SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Memorie: “Kodiku Beratas”, botim kritik përgatitur nga Bardhyl Demiraj

Nga Anila OMARI

Kodiku i Beratit, i njohur ndryshe edhe si Dorëshkrimi i Kostë Beratit, është një kodik i fundit të shekullit XVIII ose fillimit të shek. XIX, i shkruar pas gjithë gjasash në Berat, dhe mendohej të jetë shkruar prej një murgu të quajtur Konstandin, edhe pse autorësia e tij nuk është e vërtetuar. Sot ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës. Libri prej 152 faqesh përmban në pjesën shqip të tij disa lutje fetare e pjesë Ungjilli, një vjershë himn mbi vuajtjet e Krishtit “Zonja Shën Mëri përpara kryqësë” me tekstin përgjegjës greqisht, si dhe dy fjalorthë greqisht-shqip. Përveç këtyre pjesëve shqip ka edhe një kronikë në greqisht që përshkruan ngjarje midis viteve 1764-1789. Dorëshkrimi është teksti më i plotë që njohim në trashëgiminë kulturore shqipe në hapësirën kulturore ortodokse të Jugut në shek. XVIII. Për shumëllojshmërinë e teksteve që përmban dhe materialin gjuhësor të shqipes në to, ky dorëshkrim përbën një vlerë të rrallë në shkrimet shqipe me alfabetin grek.

Falë nismës fatlume të kohëve të fundit të Bibliotekës Kombëtare për digjitalizimin e dorëshkrimeve të hershme shqipe përmes Portalit të saj albanologjik, tani studiuesit kanë mundësi të konsultojnë e t’i shfrytëzojnë këto dorëshkrime të rralla në internet.
Një produkt i suksesshëm i këtij shërbimi është vepra integrale “Kodiku i Beratit”, me një botim kritik të pjesës shqip përgatitur nga prof. Bardhyl Demiraj. Autori është i mirënjohur tashmë, ndër të tjera, për punën e tij të vlefshme me botimet filologjike-tekstuale të teksteve të vjetra shqipe, kryesisht të arealit verior të shekujve XVII-XVIII. Përpunimi filologjik i një teksti shqip në dorëshkrim, të shkruar me alfabetin grek, siç është kodiku i Beratit, përbën për studiuesin një sfidë të re, të cilën vetëm një punë këmbëngulëse e intensive ia ka dalë ta përballojë me sukses. Ky tekst që përfaqëson trashëgiminë e letërsisë shqipe të shekullit XVIII, nuk ka qenë botuar i plotë, por vetëm pjesërisht (nga A. Hetzer) ose i transkriptuar e i pabotuar (nga I. M. Qafëzezi).

Studimi është në standardin e punimeve të tjera filologjike-albanologjike të autorit dhe në përgjithësi të studimeve të filologjisë tekstuale të kohës së sotme, duke ndjekur parimet metodologjike dhe parametrat shkencorë bashkëkohorë të kësaj disipline. Autori ka sjellë para lexuesit një botim kritik sa më afër realitetit gjuhësor të materialit origjinal të tekstit të dorëshkrimit, duke kapërcyer hap pas hapi vështirësitë e punës me tekstin dhe me variacionet e shumta e të ndryshme brenda tij. Fazat e punës ekdotike me tekstin shtjellohen në kapitujt II, III dhe IV që përmbajnë riprodhimin e tekstit sipas metodave normative të botimit të tij: 1) botimin anastatik të materialit bashkë me riprodhimin diplomatik të teksteve greqisht-shqip dhe të teksteve vetëm shqip me alfabetin grek, 2) transkriptimin e zgjeruar të tekstit shqip në alfabetin e sotëm të shqipes, 3) një variant të normalizuar të tekstit shqip, i cili nga njëra anë ruan origjinalitetin e tekstit dhe nga ana tjetër ia lehtësojnë leximin e rrjedhshëm të tekstit një rrethi më të gjerë lexuesish.
Për hir të dhënies sa më të plotë të tekstit të dorëshkrimit, botuesi ka përfshirë edhe përkthimin e pjesës greqisht të tij, e cila paraqet interes për kronikat nga Berati, por edhe qytete të tjera si Elbasani e Vlora, që paraqesin gjendjen ekonomiko-sociale dhe historiko-politike të këtyre trevave në fund të shekullit XVIII, nën përkthimin e Ilo Mitkë Qafëzezit, që deri më sot kishte mbetur pa botuar.

Pjesë e domosdoshme e një botimi kritik sipas parametrave bashkëkohorë të filologjisë tekstuale është studimi hyrës që paraqet kornizën paratekstuale të tekstit në shqyrtim dhe trajtimin e çështjeve filologjike e gjuhësore që kanë të bëjnë me interpretimin e tekstit dhe kriteret e botimit. Në rastin e këtij botimi studimi hyrës është shtjelluar në formën e një triptiku me këto tematika:

1) Korniza paratekstuale e materialit në dorëshkrim, ku paraqiten gjendja e studimeve dhe e njohurive të deritanishme për dorëshkrimin në fjalë, ku spikasin emrat dhe puna e studiuesve Ilo Mitkë Qafëzezi, Namik Resuli e Armin Hetzer; rrethanat historike, kulturore e sociale të krijimit të dorëshkrimit, autorësia e tij dhe vendi që zë ai në letërsinë e arealit kulturor ortodoks të Jugut me alfabet grek dhe me alfabet origjinal në shek. XVIII, si dhe jepet një përshkrim fizik i dorëshkrimit në formë e në përmbajtje. Këto kërkime mbështeten gjerësisht në studimet e thelluara e të mprehta të albanologut gjerman Armin Hetzer, i cili vlerësohet lart nga autori duke vënë në dukje edhe mungesën e njohjes nga publiku shqiptar të punimeve të shkëlqyera të këtij studiuesi për shkrimet shqipe dhe qarkullimin e librit shqip. Një nga problemet e debatuara lidhur me dorëshkrimin është edhe autorësia e tij. Ky studiues ka argumentuar se emri Konstandin lidhet jo me shkruesin, por me perandorin Konstandin dhe datën e festës së tij, prandaj edhe autorësia e një murgu me emrin Kostë Berati vihet në dyshim, madje mëtohet për ekzistencën e më shumë se një shkruesi.

2) Kodi alfabetik dhe rregullat e leximit në shqip. Gjatë punës për digjitalizimin e dorëshkrimit shqip me shkronja greke janë analizuar kodi alfabetik dhe sistemi drejtshkrimor i tekstit, të cilët janë mbledhur dhe klasifikuar për të zbuluar rregullat e leximit në shqip të shkronjave greke dhe kombinimeve të tyre. Fondi i grafemave dhe kombinimet e tyre janë paraqitur në mënyrë të sistematizuar në një tabelë ku jepet në mënyrë të krahasuar alfabeti i Kodikut Beratas me alfabetin e sotëm të Manastirit dhe me alfabetin fonetik ndërkombëtar IPA si dhe me shembujt përkatës të dorëshkrimit. Kjo tabelë i jep mundësi lexuesit të orientohet për leximin e drejtë të tekstit shqip të transkriptuar. Autori i botimit kritik ka vënë re dhe një varg anomalish e vështirësish në leximin në shqip të grafemave dhe kombinimeve të tyre greqisht, që kanë rrjedhur nga prania e tingujve të shqipes që nuk ekzistojnë në sistemin fonetik të greqishtes. Në disa raste të tilla shkruesit kanë dhënë zgjidhje nganjëherë jo të qëlluara, si shenja të ndryshme diakritike, mjete grafike si shtesa grafemash e dyfishim grafemash etj. Vështirësia e leximit shtohet në rastet e shkrimit të fjalëve e togfjalëshave bashkë me njëri-tjetrin, të mungesës së vendosjes së pikës në fund të fjalisë, të pikësimit të paqartë etj.

3) Çështje të botimit kritik të teksteve shqip. Në këtë paragraf autori parashtron metodat e ekdotike që ka zbatuar në riprodhimin e dorëshkrimit beratas.
a) Metoda e parë është riprodhimi anastatik, i cili është realizuar, me cilësi mjaft të lartë, nga materiali i disponueshëm në fondet digjitale të Bibliotekës Kombëtare Tiranë. Kjo metodë lejon lexuesin të ballafaqojë riprodhimet e tjera me origjinalin dhe të kontrollojë vetë çdo zgjidhje grafike të adoptuar nga botuesi.
b) Metoda e dytë është riprodhimi diplomatik, i vendosur përbri botimit anastatik, i cili i lehtëson lexuesit leximin e dorëshkrimit origjinal pasi është transkriptuar me alfabetin grek si në origjinal, por me shkronja shtypi dhe me ndonjë përmirësim anësor, si ndarja e fjalëve sipas praktikës së sotme drejtshkrimore, ose ndreqja e ndonjë gabimi tepër të dukshëm, gjithsesi të vënë në dukje me një shenjë prej botuesit.

c) Metoda e tretë është tejshkrimi i zgjeruar i tekstit shqip. Ky është riprodhimi i tekstit si një botim i përkujdesur kritik në alfabetin e sotëm latin të Manastirit, që përcjell besnikërisht dorëshkrimin shqip, duke ndërhyrë vetëm për ndarjen e fjalëve dhe për rregullimin e pikësimit sipas drejtshkrimit të sotëm, ndërsa në rastin e shmangieve të dukshme drejtshkrimore të dorëshkrimit vetëm është nënvizuar grafema përkatëse për t’u mbajtur parasysh në variantin e botimit kritik si tekst i normalizuar.
d) Metoda e katërt është botimi i përkujdesur filologjik në formën e një teksti të normalizuar e të përshtatur për një lexim të rrjedhshëm në një rreth më të gjerë të interesuarish. Kjo nuk do kuptuar aspak si një rindërtim normativ i tekstit, por thjesht si një sistematizim e thjeshtim i variacioneve të shumta grafike të dorëshkrimit, pa prekur aspak variacionin gjuhësor e dialektor të autorit/autorëve të dorëshkrimit.

Botimin kritik e shoqëron një aparat kritik i hollësishëm e i përpiktë, që përmban të gjitha ndërhyrjet redaksionale të argumentuara me argumente gjuhësore-filologjike si edhe të natyrës statistikore, shpjegime të ndryshme që lidhen me interpretimin e tekstit në aspektin gjuhësor e filologjik, të mbështetura në një shqyrtim e vlerësim të gjendjes gjuhësore të fazës së shqipes kur u shkrua teksti, të përkatësisë dialektore të autorëve të dorëshkrimit, të veçorive të shkrimit shqip në arealin ortodoks të Jugut si dhe në traditën e botimit filologjik të teksteve të këtij areali nga studiues të mëparshëm.

Riprodhimet e teksteve, që përbëjnë pjesën kryesore të punimit, janë realizuar me akribinë e njohur shkencore që karakterizon autorin e botimit kritik të dorëshkrimit.
Me këtë vepër autori ka arritur synimin që i ka vënë vetes: të realizojë botimin kritik të tekstit shqip të kodikut të Beratit, tashmë i rrokur në tërësinë e vet me të gjitha pjesët përbërëse të tij. Ky botim hedh baza të sigurta për hulumtime të mëtejshme në gjuhën e tekstit si përfaqësuese e toskërishtes veriore të shek. XVIII, si dhe për shumë çështje që kanë të bëjnë me historinë e shkrimit shqip me alfabetin grek e marrëdhëniet e tij me alfabete të ndryshme origjinale, si dhe me marrëdhëniet me shkrimet në gjuhët fqinje etj., të cilat autori synon t’i ndërmarrë në të ardhmen e afërt.
Botimi i veprës “Kodiku i Beratit” nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë është një tjetër gur që plotëson mozaikun e botimit të trashëgimisë sonë kulturore-letrare të së kaluarës me një tekst të një periudhe kohore me trashëgimi të paktë shkrimore dhe nga një hapësirë kulturore ku ka mbizotëruar gjuha greke si gjuhë e shkrimit, siç është shekulli XVIII i arealit ortodoks të Jugut./VOAL///

error:
%d bloggers like this: