SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

 Opozita ka mbajtur një protestë pasditen e sotme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë.Protesta është thirrur nga kreu i PD-së, Sali Berisha dhe Fronti Opozitar nën moton “Shqipëria në Rrezik, Ti dalim zot bashkë”, ndërsa i është bashkuar edhe kreu i PL, Ilir Meta së bashku me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj force politike.

Protestës së opozitës i janë bashkuar simpatizantë dhe qytetarë të ardhur nga disa qytete të vendit.

Policia e Shtetit, në kuadër të kësaj proteste me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të saj ka bllokuar pjesërisht disa segmente. Policia njoftoi bllokimin e segmenteve rrugore si: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Protestën e opozitës e ka hapur regjisori, Edmond Budina i cili apeloi që “protestat tona të mos ndalen asnjëherë dhe mos shkulemi këtu pa shkulur mafien e pushtetit, të ngulemi këtu dhe të kemi mosbindje civile”.

“Ne nuk jemi këtu thjeshtë për keqqeverisjen e këtij pushteti, por ne jemi këtu për të treguar forcën tonë kundër mafies në pushtet e cila ka uzurpuar pushtetin. Ne luftën tonë do ta vazhdojmë deri në fund”, theksoi ai.

Anëtarja e Këshillit Kombëtar, Rudina Hajdari tha se kjo nuk është protestë beteje mes partive por për të gjithë shqiptarët.

“Kjo nuk është betejë ideologjike, nuk është luftë mes militantëve por është betejë e të gjithë shqiptarëve nga njëra anë dhe klubit të miliarderëve të drejtuar nga Edi Rama, të cilët po zhvasin jo vetëm buxhetin me koncesionet korruptive, por mbi te gjitha janë duke zhvatur ëndrrat e fëmijëve tanë për një të ardhme më të mirë e të bukur ne atdhe”, tha ajo. Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi deklaroi se ajo që na ka mbledhur në këtë shesh nuk është thjesht e sotmja, është e ardhmja e fëmijëve tanë, e familjeve tona, e atdheut tonë. “E di mirë vullnetin e zemërimit tuaj dhe prandaj jemi sot këtu bashkë, prej këtij vullneti për të ndezur gulçin e revoltës që do ta kemi pishtar në marshimin tonë për rrëzimin e kësaj qeverie dhe këtij kryeministri”, tha ai.

Në fjalën e tij në protestën e opozitës, kryetari i bashkisë Shkodër, Bardh Spahia i bëri thirrje demonstruesve që të vazhdojnë protestat deri në largimin e qeverisë.

“Era e ndryshimit nisi nga Shkodra dhe kam bindjen më të thellë se me këtë vullnet, me këtë kurajo për te mos u dorëzuar, me vetëdijen për të luftuar për atë që na takon, era e ndryshimit po fryn në të gjithë Shqipërinë. Protesta jonë duhet të jetë e pandalshme deri në ditën që ky kryeministër dhe qeveria e tij te japin dorëheqje dhe t’i hapin rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha ai.

Meta: Referendum për të shpëtuar Shqipërinë

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në fjalën e tij në protestë tha se, sot tradhtari, Edi Rama e ndjek këtë miting të fitores të triumfit të lirisë të demokracisë të shqiptarizmi, nga çarteri luksoz dhe i paligjshëm dhe shumë shpejt do të jetë para drejtësisë sipas ligjeve të tij, sipas firmave të hedhura nga vetë ai.

Ai theksoi se, “jeni ju që mbani këtë vend në këmbë me mundin, djersën dhe sakrificat e panumërta që bëni. Jeni ju që keni të drejtën të largoni Qeverinë kur drejtuesit e saj grabisin, vjedhin dhe shesin atdheun siç bëjnë Rama dhe Rilindja.”Rilindja” që ka vetëm një axhendë: “Vidh – Shpopullo – Shkombëtarizo”.

“Rilindja në 10 vite bëri të kundërtën e premtimeve që erdhi në pushtet. Premtoi qeverisje me duar të pastra dhe transparente dhe sot jemi vendi i parë në Europë për korrupsion dhe i dyti në botë për ryshfet. Shtëpia e tyre e parë nuk është Shqipëria, por offshoret ku kanë fshehur lekët tuaja, nën emrin e tyre dhe të miqve të tyre. Premtoi 300 mijë vende të reja pune, por dëboi mbi 740 mijë shqiptarë”, tha Meta.

Meta tha se në vitin 2013 borxhi publik ka qenë 62.4%, ndërsa sot, është 107%.

“Nëse Maqedonia e Veriut e shlyen borxhin e saj me 1 vit eksporte, në Shqipëri nevojiten 13 vite eksporte, sepse ky merr borxhe për të shlyer borxhe, që ky të fluturojë në luks dhe shqiptarët të zhyten në mjerim. Qeveria e kapur për gryke nga oligarkët dhe mafia po bën gjithçka që të asgjësojë prodhimin vendas me taksa të reja dhe akciza të jashtëzakonshme dhe po godet pa mëshirë shtresën e mesme, që t’i dobësojë e t’i detyrojë të largohen nga vendi”, u shpreh ai. Meta theksoi se me Partinë Demokratike kemi firmosur një marrëveshje historike, referendumin.

“Prej kohësh Rilindja i ka shpallur luftë shtresës së mesme. Kjo qeveri mafioze vetëm shtyp të varfrit dhe fukarenjtë dhe mbron e amniston të fortët, mafiozët, trafikantët dhe oligarkët. Të nderuar qytetarë fjala juaj është ligj, fjala juaj është urdhër për veprim, fjala juaj është mision, fjala juaj është e vërteta e padiskutueshme e popullit. Së bashku me Partinë Demokratike kemi firmosur një marrëveshje historike për tu dhënë një herë e përgjithmonë të gjithë fuqinë për të qenë Zot të vendit tonë: Referendumin! Përpara për të shpëtuar flamurin tonë kombëtar”, tha Meta./atsh///

error:
%d bloggers like this: