SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka inspektuar nisjen e sezonit veror në Dhërmi.

Së bashku me kryetarin e bashkisë Jorgo Goro dhe prefektin e Vlorës Flamur Mamaj, Kumbaro u shpreh se, gjithë vëmendja do të jetë në terren për të garantuar respektimin e rregullave për parcelat e plazheve dhe strukturat “beach bar”.“Lejet për strukturat e përkohshme të shërbimit që janë ‘beach baret’, janë miratuar dhe ka mbaruar gjithë procesi. Subjektet kanë marrë nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit edhe sugjerimet ku duhet të bëjnë ndryshime në projekt. Të gjitha lejet janë të publikuara në faqen zyrtare, duke u bërë për herë të parë sistemimi i strukturave të përkohshme të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit, kështu që për çdo përpjekje për të ndërtuar pa leje, duhet të dihet që IKMT do të jetë gjatë gjithë kohës në territor. Është i nevojshëm bashkëpunimi me bashkitë dhe prefektin për çdo qark, për të kuptuar kush ka leje dhe kush nuk ka, tek pjesa e formalitetit nuk do të falim. Nga ana tjetër është mirë ta parandalojmë, sepse nuk është mirë as për pushuesit kur shkon me forcat për të prishur një objekt në mes të sezonit. Kjo është arsyeja pse janë publike të gjitha lejet”, u shpreh Kumbaro.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro tha se, nisja e procesit të dhënies në menaxhim të parcelave për subjektet private që në vjeshtën e vitit të kaluar, ka sjelle efekte shumë pozitive në terren.

“Është hera e parë që ne si bashki nuk jemi në terren për të përcaktuar vendet sepse i dimë. Puna e hershme ka filluar të japë efekt dhe të gjithë janë të impenjuar që t’i mbyllin sa më shpejt përgatitjet për sezonin”, u shpreh Goro.

Prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Mamaj tregoi se, karakteristikat e motit në Dhërmi e bënin të pamundur vendosjen e stacioneve të plazhit më herët, por subjektet kanë qenë të qarta për procesin dhe për hapësirat e tyre.

“Deri në prill në Dhërmi ka shumë era të forta. Kjo bën që subjektet të shmangin vendosjen e çadrave. Parapërgatitjet që filluan shumë herët janë shumë të mira, ka filluar të japë efektin dhe të gjithë janë të impenjuar ta përfundojnë sa më shpejt për të qenë gati”, tha Flamur Mamaj.Ministrja Mirela Kumbaro bisedoi edhe biznese të zonës, duke u kërkuar që të përfundojnë çdo punim brenda datës 1 qershor.

“E kemi nisur këtë punë që në shtator, ndërkohë ju e nisni javën e fundit të majit. Më 1 qershor, nëse nuk e mbyllni, ka të tjera masa. Shteti e ka filluar punën që në shtatorin e një viti më parë dhe na shkoi goja mbrapa duke u thënë gjithë privatëve që filloni punën. Duhet të sistemohet, të jetë estetike, sepse është pjesë e së gjithës, të rroftë hoteli kur nuk bën pjesën jashtë”, tha Kumbaro gjatë bisedës me një sipërmarrës të zonës.///

error:
%d bloggers like this: