SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Memorie: Përkujtohet gjuhëtari “Mësues i Popullit”, Androkli Kostallari

Më 7 nëntor 1922, lindi gjuhëtari Androkli Kostallari. Lartësimi i shqipes ishte forca e rëndesës që e priu drejt përmbushjes së vokacionit të tij, gjuhësisë. Kostallari zotëronte një formim teorik tejet të gjerë, si rezultat i hulumtimeve vetjake dhe i studimeve të ndjekura në Universitetin “Lomonosov” të Moskës (1949-1954).

Trashëgimia e tij e paçmueshme në lëmin e gjuhësisë përfshin fjalorë, monografi dhe një sërë shkrimesh. Androkli Kostallari është vlerësuar me çmime dhe tituj të shumtë. Është dekoruar me Urdhrin e Punës të Klasit të Dytë (1959) dhe me Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë (1972). I është dhënë titulli i lartë “Mësues i Popullit” (1974) dhe Çmimi i Republikës të Shkallës së Parë (1974) për veprën “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”.

Emri i tij bëri jehonë edhe përtej pragut kombëtar. Në vitin 1960 u zgjodh anëtar i Komitetit Ndërkombëtar të Shkencave Onomastike (CIOS). Në vitin 1963 u bë anëtar dhe për disa vjet nënkryetar i Komitetit të Studimeve për Europën Juglindore (AIESEE). Kostallari përgatiti një grup leksikografësh, bashkautorë të arritjes më madhore të leksikografisë shqiptare, “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” (1980) me 41 mijë fjalë.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell me foto vendimin e Këshillit të Ministrave mbi dhënien e çmimeve të Republikës, dokumentin e përbërjes së Komisionit Qeveritar për kremtimin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, si edhe disa letra të Justin Rrotës dërguar Kostallarit lidhur me probleme gjuhësore.///

error:
%d bloggers like this: