SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Nga ROLAND QAFOKU

Nuk besoj se ka ndonjë gazetar të brezit tim të mos e ketë njohur, biseduar nga afër dhe bashkëpunuar qoftë edhe për pak kohë dhe me episode Fatos Baxhakun. Unë futem tek ata që e kam njohur pak. Në redaksi kemi punuar shumë pak dhe besoj shumë pak e dinë që Fatos Baxhaku punoi vetëm dy ditë si zëvendëskryeredaktor i gazetës “Koha Jonë” diku në vitin 1998 kur punoja edhe unë. Por edhe të mos e njihje dhe punoje nga afër, Fatos Baxhaku krijoi atë profil gazetari duke u kthyer në një model XXL për nga cilësia profesionale, ndershmëria dhe puna pa kompromis me pushtetin. Besoj kryevepra e tij në karrierën mediatike ishte drejtimi i “Gazeta Shqiptare”.

Ato kohë u kthye në legjendë historia që përsëritej pothuajse çdo pasmesnate në shtyshkronjën “Demokracia”. Teksa dorëzonin kalqet e numrave të rinj, kryeredaktori i “Koha Jonë”, Armand Shkullaku dhe kryeredaktori i “Gazeta Shqiptare”, Fatos Baxhaku, “ziheshin’ se kush e kishte bërë numrin më të mirë të ditës, se cilat lajme ishin ekskluzive, pra cili staf dhe gazetar kishte punuar më mirë se tjetri. Ky ishte momenti që ne gazetarët vlerësoheshim ose jo, kuotoheshim ose jo, nga fjalët e mira ose jo të Shkullakut dhe Baxhakut. Ditën tjetër, në mbledhjet e redaksisë së “Koha Jonë” më shumë përmendej emri i Fatos Baxhakut si shefi i gazetës konkurente se sa i shefit tone që kërkonte llogari pse kishte humbur x lajm. Baxhaku ishte prezent në mbledhjet tona edhe pa qenë prezent. Madje, pa qenë fare pjestar i stafit të “Koha Jonë”. Si sot, tre vjet më pare, Fatos Baxhaku u nda nga jeta. Ishte vërtetë një ditë zie për median shqiptare. Ajo që më bëri përshtypje nga shumë reagime me zë dhe me shkrime ishte se të gjithë, pa asnjë përjashtim, e quanin mik.

Në fakt, ashtu i trajtonte Baxhaku të gjithë, kolegët, homologët, vartësit, të njohurit por edhe të panjohurit. Por, asnjë prej këtyre nuk shkruajti se Fatos Baxhaku u kishte mësuar A-në e gazetarisë. I kishte marrë në punë, u kishte ndezur kompjuterin, u kishte mësuar si të mbanin gjithnjë me vete një bllok dhe një stilolaps. U kishte mësuar si të merrnin një lajm. Si të krijonin burimet dhe si të ishin besnikë dhe korrektë me to. U kishte mësuar se si të shkruanin mirë e bukur. Si të shkruanin pa gabime dhe me mendim. U kishte mësuar disiplinën e redaksisë, si të silleshin, sidomos me vartësit. Dikë madje e mësoi edhe si të vishej dhe sidomos si të mbante higjenën. Vërtetë Baxhaku ishte një mik. Por ironia është se shumë pak ia kthyen Baxhakut këtë në mirënjohje.

Dhe mirënjohje do ishte që disa nga nxënësit e tij të vjetër të bëheshin sado pak Fatos Baxhak. Iu afruan, u miqësuan, pinë edhe ndonjë gotë me të, ia vodhën stilin, profesionin dhe ditën që vdiq thanë “na humbi një mik”. Ama, këta “miqtë”, dy cilësi nuk ia morën dot: Ndershmërinë dhe thjeshtësinë. Ato nuk mund të vidhen. I përjetshëm kujtimi yt profesori i gazetarëve Fatos Baxhaku! I atyre që të njohën nga afër dhe atyre që nuk të njohën, por të kishin si model./sarandanews.a///

error:
%d bloggers like this: