SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Presidenti Begaj: Të mos përdoren burimet publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ftoi në një takim në Presidencë, Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi për të diskutuar mbi përgatitjet e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Në një postim në rrjetet sociale, Begaj u shpreh se, në takim vuri theksin “për rëndësinë që kanë këto zgjedhje, jo vetëm si mundësi e mirëpritur për të shprehur vullnetin politik, por edhe si provë e rëndësishme maturie për vetë sistemin tonë demokratik”.

Në bisedën me Celibashin, Begaj u ndal “në domosdoshmërinë që ka zbatimi i Kodit Zgjedhor dhe udhëzimeve të KQZ-së nga të gjitha institucionet qendrore dhe vendore me detyrimin për të mos përdorur veprimtaritë dhe burimet publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve të tyre në fushatë”.

“Gjej rastin t’i bëj thirrje publike të gjitha subjekteve të këtij ligji që ta zbatojnë atë me përpikmëri dhe të inkurajoj KQZ-në për një monitorim e zbatim korrekt të tij”, nënvizoi Begaj.

“Të gjithë shqiptarët dëshirojnë një garë të ndershme dhe të barabartë të kandidatëve në fushatë. Nëpërmjet zbatimit të ligjit ne ua garantojmë këtë”, theksoi Begaj.

Ndërsa, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, në një postim në rrjetet sociale, u shpreh se, në bashkëbisedim me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj u diskutua mbi përgatitjen e zgjedhjeve vendore të datës 14 maj 2023.

“Në veçanti biseduam mbi veprimtaritë e institucioneve publike në këtë periudhë 4 mujore deri në datën e zgjedhjeve. Zhvillimi i tyre në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe udhëzimet e KQZ është me rëndësi për standardin e procesit”, theksoi Celibashi.

“Votimi nga jashtë ishte një çështje tjetër e përfshirë në këtë diskutim. Realizimi i kësaj të drejte për diasporën është prioritet nr.1 për KQZ dhe mbetemi me besimin se Kuvendi do të përmbushë boshllëkun ligjor brenda këtij viti, ashtu sikurse ka urdhëruar Gjykata Kushtetuese”, nënvizoi Celibashi.///

error:
%d bloggers like this: