SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Mediet prestigjioze jehonë deklaratës së Ramës: BM të ndalojë diskriminimin ndaj shqiptarëve

-Mediet prestigjioze britanike, kanë pasqyruar gjerësisht reagimin e kryeministrit Edi Rama ndaj zyrtarëve të Britanisë së Madhe. “The Guardian”- Edi Rama u kërkon ministrave britanike të ndalojnë diskriminimin e shqiptarëve pas deklaratave të Suella Braverman në Dhomën e Komuneve.

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka akuzuar qeverinë e kryeministrit britanik, Rishi Sunak për përdorimin e qytetarëve të vendit të tij si koka turku për politikat e dështuara të imigracionit pas deklaratave kritike të Suella Braverman për azilkërkuesit shqiptarë.Edi Rama shkroi se Britania e Madhe po shënjestronte, në mënyrë të rreme shqiptarët, si shkaku i krimit të Britanisë së Madhe dhe problemeve kufitare. Në një seri postimesh në Twitter, ai i bëri thirrje Britanisë së Madhe që të luftonte bandat e krimit të të gjitha kombësive dhe të ndalonte diskriminimin ndaj shqiptarëve.

Ndërhyrja e tij mund të sjellë telashe për qeverinë e Britanisë së Madhe, e cila po përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet me Shqipërinë, ndërsa kërkon të kthejë mijëra migrantë që kanë mbërritur së fundmi me varka të vogla. Robert Jenrick, ministri i Imigracionit, do të vizitojë Tiranën brenda disa javësh për të diskutuar kthimin e disa azilkërkuesve. Reagimi i kryeministrit shqiptar vjen pas një sërë komentesh nga ministrat dhe zyrtarët e Britanisë së Madhe që pretendonin se shqiptarët qëndronin pas një stuhie të fundit të mbërritjeve me varka të vogla përgjatë Kanalit dhe se shumë prej tyre ishin të përfshirë ose viktima të krimit të organizuar.

Rama, një anëtar i së majtës socialiste dhe kryeministër që nga viti 2013, shkroi: “Të vësh në shënjestër shqiptarët (siç bënë disa në mënyrë të turpshme kur luftuan për Brexit) si shkaku i krimit të Britanisë së Madhe dhe problemeve kufitare e bën retorikën e lehtë, por injoron faktin e vështirë. Të përsërisësh të njëjtat gjëra dhe të presësh rezultate të ndryshme është çmenduri (pyete Ajnshtajnin!).

“70% e 140 000 shqiptarëve që janë shpërngulur në Britaninë e Madhe jetonin në Itali dhe Greqi. 1200 prej tyre janë biznesmenë. Shqiptarët në Britaninë e Madhe punojnë shumë dhe paguajnë taksa. Britania e Madhe duhet të luftojë bandat e krimit të të gjitha kombësive dhe të ndalojë diskriminimin ndaj shqiptarëve për të justifikuar dështimet e politikave.”Braverman zemëroi shumë shqiptarë duke hedhur pretendime për qytetarët e tyre në parlament të hënën. “Nëse Laburistët do të ishin në krye, ata do të lejonin të gjithë kriminelët shqiptarë të vinin në këtë vend, do të lejonin të gjitha varkat e vogla të vinin në Britaninë e Madhe, do të hapnin kufijtë tanë dhe do të minonin plotësisht besimin e popullit britanik në kontrollin e sovranitetit tonë”, u tha ajo deputetëve.

Sekretarja e Brendshme, e cila është përballur me kritika të tjera pasi pretendoi se bregdeti jugor i Anglisë po pushtohet nga azilkërkuesit, kritikoi gjithashtu azilkërkuesit shqiptarë në konferencën e partisë Konservatore muajin e kaluar. “Shumë prej tyre pretendojnë se janë trafikuar si skllevër modernë… e vërteta është se shumë prej tyre nuk janë skllevër modernë dhe pretendimet e tyre se janë trafikuar janë gënjeshtra”, tha ajo. Shqetësimet për imigrantët që vinin në Britaninë e Madhe nga Shqipëria u rritën javën e kaluar pas një paralajmërimi të Dan O’Mahoney, komandanti i kërcënimit klandestin i “Home Office”. O’Mahoney pretendoi se kishte pasur një rritje “eksponenciale” të shqiptarëve që mbërrinin me varka të vogla, sepse bandat kriminale shqiptare kishin një vend të sigurt në Francën veriore dhe po lehtësonin kalimet.

Ai tha se numri i shqiptarëve që kaluan në Britaninë e Madhe këtë vit ishte “midis 1 dhe 2% e të gjithë popullsisë mashkullore të Shqipërisë”, një shifër që është kontestuar nga autoritetet shqiptare.

Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe thonë se janë portretizuar si kërcënues nga sekretari i Brendshëm. Lea Ypi, një akademike dhe profesoreshë shqiptare në “London School of Economics” tha se anëtarët e diasporës ishin shqetësuar jashtëzakonisht shumë  nga deklaratat e ministrave, përfshirë Braverman.“Ka pasur një kok turku të emigrantëve nga ministrat dhe shqiptarët rrezikojnë të jenë në shënjestër,” tha Ypi.

Vetë termi ‘pushtim’ po përdoret nga sekretari i Brendshëm. Është gjuhë nxitëse dhe po përdoret kundër një komuniteti të caktuar. Kur vendos diçka të tillë në sferën publike, ajo monopolizon vëmendjen dhe i bën njerëzit të paaftë të zhvillojnë një bisedë për një komb të tërë që nuk i sheh ata apo njerëzit e tyre si burim rreziku.Ajo veçon një grup minoriteti, i cili është i mirë integruar në BM dhe na ka bërë objekt ksenofobie. Qytetarët janë në shënjestër. Është një diskurs i fajësimit të emigrantëve për problemet që janë problemet e qeverisë.Rreth 140 mijë persona me origjinë shqiptare janë vendosur në Britaninë e Madhe. Rreth 90 000 erdhën në Britaninë e Madhe midis 2008 dhe 2013 dhe dhjetëra mijëra erdhën në BM midis 1991 dhe 2008 pasi ishin bërë shtetas të BE-së, shpesh në Itali ose Greqi.

Janë rreth 1300 biznese të drejtuara nga shqiptarët në të gjithë Britaninë e Madhe, shumica e të cilave janë në Londër dhe 58 akademi që drejtojnë kurse të gjuhës shqipe për fëmijët e shqiptarëve që jetojnë në BM.Rama tha se retorika e Britanisë së Madhe mund të përfundojë duke dënuar të pafajshmit, dhe se kur Gjermania kishte probleme me ardhjet e parregullta nga përtej kufirit, ajo shtrëngoi sistemet e veta.

Ai shkroi: “Ne kemi për detyrë të luftojmë krimin në shtëpi dhe po e bëjmë këtë me vendosmëri, pasi bashkëpunojmë ngushtë edhe me të tjerët. Gati për të punuar më afër me Britaninë e Madhe, por faktet janë vendimtare. Kështu është edhe respekti i ndërsjellë”.Reagimi i kryeministrit Rama vjen një ditë pasi një gjeneral britanik i caktuar për të goditur emigrantët shqiptarë vizitoi Tiranën. Gjeneral-lejtënant Stuart Skeates u takua me zyrtarë shqiptarë në rolin e tij si koordinator i posaçëm për migracionin e paligjshëm shqiptar për të diskutuar përshpejtimin e largimeve.

Zhgënjimi kryesor në Tiranë është dështimi i qeverisë së Britanisë së Madhe për të zbatuar një marrëveshje për dëbimet e shpejta të shqiptarëve që mbërrijnë ilegalisht në BM nëpërmjet një vendi të tretë të sigurt. Mungesa e progresit në marrëveshje është në kontrast me marrëveshje të ngjashme që Shqipëria ka nënshkruar me Francën dhe Gjermaninë.Braverman u tha deputetëve se kryesisht ishin të rinjtë beqarë nga Shqipëria, të cilët ishin pjesë e bandave të organizuara kriminale, dhe e siguronin udhëtimin e tyre përmes mjeteve të mbrapshta, ose vinin në BM për të marrë pjesë në aktivitete kriminale, veçanërisht ato të lidhura me drogën.

“The Times” – Kryeministri Rama akuzoi Suella Braverman se ka përdorur ‘retorikën e lehtë’ për të fshehur dështimet e politikave të imigracionit.

Kryeministri i Shqipërisë ka dënuar retorikën e Suella Braverman kundër emigrantëve ndersa shtoi se Britania e Madhe duhet ta trajtojë vendin e saj me respekt nëse dëshiron të arrijë një marrëveshje kthimi.

Edi Rama tha se ishte çmenduri të fajësosh emigrantët shqiptarë si shkakun e krimit të Britanisë së Madhe dhe problemeve kufitare. Ai e sulmoi Braverman për gjuhën që ajo përdori këtë javë kur ajo e përshkroi krizën e emigrantëve si një “pushtim” dhe e akuzoi atë se po përdorte një “retorikë të lehtë” për të fshehur dështimet e politikave të imigracionit në vend.

Rama shkroi në Twitter: “Të përsërisësh të njëjtat gjëra dhe të presësh rezultate të ndryshme është çmenduri (pyete Ajnshtajnin!). Ai citoi shifra që sugjerojnë se 70 për qind e 140 000 shqiptarëve në BM jetonin më parë në vende të pasura evropiane si, Italia dhe Greqia dhe nuk kishin udhëtuar direkt nga Shqipëria. Ai tha se 1200 prej tyre ishin biznesmenë. “Shqiptarët në Britaninë e Madhe punojnë shumë dhe paguajnë taksa. Britania e Madhe duhet të luftojë bandat e krimit të të gjitha kombësive dhe të ndalojë diskriminimin e shqiptarëve për të justifikuar dështimet e politikave”.

Rama sugjeroi se retorika nga ministrat dhe zyrtarët në qeverinë e Britanisë së Madhe që përshkruante shqiptarët si kriminelë dhe gangsterë kishte dëmtuar shanset për të arritur një marrëveshje më të ngushtë mbi krimin dhe emigracionin midis dy vendeve. “Shqipëria ishte gati të punonte më afër me Britaninë e Madhe, por faktet janë vendimtare. Po ashtu edhe respekti i ndërsjellë”, tha ai. Reagimi i tij ishte një goditje për shpresat e Rishi Sunak për të rënë dakord për një marrëveshje me vendin ballkanik që do të mundësonte deportimin e emigrantëve shqiptarë që kalojnë Kanalin me varka të vogla brenda disa ditësh pas mbërritjes. “The Times” zbuloi sot se ministrat ishin të bindur se do të bien dakord për detajet e marrëveshjes së kthimit të shpejtë brenda javëve të ardhshme, e cila do të deportonte emigrantët shqiptarë përpara se ata të mund të apelonin kundër kërkesave të refuzuara për azil.

Robert Jenrick, ministri i Imigracionit, do të udhëtojë në Shqipëri brenda dy javëve të ardhshme.

Rama shtoi në Twitter: “Shqipëria është një vend i NATO-s dhe po negocion anëtarësimin e saj në BE. Është gjithashtu një vend i sigurt origjine. Kur Gjermania pati një problem të ngjashëm, ajo shtrëngoi sistemet e veta. Britania e Madhe mund dhe duhet të bëjë të njëjtën gjë, duke mos u përgjigjur me një retorikë krimi që përfundon duke dënuar të pafajshmit”. /atsh///

error:
%d bloggers like this: