SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se nuk ka asnjë akuzë zyrtare kundër tij në SHBA lidhur me çështjen “McGonigal”.

Në fjalën e tij në Kuvend lidhur me mocionin me debat të opozitës pas akuzave që janë ngritur në SHBA për ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, Rama tha se “prej javësh në Shqipëri ka shpërthyer një kanal ujërash të zeza në një përpjekje për të shfrytëzuar politikisht një proces gjyqësor në SHBA që nuk ka asnjë lidhje me shtetin shqiptar, me qeverinë e Shqipërisë apo me mua personalisht”.

“Çfarë ka ndodhur konkretisht: Një ish-zyrtar i lartë i FBI, përkatësisht ish-shefi i Kundërinteligjencës në rajonin tonë ku aktakuza shënon se ai ka vizituar edhe Shqipërinë dhe ku është takuar me mua. Aktakuza shënon gjithashtu se ai nuk ka deklaruar udhëtimet apo takimet në rajon dhe nënvizon se ka marrë para borxh nga një shtetas shqiptaro-amerikan i ashtuquajtur personi A. Në rreshtat e aktakuzës përmendet edhe hetimi amerikan i parave ruse të PD-së ku shënohet që personi A ka marrë nga zyra ime një material lidhur me këtë çështje. Aktakuza flet edhe për një person B , i cili ka qenë këshilltar i jashtëm i imi disa vite më parë dhe i njohur i të akuzuarit. Procesi nuk ka asnjë të akuzuar tjetër përveç ish-zyrtarit të lartë të FBI-së Charles McGonigal. Kaq janë faktet siç paraqiten në aktakuzën që i ka kaluar Gjykatës së SHBA”.

“Por pavarësisht një hetimi të gjatë për të cilin unë kam marr vesh vetëm kur ka dalë në media më saktë kur janë pyetur nga një gazetar amerikan në mos gabohem në Insider në të tërë rreshtat e aktakuzës nuk ka asnjë akuzë dhe as edhe një të dhënë tjetër përveç raportimit korrekt dhe të përsëritur të takimeve të mia me zyrtarin e lartë amerikan, por edhe faktit të vërtetë se ai ka folur me mua për rrezikun rus, mirëpo fronti i prokurorisë mediatike politike i pranishëm edhe në këtë sallë me krejt shtatmadhërinë e vet po zhvillon me hov revolucionar në pazar një tjetër proces hetimor gjyqësor përmbarimor këtu në Shqipëri. Se kush janë dhe kush e bën këtë autorët e kësaj vetëgjyqësie të harbuar besoj s’ka shumë nevojë për shpjegim, dihen, njihen, shquhen botërisht për nisma të kësaj natyre dhe as nuk i ngatërron dot me dikënd tjetër, por edhe as nuk bëhen dot dikush tjetër”, nënvizoi Rama.

Janë po ata, vijoi Rama, që kur ishin në pushtet i kanë bërë të tëra të zezat, për të cilat na akuzojnë natë e ditë qysh se ranë në opozitë.

“Jo vetëm që nuk kanë nevojë për shumë shpjegime rreth tyre , por as unë nuk kam ardhur sot dhe s’do të vij më këtu për ta. Këtu kam ardhur dhe do të vijë sa herë të jetë nevoja për respekt të zgjedhësve që kam nderin të përfaqësoj dhe deputetëve të shumicës  të cilët sot nuk mund t’i lija vetëm në këtë mocion absurd për debat. Ky është mbase mocioni më absurd në historinë e këtij kuvendi, një kulmim i përçarjes dhe përçartjes së kundërshtarëve të kësaj shumice në formën e një marrie konspirative, të cilën prodhuesit e filmave me spiunazhë në Hollywood do ta refuzonin si një shthurje delirante të fantazisë njerëzore”, tha Rama.///

error:
%d bloggers like this: