Përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100 mijë banorë edhe në vitin 2019 e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Vlorë.
Kështu deklaroi sot, kryeprokurori Olsian Çela, ndërsa raportoi në Komisionin e Ligjeve mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2019.
Çela tha se “gjatë vitit 2019, në zbatim të kërkesave dhe procedurave ligjore, janë kryer hetime proaktive me përdorim të mjeteve të posaçme të hetimit, në kuadrin e 309 procedimeve për veprat penale kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme përfshi dhe veprat penale kundër narkotikëve, pastrimit të parave dhe krimeve të rënda të tjera të lidhura me to, ose me rritje 23,6 për qind krahasuar me vitin 2018”.
Ky proces, sipas tij, “i ka shërbyer parandalimit të veprimtarisë kriminale si dhe goditjes dhe arrestimit të 420 personave të përfshirë në kryerjen e këtyre veprave penale”.
“Referuar treguesve statistikorë, për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, që parashikon neni 333/a i Kodit Penal dhe vepra penale të tjera të kryera në kuadrin e grupit të strukturuar, në vitin 2019 rezulton se janë regjistruar 51 procedime penale, prej të cilëve 13 procedime me 126 të pandehur janë dërguar në gjykatë, ose krahasuar me vitin 2018 me rritje 24,4 % të numrit të procedimeve të regjistruara dhe me rritje 116 % të numrit të procedimeve dhe mbi 300 % të numrit të personave të dërguar për gjykim për këtë vepër”, tha Çela.
Ndërsa, në kuadrin e luftës kundër terrorizmit, ai tha se janë regjistruar 10 procedime penale ose krahasuar me vitin 2018 me rritje rreth 1,5 herë të numrit të procedimeve të regjistruara për këto vepra penale.
Çela tha se në vitin 2019, Prokuroria për Krime të Rënda ka paraqitur në gjykatë 4 kërkesa për konfiskim pasurie të cilat janë në proces gjykimi, ndërsa janë pranuar nga gjykata 9 kërkesa të prokurorisë për sekuestrim pasurie, ose krahasuar me vitit 2018 me rritje 28 % të kërkesave të pranuara nga gjykata për sekuestrime pasurore.
“Për sa më sipër konsiderojmë se ka rritje të masave e treguesve statistikorë të hetimeve pasurore dhe pasurive të sekuestruara me vendime gjyqësore, si me anë të sekuestrove preventive në zbatim të Kodit të Procedurës Penale, ashtu dhe të sekuestrimeve të pasurive në zbatim të ligjit nr. 10192/2009 “antimafia”, si dhe ka rritje të treguesve të bashkëpunimit në marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në këtë fushë”, tha ai.
Kryeprokurori tha se “gjatë vitit 2019, organi i prokurorisë në hetimet paraprake ka trajtuar 59 888 materiale kallëzimi, që përbën një rritje prej 3,73 % në krahasim me vitin 2018”.
“Janë ndjekur gjithsej 44 289 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 3,45 % në krahasim me vitin 2018, nga të cilat 30748 janë procedime penale të regjistruara, me një ulje prej 2,10 % në krahasim me vitin 2018 dhe 584 procedime penale të rifilluara, që tregon rritje prej 20,16 % në krahasim me vitin 2018”.
“Janë mbartur nga viti 2018, 12 957 procedime penale me një rritje prej 18,66 % krahasuar me procedimet e mbartura nga viti 2017. Është vendosur mosfillimi i procedimit për 15599 referime dhe kallëzime penale, me një rritje prej 4,55 % në krahasim me vitin 2018. Edhe në vitin 2019 numrin më të madh të procedimeve e ka regjistruar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me 31,31 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi”, tha ai, ndërsa renditi edhe prokuroritë e tjera me shifrat më të larta.
Çela tha se “përqindja më e ulët e kriminalitetit për 100.000 banorë edhe në vitin 2019 e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Vlorë”.
“Sa i përket tendencës, vërehet se rritjen më të lartë për vitin 2019 e ka qarku Gjirokastër me 15,39 %, ndërsa në qarkun Shkodër vërehet ulje e koeficentit të kriminalitetit me 20,61 %. Sa i përket raportit të ndarjes së veprave penale (krimeve dhe kundërvajtjeve), bazuar në statistikat e vitit 2019, rezulton se 83 % e procedimeve penale i përkasin krimeve dhe 17 % i përkasin kundërvajtjeve penale”, tha ai.
ME SHUME LAJME
10 vite drejtues i vendit, keni plane të vijoni? Rama për BBC Radio: S’do ndalem sa kohë ndjej zjarr brenda meje
Rama në BBC: T’i vësh krimit vulë etnike është në vetvete krim
Himarë. Pranga për një 38 vjeçar. Rast i veprimtarisë kriminale kundrejt fitimit për trafikim klandestinësh.