SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Opozita zhvillon sot protestën e paralajmëruar ditë më parë nga kreu i PD-së Sali Berisha para Kryeministrisë, të cilën e cilëson protestë kombëtare dhe nisjen e revolucionit me kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama.

Pas marshimit përmes bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit u grumbulluan para Kryeministrisë ku kanë ngritur foltoren.

Tubimin e hapi kandidati për kreun e bashkisë së Tiranës, Belind Këlliçi, ndërsa pas tij e morën fjalën përfaqësues politikë.

Këlliçi: Shqipëria është derdhur në këtë shesh

Kandidati i PD-së, për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi në fjalën e tij vlerësoi pjesëmarrjen masive të qytetarëve në protestë.

“Shqipëria është derdhur këtu në këtë shesh! Në 103-vjetorin e saj si kryeqytet, Tirana sot është më e gjallë, më e shndritshme, më e bukur se kurrë me ardhjen tuaj. Sot i kemi zemrat plot se kemi miq nga e gjithë Shqipëria, nga çdo krahinë e qytet i vendit. Tirana na ka mbledhur të gjithëve, na ka bashkuar për të kundërshtuar njëzëri të gjitha padrejtësitë që i bëhen vendit tonë nga kjo godinë. Këtu është strumbullari i të gjitha të këqijave, i të gjitha aferave që i kanë marrë arkës sonë të përbashkët miliarda euro. Para që iu morën fermerëve, minatorëve, naftëtarëve, spitaleve, shkollave, kopshteve dhe çerdheve”, tha ai.

Sipas tij, vota është instrumenti më i madh i protestës.

“Nëse Tirana nuk ndryshon, Shqipëria nuk ka për të ndryshuar. Një kryeministër në Perëndim i kapur në korrupsion është i korruptuar për të gjithë qytetarët, si për demokratët dhe socialistët. Një kryebashkiak hajdut nuk ka rëndësi është hajdut socialist apo hajdut demokrat, hajduti mbetet hajdut dhe largohet me votë. E kur dhe drejtësia është e kapur, atëherë vota bën drejtësi. Le ta kthejmë sot Tiranën, në këtë 103 vjetor të saj si kryeqytet, në kryeqytetin europian të protestave”, tha ai.

Bumçi: Rama, projekt për të vrarë opozitën

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Aldo Bumçi akuzoi Kryeministrin Rama se e zhyti Shqipërinë në mjerim, në pasiguri, në dëshpërim.

“Vendi me papunësinë më të madhe rinore, me pensionet më të ulëta, ka taksat më të larta, çmimin më të lartë në Europë të naftës, të energjisë elektrike. Edi Rama në 10 vite i detyroi shqiptarët të emigrojnë më shumë se sirianët, 13 herë më shumë se një serb, 4 herë më shumë se një shqiptar i Kosovës”, tha ai.

Bumçi tha se “shpresa fillon sot në këtë shesh falë qytetarëve të lirë”.

“Edi Rama arriti deri aty sa të zbatonte projektin më kriminal, më të zi, do vriste opozitën. Ky është turpi i madh në 2023, në një vend anëtar të NATO-s, në një vend që ka hapur negociatat simbolikisht, të ketë një projekt për të vrarë opozitën. Ky është turpi i të gjithë atyre qe e vunë emrin, brenda dhe jashtë Shqipërisë për të vrarë opozitën. Por falë jush, fal jush ka shpresë”, shtoi ai.

Bumçi tha se: “Rama ka njëmijë e një arsye për të dhënë dorëheqjen, përndryshe do të përballet me të vetmen alternativë, me të vetmen përgjigje, me të vetmen mënyrë që kanë kombet e qytetëruara, për të larguar. Vetëm një përgjigje kanë kombet e qytetëruara nëse nuk largohesh, zemërimi nuk do të gjejë qetësi”.///

error:
%d bloggers like this: