Kryeministri Edi Rama, në një intervistë në studion e programit “Today” të BBC Radio 4 në Londër, u shpreh se “Shqipëria do të refuzojë gjithnjë përzierjen e disa kriminelëve me shqiptarët si të tillë, pasi t’i vësh krimit një vulë etnike është në vetvete një krim”.
I pyetur nëse po e ul marrëveshja dypalëshe numrin e shqiptarëve që mbërrijnë në Britaninë e Madhe përmes Kanalit “La Mansh”, Rama tha se “kjo është një çështje komplekse”.
“Sa më takon mua, jam këtu të sigurohem që të gjithë ta dëgjojnë qartë dhe fort se shqiptarët nuk lidhen vetëm me varkat. Ashtu si Britania nuk është vetëm Xhejms Bond apo Mr. Bean, edhe ne nuk jemi vetëm “Taken”. Ne jemi këtu si një komunitet i rëndësishëm, drejtojmë automjetet, ndërtojmë, gatuajmë dhe madje edhe këndojmë për ju, kështu që nuk kemi të bëjmë vetëm me barkat, kemi të bëjmë me një çështje komplekse, që lidhet sigurisht me ambicien dhe nevojat e njerëzve në anën tonë të botës që të shkojnë në vende ku e imagjinojnë të ardhmen më shumë në duart e tyre dhe më shpejt”, shtoi ai.
Rama nuk pranoi të komentonte ligjin e ri që po diskutohet në parlamentin britanik, që do t’i skualifikojë ata që mbërrijnë me varka të vogla të përdorin ligjet e skllavërisë moderne për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar.
“Nuk jam këtu për të komentuar një ligj, që ka ndezur tashmë opinionin tuaj publik, debatet tuaja, por jam këtu thjesht që të përpiqem dhe të përcjell mesazhin se Shqipëria është një vend jashtëzakonisht i bukur. Kemi një turizëm në rritje dhe ka gjithnjë e më shumë britanikë që e vizitojnë e po ashtu, edhe europianë. Tashmë, kemi çelur bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Europian, kështu që jemi në një pozitë krejt tjetër nga ajo që ndonjëherë përshkruhet”, tha ai.
Për fat të keq, vijoi kryeministri, “kemi parë se neve dhe komunitetit tonë na është drejtuar gishti në këtë vend për qëllime të politikës dhe ka qenë një moment shumë, shumë i turpshëm për politikën britanike”.
“Por nga ana tjetër, jam shumë i kënaqur që, bashkë me kryeministrin tuaj, kemi përcaktuar një rrugë të qartë për të trajtuar së bashku çfarëdolloj gjëje që duhet përjashtuar nga marrëdhënia jonë dhe nga bota jonë e ligjit dhe drejtësisë, duke u siguruar, në të njëjtën kohë, që disa mollë të kalbura të mos identifikojnë as komunitetin shqiptar këtu dhe as marrëdhëniet tona. Britania e Madhe ka qenë përherë një model për ne dhe më duhet të them se pa Toni Blair-in, pa rrugën e re laburiste, nuk do të ishim kaq të suksesshëm sa kemi qenë, duke zbatuar pikërisht frymën e re laburiste në partinë tonë dhe shumicën tonë qeverisëse. Po nuk është vetëm kjo, është kultura, janë shumë gjëra të tjera dhe shumë mësime të tjera, ndaj duam të nxjerrim më të mirën nga kjo marrëdhënie”, shtoi Rama.
Rama theksoi se “do të refuzojmë gjithnjë këtë përzierjen e disa kriminelëve me shqiptarët si të tillë, pasi t’i vësh krimit një vulë etnike është në vetvete një krim”.
“E kam fjalën pikërisht për atë që është thënë nga anëtarë të kabinetit, duke nisur që nga Sekretarja e Brendshme dhe e kam fjalën pikërisht për atë çka është zhvilluar si veçim i një komuniteti të tërë, që është diçka që nuk bëhet në qytetërimin tonë dhe është diçka që nuk e përfaqëson aspak Britaninë, ndaj kjo ka qenë një pikë shumë e ulët në marrëdhëniet tona, por, siç e thashë, ka vullnet për ta tejkaluar këtë. Është e vërtetë që me forcimin e bashkëpunimit tonë ka disa rezultate të qarta që, me të drejtë, kryeministri dhe qeveria këtu po i theksojnë, por, nga ana tjetër, ne refuzojmë dhe do të refuzojmë gjithnjë këtë përzierjen e disa kriminelëve me shqiptarët si të tillë, pasi t’i vësh krimit një vulë etnike është në vetvete një krim”, nënvizoi ai.
I pyetur mbi marrëdhëniet me Sunak dhe paraardhësin e tij Boris Johnson, Rama tha se “me Borisin kemi pasur një marrëdhënie të mirë miqësore dhe më vjen shumë keq për të”. “Do të doja të mos e kisha parë siç e pashë dje. Është vërtet një moment i vështirë për dikë që ka qenë në krye të politikës britanike. Ndërkohë, kur bëhet fjalë për Sunak, nuk e kam takuar ende. Kemi pasur një bisedë mjaft të këndshme telefonike. Do kem një mendim timin pasi ta kem takuar”, shtoi ai.
Pyetjes se sa gjatë ka në plan të vazhdojë, ndërkohë që këtë shtator shënon 10 vjet si drejtues i qeverisë, Rama iu përgjigj: “Siç ju thashë, kam qenë shumë i frymëzuar nga laburizmi i ri. E kemi parë të funksionojë shumë mirë. Sa më shumë ndërlikohet bota, aq më shumë mendoj se përgjigjet e laburizmit të ri janë të duhurat dhe po e shohim këtë. Nga ana tjetër, gjithçka ka të bëjë me zjarrin brenda dhe për sa kohë e ndiej këtë zjarr brenda, nuk do të ndalem”.///
ME SHUME LAJME
Përkujtohet Mësuesja e Popullit, Parashqevi Qiriazi
Ujë nga “Syri i Kaltër” në Delvinë për ta dërguar në Pulia.(Itali)
Sarandë. Zhvillohet takimi i Taskforcës për turizmin në kryesimin e Prefaktit Mamaj