SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

– Kryetari i PD-së Sali Berisha në urimin për 110-vjetorin e Ditës së Pavarësisë, ka shprehur nderimin  për Ismail Qemalin dhe për të gjithë ata burra dhe gra që sakrifikuan me jetë, me penë dhe ne të gjitha format bënë të mundur pavarësinë e këtij vendi.

Në një postim në rrjetet sociale Berisha shprehet se Pavarësia e Shqipërisë është si të thuash festa e të gjitha festave të shqiptarëve.

“Pa pavarësinë e Shqipërisë, ne do të ishim vidhisur në honet apo mjegullnajat e Ballkanit. Lavdi Zotit, sot ne jemi të lirë! Në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo që ndodhemi. Por sot, ne kemi një problem shumë të madh, këtë regjim i cili, me politikat që ndjek, me antireformat që realizon, me plaçkitjen që i bën pasurisë kombëtare dhe fondeve publike, po përze shqiptarët. Po përze rininë e kombit, sa asnjë regjim tjetër në histori”, shton ai.

Ai shton se kjo ditë është një thirrje për çdo të ri të këtij vendi, për çdo shqiptar të marrë përgjegjësitë e tij në mënyrë që Shqipërinë, këtë tokë të begatë, këtë vend të bekuar ta shndërrojmë në kopshtin më të bukur të ëndrrave tona në shtëpinë e së ardhmes sonë.

Deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka uruar 110-vjetorin e Pavarësisë më një pikturë të Buran Kacelit.

Në mesazhin e urimit publikuar në rrjetet sociale, Tabaku shprehet: “Gëzuar Shqipëri..!Edhè hâna do t’a dije, Edhè dielli do t’ két pá, Se per qark ksaj rrokullije, Si Shqypnija ‘i vend nuk ká !Pikturë nga Buron Kacel”.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj në urimin e tij për 110-vjetorin e Pavarëisë ka zgjedhur një poezi të At Gjergj Fishës, krahas së cilës ka publikuar edhe foto të Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Adem Jasharit

“Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit

Po rrehë Flamuri i Shqypnis,

E thrret t’ bijt e Kastrijotit

Me mbledhë tok nder çetë t’ ushtris.

Bini, Toskë, ju, bini Gegë!

Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!

A ngadhnyesë a t’ gjith deshmorë!

Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

Per mbas Flamrit t’ vet Shqyptari,

Kur rrokë armët per t’ drejta t’ veta,

Atje lufta ndezet zhari,

Atje anmiku vehet m’ t’ leta”.

Kryetari i partisë së Lirisë, Ilir Meta shprehet në mesazhin e tij të urimit publikuar në rrjetet sociale se patriotizmi dhe sakrificat për flamurin kombëtar duhet të jenë pishtar për të mbrojtjen e Shqipërisë nga rreziqet e reja.

“Sot në Ditën e Flamurit Kombëtar, përulemi me nderim para veprës së ndritur të Ismail Qemalit dhe Etërve të Pavarësisë, që 110 vjet më parë themeluan shtetin modern duke patur për ideal të shenjtë vetëm Atdheun dhe fatet e Tij. Patriotizmi, sakrificat dhe gjaku i derdhur për Flamurin Kombëtar duhen të jenë në çdo kohë pishtari që na ndriçon mendjet dhe udhën e duhur ku duhet të ecim për të mbrojtur Shqipërinë nga çdo rrezik i ri dhe për ta bërë këtë tokë të bekuar sa më të begatë, ku sot e mot të gjithë shqiptarët dhe fëmijët e tyre të jetojnë me dinjitet dhe krenari. Lavdi përjetë 28 Nëntorit të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit!”, shkruan Meta.

Ish-kreu i PD-së Luzim Basha ka uruar shqiptarët në ditën e 110-vjetorit të pavarësisë.

“Gëzuar 28 Nëntorin, ditën e madhe që na bashkon plot krenari dhe mirënjohje të thellë për veprën e pavdekshme të heronjve dhe dëshmorëve të Kombit. Sakrifica e tyre në altarin e lirisë kombëtare, mban ndezur në zemrën e çdo shqiptari flakën e besimit tek e nesërmja. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!”, shkruan Basha në rrjetet sociale.///

error:
%d bloggers like this: