SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Lame: Nga java tjetër, në dispozicion të qytetarëve edhe shërbimet e përshpejtuara

 Drejtori i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame informoi sot se nga java tjetër do të aplikohen shërbimet e përshpejtuara për të gjithë qytetarët që dëshirojnë ti marrin shërbimet brenda 48 orëve, kundrejt një pagese shtesë.

“Në anglisht i thonë “First in – first out”. Në shqip do ishte “I pari në radhë – i pari në shërbim”. Pra nëse një punonjës i zyrës së Kadastrës ka në përpunim 5 aplikime të ndryshme nga qytetarët, tashmë ai nuk mund të zgjedhë të mbarojë më shpejt atë që i pëlqen, apo që e ka komshi, apo shokun e çunit; tashmë sistemi elektronik nuk e lejon të vazhdojë aplikimin e sotëm pa evaduar të djeshmin”, tha ai.

Lame tha se “ky është rregullimi i fundit që u aplikua në sistemin e shërbimeve kadastrale”.

“Ka rreth një muaj që funksionon dhe ka dhënë rezultatet e veta në përmirësimin e kohës së dhënies së shërbimeve. Zbatimi këtij rregulli, na nxori në dukje një problem të ri. Deri dje, nëse kishe një emergjencë, mjaftonte miku në hipotekë që ta mbarojë hallin brenda ditës. Tashmë, me sistemin e ri, s’kishte Zot të të bënte derman për ta nxjerrë jashtë radhe, sepse siç e kam thënë edhe here tjetër, “kompjuteri nuk ha mik””, tha ai.

Por, Lame tha se problemi mbetej, pasi gjithmonë do të ketë qytetarë apo subjekte që, për një arsye apo një tjetër, kanë nevojë që të shërbehen jashtë radhe.

“Për arsye nga më të ndryshmet, pjesëmarrje nëpër tendera, kërkesa për kredi, afate të limituara, e deri të llojit dua të mbaroj punë deri nesër sepse do iki në Amerikë pasnesër.
Në këto kushte u përgatit dhe, prej disa ditësh ka hyrë në funksionim, një shërbim i ri i quajtur APP dmth ‘Aplikim me procedurë të përshpejtuar’. Pra qytetari që ka nevojë ta përfundojë brenda 48 orësh, një shërbim normal me afat 10-ditor, tani mjafton që, gjatë plotësimit të procedurave të aplikimit, të përzgjedhë shërbimin APP dhe shërbimi do t’i jepet brenda 48 orësh. Natyrisht që ky shërbim ka një shtesë: Kushton më shtrenjtë se shërbimi normal”, tha ai.

Lame informoi se “gjatë kësaj jave shërbimet e përshpejtuara janë aplikuar në sistemin e noterëve, të cilët mbulojnë afërsisht 50% të shërbimeve të qytetarëve”.

“Kjo periudhë shërbeu edhe si periudhë prove për përmirësime dhe kolaudimin e procedurave. Nga java tjetër, shërbimet e përshpejtuara do të shtrihen e për të gjithë qytetarët. Me aplikimin e shërbimeve të përshpejtuara, përmbyllet faza e risive të planifikuara dhe implementuara përgjatë viteve 2021-2022 për përmirësimin sasior të shërbimeve në Kadastrën Shqiptare”, tha ai.

Sipas Lames, me vitin 2023 fillon faza tjetër e ndryshimit të fytyrës së institucionit, ku do të thellohemi në përmirësimin cilësor të shërbimeve të dhëna, ku ka ende shumë për të bërë./atsh///

error:
%d bloggers like this: