Poeti kombëtar Naim Frashëri u nda nga jeta më 20 tetor 1900. Ai lindi në Frashër të Përmetit më 25 maj 1846.
Studioi në vendlindje, më tej në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, e më pas u vendos në Stamboll. Në një postim në rrjetet sociale Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e vlerëson Naimin si intelektualin tipik të Perandorisë Osmane, bartës i kulturës Perëndimore po aq sa i asaj Lindore, por i ndërgjegjshëm për identitetin e tij kombëtar e gjuhësor. Kjo dukej qartë në gjuhët që përdorte për të shkruar veprat e tij: shkroi katër vepra në osmanishte, dy në persisht, dy në greqisht dhe pesëmbëdhjetë në gjuhën shqipe.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell foto të veprës “Këndonjëtorja” të Naim Frashërit, shtypur në Bukuresht më 1886.
Ndërsa Muzeu Historik Kombëtar, në kujtesën që i bën sot Naim Frashërit, ndalet në një moment kyç të historisë së kombit, siç ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe roli i Naimit në të, veçanërisht në mbledhjen e degëve të Jugut të Lidhjes Shqiptare në Frashër (1878).
Ai iu kushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe e të letërsisë kombëtare dhe për ngritjen e shkollës shqipe e pajisjen e saj me tekste mësimore në gjuhën amtare. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll. Me përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të dendur atdhetare e kulturore Naim Frashëri u bë figura qendrore e Rilindjes Kombëtare dhe u pagëzua për së gjalli si “Apostull i Shqiptarizmës”.
Për më pak se 20 vjet botoi një krijimtari të gjerë. Veprat e tij më të shquara janë “Bagëti e Bujqësi” (1886), përmbledhja me lirika atdhetare e filozofike “Lulet e verës” (1890), poema epike “Istori e Skënderbeut” (1898), lirikat në persisht “Ëndërrime” si dhe poemat në gjuhën greke “O alithis pothos ton Skyperaton” (Dëshira e vërtetë e shqiptarëve, 1886), etj..
Vepra e Naim Frashërit është botuar dhe vazhdon të botohet gjerësisht dhe është bërë objekt studimesh shkencore. Ai prehet në atdhe, në Memorialin e Rilindësve, në Tiranë.





ME SHUME LAJME
Parashikimi i motit, e mërkurë, 6 dhjetor 2023
Parashikimi i motit, e martë, 5 dhjetor 2023
SOFT NEWS – Mbajtja e një qeni ul rrezikun e demencës