zgjedhor, në frymën e ndarjes së partisë nga shteti, sipas parimeve të Dokumentit të Kopenhagës.

– Të gjithë nëpunësve të administratës publike në të gjitha nivelet, pavarësisht nëse kanë statusin e nëpunësit civil ose jo, që të demonstrojnë ligjshmëri dhe paanësi, si dhe të mos lejojnë të përdoren apo të shpërdorojnë pozicionin zyrtar për qëllime elektorale, në asnjë formë.

Një administratë shtetërore e çliruar nga anshmëria politike dhe realisht e pavarur është kusht për ndërtimin dhe konsolidimin e një administrate korrekte dhe profesionale, duke zhbërë kështu sistemin e patronazhit politik të ngritur dhe punësuar paligjshmërisht në rradhët e administratës publike. Për më tepër, që kjo administratë mund të jetë bazë për furnizimin me burime njerëzore të administratës zgjedhore të pavarur të nevojshme për administrimin e proceseve zgjedhore pas vitit 2025 e në vazhdim, sikurse parashikon Marrëveshja Politike e 5 qershorit 2020.

Në përfundim të Qëndrimit Publik, në kushtet e pamjaftueshmërisë së kuadrit ligjor aktual për të parandaluar plotësisht keqpërdorimin e administratës për avantazh elektoral, si dhe të nevojës emergjente për shprehjen e një vullneti politik të qartë në zhbërjen e praktikave negative të mëparshme,  KRIIK i bën thirrje Kryeministrit të Shqipërisë Sh.T.Z. Edi Rama, njëkohësisht lider i maxhorancës dhe Kryetar i Partisë Socialiste që të nxisë dhe miratojë një Vendim të Këshillit të Ministrave i cili të plotësojë elementët e munguar të kuadrit ligjor rregullator aktual dhe të parashikojë ndërmarrjen e hapave konkretë për parandalimin plotësisht të këtij fenomeni, duke përfshirë ndër të tjera edhe kufizimin e nxjerrjes së akteve nënligjore që mund të perceptohen se përdoren për qëllime elektorale për periudhën deri në ditën e zgjedhjeve, si dhe ndalimin e postimeve me natyrë elektorale në media e rrjete sociale nga nëpunësit e administratës publike, qoftë ndarjen e postimeve ashtu edhe pëlqimin e tyre.

Në përfundim, KRIIK i bën thirrje të gjithë institucioneve shtetërore që të marrin masat e nevojshme dhe të ngrenë mekanizma realisht funksionalë që të parandalojnë shpërdorimin e burimeve shtetërore për avantazh elektoral përgjatë kësaj periudhe, deri në ditën e zgjedhjeve, përfshi por pa u kufizuar në Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil. Gjithashtu, KRIIK u bën thirrje qytetarëve, aktorëve të shoqërisë civile, përfshirë gazetarët dhe median në tërësi që të denoncojnë e bëjnë publike çdo shkelje të vërejtur duke investuar mekanizmat që kuadri ligjor ka vendosur në dispozicion në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve apo edhe mekanizma të tjerë institucionalë./sarandanNews.al//

error:
%d bloggers like this: