SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë punimeve të Kongresit Kombëtar të Arsimit, se falë portalit “Mësues për Shqipërinë”, mësuesit janë  hequr nga kthetrat e politikës dhe është vendosur në vend figura e tyre me dinjitetin dhe respektin që u takon.

“Nëse kujtohemi nga u nisëm, sot jemi dita me natën, por po të mendojmë ku duhet të shkojmë sot jemi nata me ditën. Kemi jashtëzakonisht shumë akoma për të bërë, ama kur kujtoj se mësuesit mund të ngryseshin në një vend pune dhe të gdhiheshin të hedhur në vend tjetër larg vendbanimit të tyre pa asnjë argument jemi si dita me natën”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se më parë, i gjithë sistemi i rekrutimit të mësuesve ishte i bazuar te politika, tesera e partisë, ryshfeti e me radhë.

“Heqja e mësuesve nga kthetrat e politikës, pavarësimi i tyre, vendosja e figurës së tyre në qendër me dinjitetin dhe respektin që u takon dhe përpjekja për t’i trajtuar ata gjithnjë e më mirë brenda shfrytëzimit të të gjitha mundësive tona, shoqëruar me vendosjen e një procesi tërësisht të pavarur, transparent, të pandikuar nga personi apo vullnetet e ndryshme të drejtorive, siç është portali “Mësues për Shqipërinë faktikisht e ka ndryshuar si dita me natën situatën e mësuesve”, shtoi Rama.

“Përpara pak ditësh më bëri përshtypje një kronikë, e cila ishte përhapur në të gjitha rrjetet sociale, e një mësueseje që ishte një nënë me dy fëmijë dhe me kontratë të përkohshme, e cila ankohej për situatën në të cilën gjendej, natyrisht e shtyrë dhe nga pasiguria që të jep kontrata e përkohshme dhe të cilën një fluks i tërë komentatorësh e mbështesnin si viktimë të politikës. U interesova dhe arsyeja pse e konsideronin viktimë të politikës ishte se kjo mësuese ishte shumë aktive në takimet që organizon grupi “Shqipëria në rrezik””, tha Rama.

Ndërkohë ai informoi se “përtej faktit që ajo mësuese shprehte gjithë shqetësimin e saj, sëkëlldinë e saj, pasigurinë e saj mbase dhe inatin e saj ndaj qeverisë, ndryshe nga të tjerë i kishte bërë detyrat e veta, duke sidoqoftë konkurruar në portalin “Mësues për Shqipërinë”, sot kur rezultatet e portalit janë shpallur, ajo është fituese”.

“Ajo është fituese për të marrë një vend pune të përhershëm dhe portali “Mësues për Shqipërinë” as nuk ka në kriteret e veta përkatësinë politike, as nuk mund të ndryshohet, jo thjesht sepse ne nuk duam të ndërhyjmë dhe nuk kemi ndërhyrë asnjëherë, por sepse çdo ndryshim që ti mund të besh tek portali lë gjurmë”, tha Kryeministri.

Rama siguroi se portali ‘Mësues për Shqipërinë’ të jep atë që të takon për atë që kërkon.

Sipas tij, “nëse kërkon një vend pune të përhershëm si mësues, merr një vend pune të përhershëm si mësues, pavarësisht se për kë voton, pavarësisht se sa shprehesh apo nuk shprehesh për qeverinë apo për opozitën, këto nuk kanë asnjë rëndësi”.

“E për ata që e mbajnë mend, shumë nga ju këtu dhe shumë mësues të tjerë e mbajnë mend se çfarë kohe ishte kur kjo gjë as nuk mund të imagjinohej besoj që është diçka me një rëndësi të madhe për dinjitetin e mësuesve, për respektin dhe meritën dhe për lirinë dhe garancinë e konkurrencës, kështu që unë dua t’i uroj suksese mësueses në fjalë, si mësuese me kontratë të përhershme dhe në kohën e lirë ajo mund të vazhdojë të shkojë në mbledhjet e “Shqipërisë në rrezik”, por nëse Shqipëria do të ishte në rrezik, ajo nuk do të kishte dot një kontratë të përhershme, se kush do ta rrezikonte Shqipërinë nuk do mendonte për dinjitetin e mësuesve, por do të vazhdonte të mendonte siç mendojnë ata që sot iu duket Shqipëria në rrezik, kur vinin në rrezik çdo karrierë, vinin në rrezik çdo meritë, vinin në rrezik çdo të drejtë vetëm për qëllime dhe arsye politike”, tha Rama.//atsh///

error:
%d bloggers like this: