-ZERI I AMERIKES PER VIZITEN –
Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis ishte sot në Himarë dhe në dy bashki që banohen nga pakica greke në Shqipëri duke shënuar vizitën e parë të një kryeministri grek pas 31 vitesh.
Në Derviçan të Gjirokastrës kryeministri grek u shoqërua nga kryeministri shqiptar Edi Rama.
Udhëheqësit e të dy qeverive vlerësuan rolin e pakicës greke në marëdhëniet greko- shqiptare dhe mbështetjen për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimin Evropian.
Pas një vizite në zonat e Himarës dhe Livadhjasë së Sarandës Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis mbërriti në Derviçan të Gjirokastrës për t`u takuar me banorë të zonës, pjesëtarë të pakicës greke në Shqipëri. Kryeministri grek u prit nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe pjesëtarë të kabinetit qeveritar të të dy vendeve.
Në sheshin e Derviçanit drejtuesit e të dy qeverive mbajtën fjalime të shkurtra ku vlerësuan nivelin aktual të marrëdhënieve mes Athinës dhe Tiranës dhe shprehën vullnetin për përparimin e tyre.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi rolin e pakicës greke në Shqipëri si një urë lidhëse mes të dy vendeve.
“Për ne minoriteti është një urë e pazëvendësueshme e lidhjes së pa zgjidhshme mes dy vendeve tona dhe me shumë mirënjohje dua t’i përshëndes të gjithë ata qytetarë si ju të Republikës së Shqipërisë me kombësi greke, që i kanë dhënë shumë jo vetëm këtij komuniteti, por i kanë dhënë shumë vendit”.
Zoti Rama vlerësoi kontributin e banorëve të pakicës greke në Shqipëri dhe sidomos komunitetin e biznesit nga kjo zonë.
“Falë lirisë dhe hapjes së kufijve pas një periudhe të gjatë izolimi banorët mund të lëvizin lirisht mes kësaj ane dhe asaj ane të kufirit dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që përfaqësuesit e këtij komuniteti në sipërmarrjen shqiptarë janë nga më të rëndësishmit në ekonominë tonë.”
Edhe Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis tha se minoriteti grek është urë bashkëpunimi midis dy popujve fqinje.
“Minoriteti grek është urë bashkëpunimi midis dy popujve fqinje. Nëse kjo ndodhte përpara 31 vitesh aq më shumë kjo vlen sot dhe duhet ta dini se me kryeministrin Edi Rama kemi bashkëpunim shumë të ngushtë. I njohim, jemi në dijeni të problemeve që ju preokupojnë dhe do mund t’i fusim ato në rrugën e zgjidhjes me frymë bashkëpunimi, me frymë predispozicioni pozitiv“.
Çështja e mbështetjes për të moshuarit është duke u futur në rrugën e zgjidhjes përfundimtare tha zoti Mitsotakis për banorët që më parë merrnin pensione sumplementare nga Greqia te cilat u ndërprenë pas krizës financiare në Greqi.
Kryeministri grek foli edhe për perpektivën evropiane te Shqipërisë dhe mbështetjen e Greqisë si si një vend anëtar i Bashkimit Evropian.
Nuk është e rastit që sot janë dy flamuj, grek dhe ai shqiptar dhe mes tyre është flamuri i Bashkimit Europian . Rruga për integrimin e Shqipërisë nuk do të jetë e lehtë, por do jetë e shpejtuar sepse Shqipëria ia vlen të bëhet pjesëtare e Europës. Ju do keni dobi nga ky zhvillim që t’iu ndihmojë dhe t’iu mbështesë.
“Mund të bëjmë akoma më shumë tha më tej kryeministri grek për të zhvilluar të dyja zonat, zonën tuaj dhe zonën që ndodhet në Greqi dhe jemi duke e futur në rrugë çështje dhe projekte mjedisore, sic është edhe lumi i Vjosës, i cili buron nga Janina, por përshkon një rrugë të gjatë në Shqipëri dhe është i vetmi lum i madh në Europë që nuk ka diga dhe duam së bashku, qeveria greke dhe shqiptare, ta mbrojmë atë. Këto janë projekte të cilat përfundimisht do të dalin në dobi të të dy popujve, tha zoti Mitsotakis”.
Një ditë më parë Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, vizitoi Tiranën në fund të një turi rajonal në Beograd dhe Prishtinë.
Gjatë bisedimeve mes tij dhe ministres së Shqipërisë për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, është shprehur sërish gatishmërinë për një kompromis mbi përmbajtjen e kërkesës, që do t’i dërgohet Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me çështjen e shenjimit të zonave detare midis të dy vendeve.
Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord para dy vjetësh që ta kërkojnë zgjidhjen e këtij problemi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë./VOA///
ME SHUME LAJME
Parashikimi i motit, e mërkurë, 6 dhjetor 2023
Parashikimi i motit, e martë, 5 dhjetor 2023
SOFT NEWS – Mbajtja e një qeni ul rrezikun e demencës