SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Memorie: Përkujtohet poeti i madh Lasgush Poradeci

Si dje më 12 nëntor 1987, u nda nga jeta poeti i madh Lasgush Poradeci.

Poeti, shkrimtari, përkthyesi shqiptar Llazar Sotir Gusho i njohur me emrin Lasgush Poradeci u lind më 27 dhjetor 1899 në Pogradec. Studimet e shkollës së mesme ai i kreu në Manastir e Athinë, dhe më pas studioi në Bukuresht në vitin 1921, e në Grac të Austrisë në vitin 1924.

Familja e tij ka luajtur një rol të veçantë në çeljen e Shkollës së Parë Shqipe në Pogradec, në vitin 1887, ku vetë Lasgushi ishte një ndër patriotët më në zë të lëvizjet patriotike të kolonisë shqiptare të Bukureshtit.

Në vitin 1933, u botua vëllimi i tij i parë “Vallja e yjeve”, dhe më 1937, u botua vëllimi i dytë “Ylli i zemrës”.

Ndër të tjera shkroi, poemat “Eskursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, etj.

Lasgushi është autor i më shumë se 100 poezive, një pjesë prej të cilave edhe poezi dashurie. Ishte adhurues i fjalëve arkaike, shprehjeve filozofike popullore, po aq sa i fjalëve të reja dhe eksperimenteve leksikore për një amë të re. Kuteli që i redaktoi “Yllin e zemrës” e quajti “Poeti i vetëm shqiptar që mendoi, foli dhe shkruajti vetëm në gjuhën shqipe.///

error:
%d bloggers like this: