SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Memorie: Përkujtohet në ditën e lindjes “Artisti i Popullit” Kadri Roshi

Përkujtohet sot në ditën e lindjes, aktori i dashur për publikun, Kadri Roshi. Më 4 janar 1924 lindi figura e mirënjohur e kinematografisë dhe e skenës shqiptare, Kadri Roshi.

Roshi lindi në Ballsh të Mallakastrës në një familje me prejardhje nga Libohova. Aktori përjetoi një vogëli të trazuar, pasi humbi të ëmën në moshën 2-vjeçare dhe mbeti jetim dhjetë vjet më vonë, kur vdiq edhe i ati.

Karriera e tij si aktor nisi në moshën 21-vjeçare në skenën e Teatrit Popullor. Në vitin 1951 përfundoi edukimin universitar në Pragë. Me t’u kthyer në atdhe, Roshi interpretoi rolet e para në Teatrin Kombëtar.

Përllogaritet se aktori ka luajtur rreth 180 role në skenë dhe në kinematografi, duke lënë në kujtesën e teleshikuesve dhe të spektatorëve një portret të pashlyeshëm. Rolet e tij variojnë nga skllavi Ezop tek kujdestari i “Lulëkuqe mbi mure”, si edhe nga mbrojtësi i thekshëm i gjuhës shqipe në Rilindje deri tek plaku Mere.

Disa prodhime të tjera filmike ku Roshi ka mishëruar role protagoniste, janë: “Vdekja e burrit” (1991), “Apasionata” (1983), “Partizani i vogël Velo” (1980), “Ballë për ballë” (1979), “Gjeneral gramafoni” (1978), “Njeriu me top” (1977), “Fije që priten” (1976), “Përballimi” (1976), “Malet me blerim mbuluar” (1971) dhe “I teti në bronz” (1970).

Për kontributin e dhënë në artin e fjalës dhe të interpretimit, Kadri Roshi u nderua me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik të vitit 1995, me Çmimin e Madh të Nderit në vitin 1997 dhe iu akordua vlerësimi “Nderi i Kombit” në vitin 1999. ///

error:
%d bloggers like this: