SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

– Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se “në këtë mandat qeverisës do t’i shpallim luftë frontale korrupsionit në çdo nivel”.

Ai tha se “Qeveria do vendosë në shërbim të publikut dhe të medias, një kanal informimi në faqen e saj zyrtare për çdo akuzë apo pretendim të ngritur publikisht që lidhet më interesin publik”.

“Formati i vjetër i politikës tradicionale me akuza e kundër akuza, flakë për flakë, me konferenca shtypi dhe kundër konferenca shtypi, ku nuk merr vesh i pari të dytin dhe ku publiku helmohet dhe neverite nga politika, për ne konsiderohet praktikë e mbyllur”, tha ai.

Rama theksoi se “asnjë nga qeveria dhe asnjë nga ne 74 të mandatuarit në këtë sallë, nuk do përdor as mikrofonin, as mandatin, as kartonin për të mbrojtur këdo qoftë këtu apo jashtë kësaj salle nga akuzat e organeve të drejtësisë. Cilido qoftë në çdo nivel të ekzekutivit apo në rresht të kësaj salle apo në qeverisjen vendore që me gjasë mund të vendoset në akuzë nga drejtësia për përgjegjësi që i ka marrë vetë, do të duhet të mbrohet vetë së bashku me avokatin përkatës dhe prezumimi i pafajësisë do vlejë vetëm për procesin gjyqësor të individit dhe jo për të marrë gjysmë fjale mbështetje politike nga kjo shumicë qeverisëse deri në zbardhjen përfundimtare të rastit nga organet e drejtësisë”.

“Jo vetëm kaq por qeveria do të inkurajojë shumë me tepër se deri më sot me fuqizimin e mekanizmave të njohur si, Platforma e Bashkëqeverisjes e cila do të hyjë në një regjim ligjor të posaçëm apo mekanizma inovativ nxitës të qytetarëve, mediave investigative luftën frontale të korrupsionit në çdo nivel”, theksoi ai.

Rama shtoi se “ne e kemi besuar që në pikënisje dhe besojmë ende më shumë sot Reformën në Drejtësi, me vetëdijen se rezultatet kuptimplota që të gjithë shqiptarë dhe ne bashkë me të presim prej saj, nuk vijnë aq kollaj as shpejt”.

“Të ndërtosh nga e para një pushtet të pavarur dhe profesional gjyqësor në vend të një pushteti të kalbur drejtësie është njësoj si të transplantosh krejt një kolonë vertebrore të kalbëzuar me një të re. Duhet një operacion rrënjësorë, posaçërisht i gjatë, teje i vështirë, një këmbëngulje e pashembullt, një durim i pashoq, përballë një sfide që duket e pamundur. Prandaj sa herë që e humbasim durimin dhe drita e largët në fund të tunelit ende të gjatë të reformës në drejtësi na humbet nga sytë, le të kujtohemi se kur u nisëm nuk kishte as tunel, por vetëm një terr të plotë ku çekiçi i gjykatëseve të korruptuar në nivelet më të larta bënte kërdinë, ndërsa pandëshkueshmëria e më të fortëve të çdo lloj e legenoste Shqipërinë”, tha ai.

Po ashtu, Rama tha se “sot toka lëkundët nën këmbët e atyre që deri dje vrisnin e prisnin dhe e shikonin ligjin, shteti, popullin nga lart poshtë duke i përdorur prokuroritë si shampo dhe gjykata si krehër për t’i bërë karshillëk me kokën përpjetë edhe më përpjetë se flokët një populli të tërë”.

“Organet e reja të drejtësisë u kanë dalë nga duart dhe politikës edhe krimit. Partitë po e humbin fuqinë për t’i rezistuar presionit të kohës që kërkon drejtësi. Askush që ka llogari të hapura me ligjin nuk fle më i qetë. Kundërofensiva e forcave dhe individëve me pushtet politik për të penguar, dëmtuar, ndalur Reformën në Drejtësi ka konsumuar vërtetë energji jo të vogla shoqërore duke inskenuar akte publike, operacione mediatike dhe aksione politike të pashembullta me egërsinë e tyre antidemokratike, antikushtetuese, anti-qytetare, por frymëzuesit e asaj kundër-ofensive janë sot figurat më të diskretituara politike të Shqipërisë. Kokat e botës së krimit janë prapa hekurave ose brenda skutave ku vetëm e shtyjnë në kohë, por nuk e ndalin dot ditën e llogarisë para gjykatës. Ndërsa burimet e energjisë negative të politikës kundër reformës në drejtësi po shkojnë drejtë shterimit. Kjo shumicë do të vazhdojë të punojë ngushtësisht me aleatë e Shqipërisë SHBA/BE duke mbështetur pa asnjë rezerve për Reformën në Drejtësi. ///

%d bloggers like this: