SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot se këshillat bashkiakë nuk do të kalojnë asnjë buxhet të bashkive, nëse nuk prashikohen qartë fondet për pastrimin.

Kryeministri Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilluan sot një mbledhje me kryetarët e bashkive dhe prefektët, për menaxhimin dhe administrimin e mbetjeve.

Rama tha se “ne do të bashkëpunojmë ngushtësisht me kryetarët e bashkive për këtë, por fjalët po shterojnë”.

“Ligji parashikon shumë qartë që kryetarët e bashkive janë përgjegjës dhe bashkitë sanksionohen me ligj financiarisht për veprime të kësaj natyre. Ne do të ecim edhe me sanksione deri në marrjen në administrim të bashkisë dhe çuarjen e kryetarit respektiv të bashkisë në prokurori. Ky do të jetë fundi i rrugëtimit të përbashkët në rast se nuk gjejmë partnerët e duhur në territor dhe të garantojmë që Shqipëria të jetë shembull i pastërtisë në sezonin e ardhshëm”.

Rama tha se ndërkohë investime janë bërë dhe ne i kemi pikat fundore, landfillet e mbetjeve, ndaj situata aktuale është e patolerueshme.

“Askush nga ne nuk mundet dot të bashkëjetojë me turpin e pisllëkut. Është e patolerueshme, e papranueshme, ndaj duke filluar nga buxheti i vitit të ardhshëm çdo bashki të vendosë gjithë fondin që duhet për të kontrolluar procesin më së miri. Kjo kërkon kostim, buxhetim, vullnet dhe miradministrim”, tha Rama.

“Situata është në udhëkryq dhe nga ky udhëkryq duhet të dalim me se s’bën dhe do dalim tani. Sepse vërtet ka gjëra që duan vite, por ka edhe gjëra që duan qartësi dhe vullnet. Për fat të keq sot që flasim, në territorin e Shqipërisë ka një numër të patolerueshëm venddepozitimesh kriminale, në shkelje të plotë të detyrimeve në raport me mjedisin. Kemi pastaj pirgjet e plehrave lart e poshtë, si ato që u treguan këtu dhe janë të panumërta anembanë”, tha Rama.

Rama tha se kemi edhe rrugët kombëtare që janë problem më vete.

“Nuk mund të konsiderohen si përgjegjësi direkte e juaja edhe pse kur vjen puna për të dhënë leje të paligjshme hyni dhe te rrugët kombëtare, por kur vjen puna t’i pastroni, jo. Për atë karburant të prishur dje do të shkojnë në prokurori të gjithë ata që kanë firmosur në bashkinë e Lushnjës. Bashkitë s’kanë të drejtë të japin leje. Për më tepër në shkelje të ligjit që thotë: nuk lejohen ndërtimet 20 metra nga aksi i rrugës kombëtare”, tha Rama.

Një tjetër problematikë, sipas tij, është bregdeti, që është bërë problem i madh dhe do të jetë gjithmonë e më i madh, sepse çdo vit e më shumë rritet numri i turistëve.

“Por përtej sezonit kemi pamjet këtu. E përditshmja e dhimbshme, e turpshme e bashkisë Himarë, simboli i të fjeturit gjumë përballë plehut dhe maskarallëkut. Kemi zonat e mbrojtura dhe ato me rëndësi të veçantë historike e kulturore dhe tokën e bukës që nuk mund të jetë vend për të hedhur plehra”, shtoi Rama.

Ai siguroi se qeveria nuk do të rrijë me në këtë pozicion por do të ndërhyjë drejtpërdrejt.

“Asnjë buxhet, i asnjë këshilli bashkiak, nuk do të kalojë në rast se në atë buxhet nuk do jetë parashikuar sipas kostimit, pastrimi. Qeveria do të punojë me ju për pastrimin. Ministrja do jetë vetë në mbledhjet e këshillave bashkiakë. Kryetarët e bashkive mos të çojnë buxhet ku nuk kanë parashikuar pastrimin. Asnjë bashki nuk ka asnjë problem që të mbulojë pjesën e menaxhimit të përditshëm të mbetjeve nga pikëpamja financiare, por edhe sikur i gjithë buxheti i bashkisë totalisht të shkojë për pastrimin, do të shkojë për pastrimin”, tha Rama.///

%d bloggers like this: